E Diel, 1 Nëntor 2026

Leksioni norvegjez mbi dhunën dhe demokracinë

05-08-2011 / Nga Eric Maurice (presseurop.com)

Kambana e alarmit kumbon prej një vendi që askush nuk e kishte çuar nëpër mend. Sulmi vrastar i kryer nga Anders Brejvik në 22 korrik vë tashmë në diskutim çështjen e jehonës së këtij alarmi në gjithë hapësirën evropiane, në një kohë kur Norvegjia shihej si vendi më pak i prekur nga prirjet ndryshuese që pësonte pjesa tjetër e kontinentit. Në një pozicion gjeografik në periferi të kontinentit, norvegjezët banojnë në një vend me rezerva të bollshme nafte, administrimi i të cilave u siguron atyre një jetë më të begatë madje edhe krahasuar me fqinjët e tyre. Për të munguarën e skenës evropiane, Norvegjinë, e cila ka kundërshtuar dy herë t’i bashkohet BE-së (që gjithsesi ajo është pjesë e Zonës Shengen dhe BEE-së) është folur pak dhe zor se i ka rënë kujt në vesh se, qysh prej vitit 2009, nëpërmjet “Partisë së Progresit” së udhëhequr nga Siv Jensen, e djathta ekstreme norvegjeze është partia e dytë më e madhe në vend. 77 viktimat e Anders Brejvikut e lidhën Norvegjinë me pjesën tjetër të Evropës. Në Itali e Francë, ku pati edhe disa të figura të rëndësishme të politikës që u orvatën të justifikojnë veprimet e vrasësit, respektivisht “Lega Nord” dhe “Fronti Nacional”, të dyja këtyre forcave politike që po zgjerohen gjithnjë e më shumë elektoralisht, u duhet të provojnë se, së paku për momentin, mësymjet e tyre të pareshtura të ndërmarra kundër Islamit dhe multi-kulturalizmit nuk përputhen me dhunën e verbër. Në Holandë, udhëheqësi më i përkëdhelur mediatikisht i “Partisë së Lirisë”, Geert Wilders, pa të cilin qeveria holandeze nuk do të mbahej më këmbë, po e ndjen veten në trysni të paparë, për shkak se vrasësi 32-vjeçar e pati lavdëruar publikisht në manifestin e tij prej 1500 faqesh, që tashmë gjendet i publikuar në Internet. Përgjatë shtatë viteve të fundit, rritja e peshës politike e partive populiste dhe atyre të ekstremit të djathtë ishte vlerësuar si një prirje kontinentale, e ndikuar kjo edhe nga rrethanat ku gjendeshin vendet, ndërkohë që thuajse askush nuk po kërkonte të gjente zgjidhjen e duhur të problemeve të krijuara. Me tragjeditë e ndodhura në Oslo e Utoja, këto parti po përpiqen të shfaqen më të përgjegjshme, pasi kërcënimi i dhunshëm i partive të ekstremit të djathtë ndihej kudo dhe në të njëjtën mënyrë. Ky kërcënim, për një kohë të gjatë i anashkaluar nga shqyrtimi i shërbimeve sekrete të vendeve përkatëse, të cilat ishin përqendruar sy e veshë te kërcënimet që vinin nga Al Kaeda, duhet marrë seriozisht si në Evropë ashtu edhe më gjerë. Lëvizjet radikale dhe neonaziste njihen si organizma që veprojnë sa hap e mbyll sytë. Por gjithsesi duhet bërë kujdes që të mos futet gjithçka në një thes, një metodë kjo e parapëlqyer nga populistët dhe ekstremistët. Veprimet e Anders Brejvikut janë në të njëjtën kohë edhe pjesë e marrëzisë së tij vetjake, e zakonshme kjo për mendësinë e ekstremistëve dhe terroristëve të të gjitha kulturave, besimeve fetare apo prirjeve politike. E nëse Geert Wilders-i, Marine Le Pen-i, Heinz Christian Strache në Austri apo Siv Jensen në Norvegji, korrin më shumë vota në fushatat zgjedhore, kjo do të thotë se janë më të aftë për të prekur telat e zemrës së votuesve të vendeve të tyre. Reagimi ndaj tyre, edhe në rrafsh Evropian, duhet dhënë vetëm në rrugë dhe me mjete politike. Kjo kërkon gjetjen e përgjigjeve të duhura për votuesit e pakënaqur, duke ofruar ide e njëherazi duke vepruar në kohë në lidhje me politikat e emigracionit, bashkëjetesës ndërmjet kulturave të ndryshme, globalizmit apo ndaj krizës së papunësisë, ashtu si edhe për gjetjen e drejtpeshimit të duhur mes pushtetit ekonomik dhe atij politik. Edhe në lidhje me këtë sfidë që na erdhi prej Norvegjisë, zgjidhja e saj na vjen po nga Norvegjia, aq më tepër prej gojës së kryeministrit të vendit Jens Stoltenberg: “Reagimi ynë ndaj dhunës do të jetë me më shumë demokraci”.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›