E Diel, 1 Nëntor 2026

Përmbytja e dytë, evakuohen 308 familje

Autori i Lajmit: Redaksia
Gjatë përmbytjes së dytë brenda këtij viti, që përfshiu qarkun e Shkodrës janë evakuuar 308 familje. Lajmi konfirmohet nga Ministria e Brendshme, e cila ka bërë dhe bilancin paraprak të situatës mbi përmbytjet në gjithë zonën e Shkodrës.
Përveç familjeve të evakuuara, rezulton se si pasojë e reshjeve janë përmbytur 6300 hektarë tokë, si dhe janë përmbytur 74 shtëpi. Ndërsa shtëpi të rrethuara nga uji gjithsej janë 805.
Ministria e Brendshme
Ministria e Brendshme sqaron se strukturat e Forcave të Armatosura dhe të Policisë së Shtetit janë të angazhuara për evakuimin dhe transportimin e banorëve, për përforcimin e argjinaturave dhe për shpërndarjen e ndihmave ushqimore dhe koncentrateve për bagëtinë. “Në Komunën Dajç, në fshatrat Daragjat dhe Shirq, po vazhdojnë punimet për përforcimin e argjinaturave me thasë me rërë. Strukturat e Forcave të Armatosura po shpërndajnë me anë të varkave ndihma ushqimore dhe koncentrate në fshatrat Obot dhe Gorricë në Komunën Ana e Malit dhe në Komunën Dajç”, thuhet në deklaratën zyrtare të Ministrisë së Brendshme për situatën. Gjithashtu, edhe në zonat Ças dhe Velipojë, strukturat e ushtrisë me 4 mjete, 1 ekskavator dhe 1 fadromë, në bashkëpunim me Drejtorinë e Bordit të Kullimit vazhdojnë punimet në përforcimin e argjinaturës. “Për sa i takon gjendjes së akseve rrugore në zonën e Shkodrës, i pakalueshëm është vetëm aksi i rrugës për në fshatin Obot, ndërkohë të kalueshme vetëm për mjetet e larta janë akset rrugore nga kthesa e Dajçit deri tek ura e Shirqit, aksi rrugor i Gorricës dhe aksi rrugor Bërdicë-Velipojë tek ura e Gjo Luli”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Brendshme.
Shtabi i Emergjencave
KESH jep dhe të dhënat në shifra në lidhje me shkarkimet e ujit e kryera dje pasdite në hidrocentralet kryesore. Sipas KESH-it, në Fierzë, kuota e ujit në digë ka arritur 293.63 metra, prurjet e ujit janë 700 metër kub për sekondë dhe derdhjet e ujit nga portat e digës janë 350 metër kub për sekondë. Në hidrocentralin e Komanit, e ujit është 171.18 metra, prurjet 400 dhe derdhje 600 metër kub për sekondë. Në hidrocentralin e Vaut të Dejës, kuota është 74.50 metra, prurjet 180 dhe derdhjet e ujit janë 650 metër kub për sekondë. Në hidrocentralet Ulzë dhe Shkopet, kuota e ujit është 128 metra, prurjet janë 160 dhe derdhjet në Ulzë janë 100 dhe në Shkopet 200 metër kub për sekondë.

Basha në Shkodër, argjinatura për të shpëtuar Velipojën

Për situatën e krijuar në Shkodër pas reshjeve të shiut ka qenë dhe ministri i Brendshëm, Lulzim Basha, i cili pas takimit në Komitetin e Emergjencave civile në Prefekturën e Qarkut të Shkodrës ka vijuar inspektimin e tij në fshatin Ashtë të komunës Bushat, në argjinaturën e fshatit Ças, dhe në komunën Dajç. Gjatë inspektimit të tij, ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka deklaruar se aktualisht, situata është problematike, ndërkohë, nga ana e Komitetit të Emergjencave Civile, në bazë edhe të udhëzimeve të Prefektit të Shkodrës, po monitorohet hap pas hapi situata. Pas Ashtës, ministri i shoqëruar nga prefekti, Maxhid Cungu dhe deputetët e Shkodrës, Astrit Bushati, Arenca Trashani dhe Gëzim Dibra, kanë inspektuar edhe punimet në argjinaturën e fshatit Ças, ku mjete të ushtrisë, vazhdojnë punimet për përmirësimin e kësaj argjinature për të mbrojtur komunën Velipojë nga përmbytjet. Ministri ka kërkuar që të vazhdojë me të njëjtin intensitet puna për rikonstruksionin e kësaj argjinature. Gjithashtu ministri ka inspektuar edhe argjinaturën e fshatin Darragjat të komunës Dajç, e cilaw përbën ende një rrezikshmëri të lartë, që pas përmbytjeve të muajit janar. Ai ka kërkuar me domosdoshmëri dhe në urgjencë të plotë, që forcat e ushtrisë të përqendrohen në këtë argjinaturë e cila në rast çarjeje do të rikthente sërish përmbytje akoma më të mëdha në komunën e Dajçit.

Jaka dhe homologu austriak:
“100 mijë euro ndihma për Shkodrën”

Presidenti i Dhomës Federale të Ekonomisë së Austrisë, Kristog Laitl në një letër drejtuar kryetarit të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka ka deklaruar se "Këshilli i Ministrave të Austrisë ka rënë dakord të mbështesë Shqipërinë me ndihmë humanitare në shumën 100.000 euro". "Dëshiroj të shpreh simpatinë time më të thellë për popullin shqiptar në lidhje me përmbytjet e mëdha dhe emergjencën civile në Shqipërinë veriperëndimore", thuhet në letrën e Laitl. Laitl bën të ditur në letrën dërguar Jakës, se një numër kompanish austriake me reputacion të lartë kanë dhënë donacione në shuma të konsiderueshme parash, apo kanë ofruar donacione në formë ndihme ndaj viktimave të përmbytjeve dhe rikonstruksion infrastrukture. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës i është drejtuar homologëve të saj në vende të ndryshme të Evropës për të ndihmuar në rimëkëmbjen sa më të shpejtë të këtyre zonave dhe kthimin në normalitet të saj. Në fillim të muajit mars do të deklarohet gjitha shuma e mbledhur në euro në llogarinë e ngritur posaçërisht, e cila do të dërgohet pranë Shtabit të Emergjencës Civile.

Ky lajm është publikuar: 28/02/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›