Minatorët: Të ngrihet komision hetimor për koncesionet në minierën e Bulqizës
Minatorët e Bulqizës kanë vendosur të vazhdojnë protestat e tyre deri në arritjen e një marrëveshje me kompaninë ARC.
Në mbledhjen e sotme të komisionit të grevës është vendosur gjithashtu t`i kërkohet Kuvendit që të ngrihet një komision parlamentar për hetuar koncesionet në minierën e Bulqizës.
Komisioni ka vendosur gjithashtu që fëmijët e minatorëve të bojkotojnë mësimin pasi sipas tyre ata nuk kanë as veshje dhe as libra për nisjen e vitit të ri shkollor.
Ndërkohë minatorët e Bulqizës janë mbledhur sërish që në orët e para të mëngjesit para zyrave të ACR-së duke kërkuar plotësimin e kërkesave të tyre.
Ata kërkojnë rritjen e pagës 20-40 përqind, përmirësimin e kushteve të punës, investime në minierë dhe largimin e drejtorit të minierës.
Minatorët kanë deklaruar se do të vijojnë protestat deri në mbledhjen e Kuvendit dhe nëse nuk do të ketë një reagim pozitiv ndaj kërkesave të tyre, atëherë do të nisë greva e urisë.