E Diel, 1 Nëntor 2026

Regjistrimi i Popullsisë, PDIU: Amendimet tona shmangin abuzimet

TIRANE- Kryetari i PDIU-së Shpëtim Idrizi, deklaron se zbatimi i amendamenteve të propozuara nga partia e tij në ligjin për regjistrimin e popullsisë, ndalon abuzimet. Deklarata erdhi gjatë një takimi me të zgjedhurit lokal të partisë ku Idrizi e konsideroi regjistrimin një proces politik dhe jo teknik.

“Sulmi i orkestruar nga qarqe të caktuara greke kundër këtyre amendamenteve, vuri në pah se këto amendamente janë i vetmi mjet për të ndaluar abuzimin me regjistrimin e popullsisë”- tha Idrizi gjatë një takim me të gjithë këshilltarët e saj të zgjedhur në nivel lokal.

“PDIU vijon të jetë tërësisht kundër regjistrimit mbi baza etnike dhe fetare”- tha Idrizi duke theksuar se do të vazhdojë betejën politike dhe qytetare për të garantuar nëpërmjet kontrollit parlamentar zbatimin e këtyre amendamenteve, si i vetmi instrument legal që të shmanget abuzimi.

Në këtë takim PDIU shpalosi programin politik që do të ketë kjo parti në pushtetin vendor. Gjatë këtij aktiviteti u prezantua edhe hyrja në PDIU e analistit dhe politologut, Adri Nurellari, i cili prej ditës së sotme është pjesë aktive e partisë.
(s.g/Balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›