E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reminishencat e socialistëve të Edit me Brigadat e Kuqe

05-08-2011 / Nga Kostaq Xoxa

Historia e Brigadave të Kuqe në Itali, Gjermani, Uruguaj... ka disa ngjashmëri të forta me obstruksionizmin radikal të së majtës së Edvinit në vendin tonë. Natyrisht ndeshemi edhe me disa dallime, të cilat duhen venë në dukje. Gjithkush që ka lexuar diçka për Brigatat e Kuqe, ka vënë ré fjalën e përsëritur “ekstraparlamentare”. Asnjëri ndër brigadistët nuk ka qenë parlamentar, Ata ishin armiq të parlamentit dhe të institucioneve demokratike. Edhe opozitarët tanë, ndonëse një pjesë parlamentarë, janë të detyruar të jenë armiq të parlamentit. Një veçori tjetër e përbashkët është shantazhi politik, që në vendin tonë mund të marrë përcaktimin e kushtëzimit. Kjo do të thotë se konsensusi ndërmjet palëve duhet të katandiset në një peng për arritjen e marrëveshjes. Në rastin e Brigadave, pengu merr një konotacion konkret: grabitet kundërshtari dhe do të lirohet nëse....  Në rastin e opozitës sonë me kryeopozitarin Rama, pengu shprehet paksa më ndryshe. Që të zgjidhet ngërçi kërkoj ndërhyrjen në kushtetutë. Apo... mund të jemi “konsensualë”, por, amá, ... me kusht që të... të më jepet mandati i kryebashkiakut në tavolinë!
Këtu duhet të kemi parasysh dallimet ndërmjet konsensusit dhe ngërçit. Ky i fundit ka abuzivizmin subjektiv përbrenda. Dhe zgjidhja kondicionohet nga një lëshim i njëanshëm.
Do të shtohet se veçori e përbashkët ndërmjet organizatave brigatiste dhe opozicionit tonë është edhe aventurizmi. Aventurierë të gjithfarshëm janë të pranishëm edhe në BR-të, (emër i shkurtuar i Brigadave të Kuqe), me militantizmin ekstrem të tyre, siç janë edhe të rekrutuarit tanë me hir apo me pahir (në rastin e kontingjenteve bashkiake të Ramës, të kërcënuar me humbjen e punës për mosbindje), që kanë marrë emërtimin e militantëve të çakërdisur të rrugëve, apo të rrëmujaxhinjve rrugorë. Shpesh ajo fjala “rrugorë” është shndërruar paksa, në mënyrë ironike, në rrugaçërorë.
BR-të në Itali ishin një organizatë terroriste e ekstremit të majtë. Opozitarët tanë të Ramës, ata që bllokojnë rrugët e që djegin gomat asfalteve, i përkasin gjithashtu së majtës sonë të skajshme. Vetëm se ata të Italisë vareshin nga shumë krerë, sipas kolonave. Disa nga shefat ishin: Renato Kurçio, Margarita Kagol, Mario Moreti, Valter Alázio, Piero Bertolaci, Valerio Moruçi. Tanët drejtohen nga Edvini, dhe vetëm nga ai, që është një ambicioz gjer në delir në arrivizmin e tij patologjik. Ngjarja më e bujshme e brigatistëve  ishte grabitja e kryetarit të partisë demokristiane italiane, Aldo Moros, në vitin 1978. E gjithë eskorta e Moros u vra gjatë grabitjes. Moron e ekzekutuan më 9 maj të vitit 1978. U festua si një fitore e terrorizmit. Por dardha e kishte bishtin prapa. Pas kësaj vrasjeje filluan dezertimet e shumë brigatistëve dhe grindjet e brendshme e gërryen përbrenda aksionin revolucionar, që kishte humbur edhe mbështetjen popullore. Terroristët u arrestuan njëri pas tjetrit dhe viti 1980 shënoi rënien e dhe shuarjen e kësaj lëvizjeje shkatërrimtare për fatet e demokracisë në Itali. Një analogji për pikun e agresivitetit mund të bëhet edhe me opozitarët tanë të Ramës, të organizuar, të porositur dhe të instruktuar për një mësymje spektakolare në selinë kryeministrore, më 21 janar të këtij viti.. Të gjithë shikuesit e lajmeve on line e panë sesa e dhunshme ishte kjo demonstratë. Panë edhe sesa të durueshme ishin forcat e policisë dhe të gardës për 90 minuta. U arrit gjer te shpërthimi i portës së hekurt të kangjellave, në mësymje me automjet. Dhe ç’mbetej më tepër? Të hynin brenda në kryeministrí? I vetmi që mund ta bllokonte punën gjer këtu, sa pa u bërë situata “e pakontrollueshme”, ishte ai që e kishte gatuar këtë çorbë, Edi Rama. S’e bëri. Madje një ditë më parë, më datën 20 kishte paralajmëruar se “situata do të dilte jashtë kontrollit”. Ashtu ndodhi. Më tej është e tepër të flitet. Këtu jemi para një provokimi. Ishte një incident i përgatitur  për ta pasur si argument propagandistik për zgjedhjet e 8 majit. Përfundimi është se, sikundër, pas kulmit të parabolës së brigatistëve me vrasjen e Moros, guerilasit u gjendën në një degradim pa rrugëdalje, ashtu edhe Edvini, pas dështimit të 21 janarit dhe, më tej, të zgjedhjeve të 8 majit, u gjet vetë në një gjendje dëshpëruese: lëvizja kundër tij, përbrenda partisë, mori një hov të ri dhe autorin e ngërçeve të njëpasnjëshme e pret po ajo e ardhme që pamë në të majtën ekstra-parlamentare italiane.
***
Një analogji tjetër është edhe nihilizmi dhe përbuzja në parullat dhe në propagandë. Kudo shihet zi dhe mjerim. Të varfrit dhe të shfrytëzuarit nga multinacionalet (me urrejtjen ndaj SHBA-ve) janë motive qendrore në BR-të. Por edhe te ne të varfrit dhe mjerimi ekonomik janë bërë një shqetësim nihilist i instrumentalizuar, duke “harruar” se listat e bukës e të ushqimeve kanë zënë fill, bash në atë tetëvjeçarin e skamjes (1997- 2005), të mallkuar me zë ulëritës nga Edvini, në radhë të parë. (“E kemi me hak humbjen elektorale!”). Siç flitet në tonet mohuese, në kundërshtim me aspiratat demokratike ashtu edhe, nga ana tjetër, flitet për suksese të imagjinuara, për njëfarë triumfalizmi të rremë, si në brigadat, ashtu edhe në retorikën propagandistike të opozitës sonë. Euforia dhe ekzaltimet e shfrenuara janë tipare të përbashkëta të të dy dukurive që po merren në shqyrtim. Në zgjedhjet tona, për shembull, Edvini bëhet i jashtëligjshëm kur me një 10 -votësh plus, bën sikur është i kënaqur dhe e quan “fitore historike” këtë rezultat në rrugë e sipër, jo përfundimtar, jo të shpallur nga institucionet ligjore zgjedhore, përjashtues i zërit të shumicës absolute votuese. 
Në mënyra autoritariste, BR-të sollën dëme në uzinat dhe në ndërmarrjet e mëdha (Sit Siemens në Milano, Fiat në Torino, etj.) ; por edhe bllokuesit tanë të rrugëve dhe të bulevardeve nuk qenë më pak zvarritës në kahen e pengesës së progresit të gjithmbarshëm të forcave politike demokratike në qeverisje. Mirë që ligjin e lustracionit dhe ruajtjen e kujtimit të diktatorit në një piramidë jofunksionale duan ta mbajnë në eficiencë të nostalgjisë anakronike, por me ligje me interes të përbashkët, që sjellin të ardhura të fuqishme për vendin, ç’kanë? Ka ligje që kërkojnë votim të cilësuar (me 2/3-at), që janë me leverdi të përbashkët, pa dallime partiake. Përse janë bllokues edhe në këto raste? Apo një byrek që s’është për mua le të digjet në furrë!
Por kemi edhe diferencime: BR-të veprojnë me një bashkësi të madhe veprimtarësh, pa pasur një kryetar të përcaktuar. Në Itali Brigadat e Kuqe, të ndara në kolona, në qytetet më të industralizuara të veriut, si në Milano, në Torino, në Gjenovë, në Venecje e gjetiu, kishin veprimtarë të shumtë në krye të këtyre kolonave, si Mario Moretin, Valter Alazion, Piero Bertolaçin, Valerio Moruçin e shumë të tjerë. Në Shqipëri kemi një kryetar rrëmuje, dhe vetëm një. Në Itali klasa punëtore ishte e shumtë, si një vend me industri të fuqishme (vendi i gjashtë në botë). Në Shqipëri “klasa punëtore” ishte vetëm “pro forma”, për propagandë se paskëshim edhe né një klasë hegjemone e cila, në të vërtetë, kishte vetëm lavdet, se industria jonë ishte sa për të thënë! Punëtorët tanë, në një ekonomi të mjeruar, ishin në kushte të vështira ekonomike, si i gjithë populli. Hapnin gazetat me ushqimin e talonave, në pushimin e drekës, si e gjithë masa e popullit. Dhe propaganda euforike e diktaturës, këtë gjendje e shpallte lulëzim ekonomik!
Thamë në fillim të këtij shkrimi se Brigadat e Kuqe quheshin nga mediet demokratike “ekstraparlamentare”. Po opozita jonë a është ekstraparlamentare? De jure, jo. De facto, po! Është jashtëparlamentare, sepse është nën komandë të jashtëkohshme nga një njeri i vetëm, që nuk i bën apel arsyes racionale, por instinkteve të depravuara të tij.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›