E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët akuzojnë: Kjo nuk është Shqipëria që u premtua në Dhjetor të 1990

Nga Alfred Vicishta

Shqipëria dhe ne të gjithë bashkëatdhetarët që jetojmë jashtë vendlindjes i kemi drejtuar sytë tek Bulqiza heroike, ku minatorët janë futur në grevë për paga më të mira, me të cilën të kenë mundësi të ushqejnë familjen dhe kushte të sigurta pune. Kjo kërkesë minimale vellezërve të mij duhej tju ishte ploteëuar menjëherë. Por kanë kaluar 11 ditë dhe kemi vetëm heshtje të firmës sipërmarrëse, heshtje të qeverise, heshtje të deputetëve dhe heshtje të socialistëve. Gjendja e tyre shëndetësore sa vjen e bëhet më e rrezikshme dhe situata mund të dalë jashtë kontrollit. Keqardhja nuk mjafton për të përkrahur kërkesat e grevistëve, por duhet një solidaritet mbarëshqiptar, nga Kalimashi i Kukësit në Rubik të Mirditës, në Selenicë të Vlorës, në mbarë vendin. Ata burra nuk kanë hyrë në grevë vetëm për interesat e tyre personale, ata TRIMA kanë hyrë për të mbrojtur dinjitetin e shqiptarëve që po nëpërkëmbet nga firmat e huaja, të cilat po na mashtrojnë, vjedhin dhe tallin. Ata burra HERONJ akuzojnë Berishën e qeveritarët tanë të majmur që kanë shitur pasuritë e popullit. Ata MARTIRE po i tregojnë gjithë shqiptarëve se OPOZITA jonë mjerane është e pafuqishme për të mbrojtur interesat e këtij vendi. Ata minatorë të NDERSHEM akuzojnë politikanet tanë për papërgjegjësinë për fatet dhe të ardhmen e atdheut tonë, në të cilin po ndërtohet një kapitalizëm GJAKATAR dhe i pamëshirshëm. Ata burra të THJESHTE po i tregojnë tanë shqiptarëve se thika ka vajtur në palcë dhe se kjo nuk është Shqipëria që u premtua në dhjetor të viti 90. Nuk duhet ti lëmë vetëm këta djem dhe burra që po sakrifikojnë jetën e tyre për të na ndërgjegjësuar ne të gjithëve se ky sistem që po ndërtohet në Shqipëri nuk është aspak DEMOKRATIK. Sot kemi shansin e madh të trondisim themelet e këtij sistemi të korruptuar, të ndërtuar mbi shfrytëzimin e popullit të varfër nga një grup i vogël SHUSHUNJASH që po privatizojnë dhe gllabërojnë pasuritë kombëtare. Shqipëria nuk është as e Berishës, as e Ramës, atdheun tonë e kemi dhuratë nga të parët tanë dhe duhet tua lëmë trashëgim brezave që vijnë. Prandaj kanë hyrë vëllezërit tanë në grevë, për ti thënë ndal dorës gjakatare të 21 Janarit, dorës që vodhi votat e 8 Majit, dorës që i fali detin Greqisë, asaj dore që po mban peng integrimin e vendit në Bashkimin Europian. Ata kanë hyrë në grevë për tu thënë, ZGJOHUNI nga gjumi ju që e quani veten socialistë, se këtu po ndërtohet një shoqëri e frikshme. Vëllezërit e mi po kërkojnë të drejtat më elementare që i kanë të garantuara me Kushtetutë, që janë e drejta për të jetuar, punuar dhe rritur fëmijët, e drejta për të qenë të siguruar, e drejta për të gëzuar ca vite pensioni. Mos i braktisim ata shpirtra të vuajtur, por të solidarizohemi për të ndrequr padrejtësitë që po na bëhen. Shqipëria jone dhe Bulqiza ime është mbushur me duar që lypin dhe sy që vajtojnë, ndërkohë që ajo tokë e bekuar mban në gjirin e saj thesare të mëdha.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›