Replikë për komentet e shkrimit Aleanca e urrejtjes!
Të presupozosh se me që Iliri është minoritar është grekofil, është fanatizëm dhe fanatizmi i çdo ngjyre është më i rrezikshëm se një emër.
Po ju drejtohem ju të dashur lexues që keni shprehur vetveten duke komentuar për artikullin e Ilir Paços! Mendoj se e keni gjykuar këtë shkrim duke pasur para sysh emrin e autorit dhe jo përmbajtjen e shkrimit. Kam përshtypjen e fortë se po të ishte emri Bledi Mane apo Klodian Lula në vënd të Ilir Paço nën të njëjtin titull, mendoj se komentet tuaja do të ishin diametralisht të kundërta me ato që keni shkruar. Të mos jesh dakord me autorin dhe të sjellësh argumente për çfarë ai shpreh në artikull është një gjë. Të hidhesh në sulm absurd sepse ai shpreh një opinion dhe sepse është i quajtur Ilir Paço është një gjë tjetër. Fakti që prindërit e kanë emëruar Ilir duhet t’ju tregojë ju diçka, dhe fakti që ky djalë s’e ka ndryshuar emrin e tij të parë (një nga argumentet e tij që një emër nuk mund të ndryshohet aq lehtë), megjithëse ka kombësi greke, duhet t’ju tregojë juve edhe më shumë. Emri i një njeriu apo qyteti shpreh kush ky njeri është, e çfarë historie një qytet ka. Ka tendenca në Shqipëri që të atakohen myslimanët dhe janë shprehur opinione që myslimanët të ndryshojnë emrat e të marrin emrakatolikë? Po para emrave katolike çfarë emrash kemi patur ne shqiptarët? Se i bije sipas kësaj logjike që gjëja tjetër logjike është të kthehemi tek emrat ilirë këtu e 1500 vjet më parë sepse ky është në të vërtetë identiteti ynë si shqiptarë. Do tju pëlqente katolikëve ideja që dikush të ngrihej me teorinë e emrave ilire e tju thoshte keni tradhtuar identitetin Ilir e jeni kthyer në katolikë italianë këtu e 15 shekuj më parë? Është shqiptarizëm kjo mënyrë e zgjidhjes së problemeve?
Të luftohet fanatizmi, qoftë ky i fesë myslimane, katolike, apo të krishterëve ortodoks është një gjë, por të stigmatizosh një grup të tërë të popullatës shqiptarë siç po bëjnë shumë autorë me origjinë myslimane apo katolike sepse ata janë myslimanë apo mbajnë emra myslimane, apo të quash kaur një bashkatdhetar sepse është i një feje të krishterë, apo të presupozosh se me që Iliri është minoritar është grekofil, është fanatizëm dhe fanatizmi i çdo ngjyre është më i rrezikshëm se një emër. Të kërkosh që të ndryshohen emra, do të thotë të ndryshosh identitetin e një personi apo të një kombi. Emri i kujtdo është i lidhur me identitetin, kur një qytet apo person njihet brezi pas brezi me një emër apo mbiemër, dhe kur ti e shqipton atë emër të krijon menjëherë në tru elemente të historisë të lidhura me atë qytet apo karakteristika të veçanta. Kjo të thotë të kalosh në absurditet nacionalist.
Të mundohesh të shpjegosh se meqenëse varret e vjetra në Korçë kanë mbishkrime greke, Korça është greke është të ndryshosh faktet. Të mos të analizosh se në atë kohë që janë krijuar ato varre, shqipja sishte një gjuhë e shkruar, dhe kultura tregtare korçare e kohës pati ndikimin e saj në kulturën e përgjithshme të qytetit të Korçës dhe qe në një farë mënyre si një «shpëtim» për të shmangur ndikimin turk, është ti shërbesh nacionalizmit ekspansionist grek. Të bësh përpjekje të ndryshosh emrin e Korçës apo të ndonjë qyteti tjetër, kjo është të ndryshosh historinë. Kjo është diçka që duhet të na shqetësojë.
Këto janë gjëra në të cilat ne duhet ta fokusojmë energjinë dhe jo të sulmojmë një djalë të ri që thjesht po shpreh një opinion sepse ka një emër me origjinë greke. Nuk është mbiemri Paço që karakterizon Ilir Paço, është esenca e tij si njeri që përcakton kush është e çfarë ai ka në zemër. N.q.s ne arrijmë në atë pikë që të shohim njerëzit për atë çfarë janë dhe çfarë bëjnë, dhe jo pse njëri ka mbiemër katolik, tjetri ortodoks, një tjetër mysliman, çam, apo me prejardhje greke.
Artikulli i Ilir Paços, është një artikull me shumë brumë dhe intelektual ku autori thjesht shpreh mendimet e tij. Nuk vura re urrejtje në atë shkrim, thjesht opinione të shëndetshme. Unë kam lexuar shumë komente të mëparshme tuajat të dashur komentues ku çfarë nuk keni thënë për Spahiun dhe AKZ, por meqenëse Paço “guxoi” të thotë atë që ju keni shprehur më parë apo mendoni edhe këtë çast, ju u hodhët mbi të si çakej. Përmbani veten të dashur lexues! Rifokusoni energjitë tuaja! Paço është shqiptar si ne, ai është rritur në Shqipëri, pavarësisht që është me prejardhje greke, fakt që ai s’e mohon dot, POR NUK E KA NDRYSHUAR KOMBËSINË SI SHUMË TË TJERË që s’janë fare me origjinë greke.
Mbase ai sduhet të kish përdorur termin Urrejtje në titullin e artikullit të tij, por komentet tuja janë tendenciozë dhe pa baza, pa i dhënë këtij djali të ri meritën e duhur për artikullin që shkroi. Urrejtjen që keni për grekët që përfaqësojnë megaloidhenë shpreheni atje ku duhet, por mos përdorni Paçon si karrem për të shprehur dufin që keni kundër magalomanëvë grekë. Nuk futen të gjithë njërzit në të njëtin thes. N.q.s. dikujt nuk do ti pëlqente të stigmatizohej si «shqiptar» në Greqi, Itali, apo kudo qoftë, ashtu edhe ju mos e damkosni Paçon si grekofil. Po të kishte në shpirt Greqinë, nuk do të ishte në mes të Tiranës të punonte për Top Channel, stacionin tuaj më të preferuar, por do të shkruante në ndonjë gazetë të Athinës kundër Shqipërisë.
Jeni tolerantë të dashur bashatdhetarë! Shikojini njerëzit për ç’ka janë.
Edhe një herë, lexojeni artikullin sikur emri i autorit të ishte Bledi Mane, apo Klodian Lula, reflektoni, dhe mendoni se çfarë do shkruanit për koment për të njëjtin shkrim.
