E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përse i duhej diktaturës “pushkatimi moral” i viktimave?

05-08-2011 / Nga Luan Myftiu

Edhe para pushkatímit të tyre diktatura u kërkonte viktimave të bëheshin spiunë. Pasi i torturonte, i tallte e i poshtëronte, në fund i detyronte të qëllonin njëra tjetrën. Pastaj i shpinte në breg të lumit dhe, pasi urdhëronte për “zjarr!” togën e pushkatimit, nuk i vriste. I kthente natën në qelí dhe u kërkonte me të “butë” të firmosnin për t’u bërë bashkëpunëtorë. Ndoshta prandaj, kur në një nga netët pa hënë, viktimat shihnin gjak në gjokset e tyre, “lumturoheshin” që kalvari i torturës kishte marrë fund. Komunizmi, i kënaqur, ruante me kujdes “deponimet” e tyre për t’ia treguar Historísë. Diktatura krenohej që kishte “pushkatua moralisht” bashkëkombasit e saj të pafajshëm. 
Po përse i donte të poshtër shqiptarët diktatura ? Përse më shumë se jetën, u lakmonte nderin e dinjitetin? Që të siguronte unitetin “partí-popull”? Apo që të flinte i qetë “qoftëlargu”? Të terrorizoheshin skllevërit e “lumturisë kolektive”? Apo që të përjetësohej pushteti i kriminelëve? Të mbaheshin si “burra shteti” xhelatët dhe hajdutët? Të poetizohej nga “shkrimtarët” krimi komunist duke u paraqitur si një fllad pranveror, që  pastronte nga pluhuri petalet e “parajsës” socialiste? Apo kështu, fuqizohej sistemi që klithi për lartësímin e njeriut? Kështu humanizohej  “ideali” i lirisë, që kultivoi terrorin? Kurse “luga e florinjtë” kështu niste të “besohej” nga sinqeriteti shqiptar. Ndërkohë, të degraduarit ndihmonin të poshtërohej Shqipëría. Prandaj “skllevërit” kapnin në kufí ata që kërkonin lirínë. Prandaj në shkolla nxënësit u bënin fletë-rrufé mësuesve të tyre. Prandaj vetëm duke u bërë të gjithë të poshtër, do të “lanin” turpet e diktaturës. Ndoshta, prandaj kush nderohej më shumë, çmohej si më i rrezikshëm. Se, vetëm kur spiunimi të bëhej epidemi sociale, do të qetësohej tirani skizofren. Prandaj predikohej se pabesia nuk ishte tradhtí. Prandaj “qoftëlargu” jepte “menynë” e bisedave, që duhej të bënin kuadrot në kafené. Pranda “çimkat” nisën të futeshin në abazhuret e kuadrove, që shfaqnin frymë liberalizmi. Kurse urrejtja e paarsyeshme u vlerësua si ndjenja më e lartë. “Autokritika” pranohej, kur “i padëshiruari” poshtëronte veten. Ç’të qe kjo? Mos, vallë, diktatura i pushkatonte viktimat moralisht, ngaqë njerëzit nuk po e kishin më frikë vdekjen?  Prandaj, vallë, nisi ta përdorte terrorin me “zig-zake”? Prandaj “zbutej”, tek dëgjonte të thoshin për kë vdiste: “shpëtoi!” Dhe ashpërsohej, kur të pikëlluarve u dhimbsej jeta dhe shprehnin keqardhje ndaj të dënuarve pa faj. Se, më tepër nga çdo gjë, diktaturën e shndërronin në bishë heronjtë. Ata që, dhe para plumbit, e pështynë atë në fytyrë. Prandaj diktatura mendonte ç’të bënte me sypatremburit! T’i nxirrte nga “varret” e t’i ripushkatonte? Jo! Se kështu i lartësonte, i bënte heronj! Se aktet e tyre heroike atëherë do të fëshfërínin si fllad liríe. Ndaj më mirë të forcohej terrori! Më mirë të detyroheshin të ndershmit të pranonin fajësí të paqena. Se, vetëm kur viktimat të përbuzeshin dhe nga fëmijët e tyre, do të ndihej vërtet e kënaqur diktatura. Do të lumturohej, kur njerëzit të mos u shkonin të afërmve në burgje. Kur të izoluarit të mësonin vetëm nga gjykatat për shëndetin e fëmijëve, të nënave, vëllezërve e motrave të tyre. Prandaj diktatura gëzohej kur vrisnin veten viktimat, kur çmendeshin të poshtëruarit prej saj. Oh! Sa kënaqej ajo hienë, kur i detyronte kundërshtarët të dëgjonin leximin e “veprave” të tiranit! Sidomos pjesët ku “kuçedra” porosiste se si dihej të mbaheshin armiqtë në punët më të rënda. Po,        vallë, a po çmohen sot këto instinkte barbare si poshtërsí të komunizmit? A po u rëndojnë si akuzë xhelatëve të saj eshtrat e pagjetura të viktimave të zhdukura? Se diktatura tërë kohën pati frikë dhe nga kufomat e martirëve, nga vaji i nënave, nga rrobat e zeza të grave të tyre! Kurse ajo e çmonte sa më lart “pushkatimin moral” të viktimave. Dhe jo vetëm firmosjen e një “deklarate”, të qëndisur prej hetuesve të saj të poshtër. Jo! Ajo “Pushkatim moral” vlerësonte edhe ndalimin për t’i shkuar vëllait në varrim, a për të përçmuar haptas në gostí mikun. Se, a nuk qe vërtet “pushkatim moral” për një nënë, kur nuk i dilte te hekurat e burgut i biri i çmendur nga ligësitë e hetuesive! Kur mohohej një nënë që, për t’i vajtur të birit në burg, i qe dashur të kapërcente një mal me pasoja! 
Po! Po! Diktatura ka shumë mëkate! Ndoshta, hija e mizoríve të saj nuk na lë sot të vëllazërohemi. Ndoshta, mentaliteti i saj barbar frymëzon sot Ramën t’i trajtojë deputetët e vet si “pengje”, që duhet t’i shërbejnë ambicies së tij të pangopur dhe autoritetit të tij të munguar. Por... kohët kanë ndryshuar. Se, përmbi cinizmin e djeshëm komunist, mbi bojkotet dhe bllokimet e reformave, mbi poshtërímin e shqiptarit dhe mbi akuzat e paqena të neo-bllokmenëve; madje, dhe mbi prishjen e qëllimshëm të imazhit të Shqipërísë, a mbi përjashtimet e padrejta të atyre që po guxojnë të ngrenë sot zërin kundër bojkotit, etj, po ngrihet vigane ëndrra europiane e një kombi, që s’u përkul as para plumbit të diktaturës! Megjithatë, “pushkatimi moral”, që diktatura i bëri shqiptarit, nuk do t’u falet xhelatëve të komunizmit! Prandaj është bërë i domosdoshëm dënimi i krimeve të komunizmit. Prandaj duhet sot integrimi në familjen europiane! Ndryshe, nëse xhelatët nuk pendohen për gjëmat, brezat që do të vijnë, kanë për t’i mallkuar në jetë të jetëve. Dhe jo aq për mizoritë dhe grabitjet, për izolimin dhe mungesën e lirísë, sa për ato “pushkatimet morale”, që këta xhelatë u bënë vëllezërve të tyre të një gjaku dhe për atë depersonalizim të pafalshëm, që i shkaktuan kombit të tyre, madje, deri në shkallën që nuk do të guxonte t’ia bënte as pushtuesi i huaj, më mizor e më i degraduar, që ka parë në tërë Historínë e vet populli ynë!

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›