Minatorët e Bulqizës, sot dita e 6-të, e grevës së urisë

Minatorët e Bulqizës kanë bllokuar portën kryesore të kompanisë koncesionare “ACR”, ashtu siç kishin paralajmëruar 3 ditë më parë, në shenjë proteste për të plotësuar kërkesat e tyre. Ndërsa sot vijon dita e 6-të, e grevës së urisë së 10 minatorëve, 4 prej tyre mësohet se kanë paraqitur shenja të komplikuara shëndetësore.
Kështu, pas përkeqësimit të situatës kanë mbërritur mjekë nga spitali rajonal i Bulqizës, të cilët kanë ndërhyrë me ndihmën e parë mjekësore, ndërsa kanë dhënë alarmin se ndërhyrja duhet të vijojë në ambientet e spitalit. Nga ana tjetër, minatorët nuk kanë pranuar të dalin nga greva deri në plotësimin e kushteve të tyre, pavarësisht gjendjes së tyre të rëndë.
Ndërkohë, kreu i Konfederatës së Industrisë, Taf Koleci ka deklaruar se ditën e hënë, pritet të ketë zhvillime të reja në Bulqizë, por nuk ka dhënë detaje lidhur me këtë deklaratë. Greva dhe protesta e minatorëve të Bulqizës vijon, pasi ende nuk është arritur një marrëveshje mes tyre dhe kompanisë “ACR”.
Kjo kompani, ka deklaruar se i ka pranuar të tëra kërkesat e minatorëve, si rritjen e pagës me 20 për qind, pagesën e plotë të një muaji greve, pagën e 13-të, nisjen e investimeve për përmirësimin e kushteve në minierë dhe të sigurisë në punë. E vetmja kërkesë, e pa plotësuar vijon të mbajë peng zgjidhjen e situatës në Bulqizë është largimi i drejtorit të minierës, kërkesë kjo e cila nuk pranohet nga kompania.