Operacioni anti-drogë, policia arreston 3 persona

Policia e Shtetit në kuadër të një operacioni anti-drogë ka arrestuar 2 shtetas shqiptarë dhe një turk. Operacioni është zhvilluar në qarkun Korçë dhe Tiranë, ku dhe është bërë i mundur arrestimi i këtyre tre shtetasve, të cilët akuzohen për mbajtje dhe trafikim të lëndëve narkotike. Në kuadër të këtij operacioni, policia ka sekuestruar 3 kg e 400 gramë lëndë narkotike, të dyshuar heroinë.
Zëdhënësja e Policisë së Shtetit, në një deklaratë për shtyp, ka deklaruar se është bërë e mundur kapja dhe arrestimi i 38-vjeçarit Edmond Bërxhani, i dënuar më parë për falsifikim të dokumenteve, kapja dhe arrestimi i 21-vjeçarit, Abdullah Kili i dënuar më parë për shitje e mbajtje të lëndëve narkotike. Po ashtu në kuadër të këtij operacioni anti-drogë, policia ka kapuar dhe arrestuar shtetasin turk, Vehbi Alioglun, me banim në Tiranë.
“Forcat e policisë organizuan punën për kapjen në flagrancë të këtyre shtetasve, të cilëve iu gjet 3 kg e 400 gramë, lëndë narkotike e dyshuar e llojit heroinë. Operacioni është zhvilluar në qarqet Korçë e Tiranë. Dje në pikën kufitare të Kapshticës është ushtruar kontroll në automjetin e drejtuar nga Edmond Gërxhani, të cilit iu gjet dhe sekuestrua 2 kg lëndë narkotike e dyshuar heronië. Gjatë kontrollit të ushtruar në banesën e tij, u gjet e sekuestrua një pistoletë tip zastava, të cilën ky shtetas e mbante pa leje”, informoi zëdhënësja.
Ndërsa 2 personat e tjerë janë arrestuar në Tiranë, ku dhe iu sekuestrua një kilogramë heroinë. Sipas zëdhënëses se policisë, 3 shtetasve iu sekuestruan 3 kg e 400 gramë lëndë narkotike, armë zjarri zastavë, aparatë celularë dhe automjeti ku u gjet lënda narkotike.