Minatorët dhe ACR-ja pritet të takohen sot në Tiranë
Vijon dita e 19-të e grevës së urisë së minatorëve të Bulqizës ndërkohë që sot pritet që të arrihet një marrëveshje mes minatorëve dhe kompanisë ACR.
Ditën e djeshme sindikata e minatorëve ra dakort të takohen sot në orën 12:00 me përfaqësuesit e "ACR" për të firmosur marrëveshjen. Minatorët ranë dakort të vijnë në Tiranë, me kusht që marrëveshja të firmoset në ministrinë e Punës.
Kreu i Konfederatës së Sindikatave, Kolë Nikolla theskoi dje se minatorët do të presin përfaqësuesit e ACR-së në ministrinë e Punës për të nënshkruar një marrëveshje, që do të jetë pjesë e kontratës kolektive që ka lidhur kjo sindikatë.
Sipas tij nëse do të nënshkruhen kërkesat e vendosura nga minatorët, atëherë do të nisë menjëherë puna në minierën e Bulqizës, në të kundërt nëse nuk do të arrihet marrëveshja Nikolla njoftoi se do të futen në grevë urie 700 minatorë të tjerë.
Minatorët kërkojnë rritje page në masën 40%, përmirësim të kushteve të punës, ulje të moshës së daljes në pension dhe largimin e përfaqësuesit të kompanisë ACR.