LSI: Shqipërisë i kërkohen 12 kriteret e KE, jo pendesat e Edi Ramës

Mazhoranca i bën thirrje opozitës t’i kthehet dialogut për miratimin e reformave dhe plotësimin e rekomandimeve të Brukselit
Pendesa e shfaqur nga kryesocialisti Edi Rama pas zgjedhjeve vendore të 8 majit lidhur me ndryshimet kushtetuese para zgjedhjeve të përgjithshme të 2009-ës, ndonëse ato u mbështetën dhe u inkurajuan prej tij, ka rikthyer në vëmendjen e politikës shqiptare çështjen nëse janë apo jo të domosdoshme ndryshimet kushtetuese dhe ku konkretisht.
Lëvizja Socialiste për Integrim, e cila bashkë qeveris me të djathtën shqiptare që në vitin 2009, e cilëson qëndrimin e Edi Ramës për ndryshimet kushtetuese jo serioz. Përfaqësuesi ligjor i LSI-së, Ylli Manjani, tha se “hapja e temës se ndryshimeve kushtetuese nga Edi Rama është jo serioze dhe shmang në fakt, vëmendjen nga nevoja për reformat reale që i nevojiten Shqipërisë për marrjen e statusit të vendit kandidat”.
“Ne mendojmë se Shqipëria ka nevojë të ngutshme për reformën zgjedhore dhe reformat e tjera institucionale që lidhen me plotësimin e 12 kritereve që na mundësojnë statusin e vendit kandidat për në BE”- tha ai. Manjani artikulon me vendosmëri qëndrimin e LSI-së se nuk mund të ketë ndryshime kushtetuese ashtu siç ndryshohet statuti i PS-së sa herë humb zgjedhjet Kryetari i saj, pasi, sipas tij, “kjo nuk është serioze dhe as në përputhje me çfarë ka nevojë Shqipëria”. “Pyetja që shtrohet sot para politikës është se a do bëhen këto reforma apo jo? Dhe jo a jeni penduar për ndryshimet e fundit kushtetuese?! Kjo që thotë Rama, se meqë është penduar, hajde të ndryshojmë prapë Kushtetutën, nuk është serioze dhe as në përputhje me çfarë ka nevojë Shqipëria”- thekson përfaqësuesi i LSI-së.
Duke shprehur vendosmërinë e LSI-së për stabilitet politik dhe juridik, ashtu sikurse edhe për reforma zgjedhore dhe institucionale, Manjani nënvizon se “Kushtetuta nuk është pengesa e shqiptarëve. Politika e bojkotit po”. Ai sqaron se Kushtetuta është shumë e re për historinë e një shteti dhe brenda 11 viteve ajo u ndryshua 2 herë, duke krijuar idenë e një dokumenti pa vlerë, ndërkohë që misioni i saj është siguria dhe garantimi i një shteti jetëgjatë. “Për fat të keq kafshimi për dy herë me radhë që i ka bërë politika ishte i rëndë. Prandaj kemi nevojë për ta ruajtur këtë dokument dhe jo për ta kafshuar sërish”- deklaron përfaqësuesi ligjor i LSI-së. Ylli Manjani e cilëson të turpshëm dhe të papranueshëm faktin që “kafshimi i ri propozohet të bëhet për Kushtetutën nga PS vetëm sepse u pendua Edi Rama”.