E Diel, 1 Nëntor 2026

Minatorët e protestave dhe minatorët e kongreseveNga Luftim AhmetajNë datën 12 nëntor 2009, Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, “Janar 1991”, në vazhdim të luftës së saj të gjatë e të dhimbshme për të drejtat e minatorëve, ndërmori një protestë shu

Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.

Minatorët e protestave dhe minatorët e kongreseveNga Luftim Ahmetaj

Në datën 12 nëntor 2009, Sindikata e Minatorëve të Shqipërisë, “Janar 1991”, në vazhdim të luftës së saj të gjatë e të dhimbshme për të drejtat e minatorëve, ndërmori një protestë shumë të tensionuar para Kryeministrisë me përfaqësues të të gjitha rretheve duke paralajmëruar se, në qoftë se qeveria do të bënte shurdhin edhe kësaj here, atëherë rruga para Kryeministrisë do të bëhej vendi i flijimit të mjaft minatorëve. Qeveria e frikësuar nga vrulli dhe këmbëngulja e minatorëve caktoi ministrin e Shtetit, Pollo, që të hynte në negociata me minatorët.

Një grup pune i përbashkët në ditët në vijim do të diskutojnë “Statusin e Minatorëve”, pra projektin e përpiluar nga sindikata jonë dhe hartimin e një

projekti të mirëkuptuar nga të dy palët. Kuptohet që për ne minatorët lëvizjet nga parametrat e projektit të përgatitur nga ne do të jenë minimale, mbasi ato janë shumë të studiuara dhe të kopsitura mjaft mirë, sepse nuk janë bërë nën kujdesin makabër të ndonjë ish-këshilltari inkompetent ministror (të tipit Eduard Belegu), por janë hartuar nga njerëz me dashuri për jetën, për minatorët dhe punën e tyre.

Pa dashur të paragjykoj bisedimet që do të bëhen, kuptohet që nga një qeveri, e cila ka rreth 3 vjet, që nuk merr mundimin të bisedojë me një grup mjaft inkandeshent shoqëror si minatorët, por orvatet të gënjejë opinionin e brendshëm dhe të jashtëm me kukulla sindikaliste, të cilat i përdor vetëm si qen roje të karriges kushtetore dhe jo për zgjidhjen e problemeve të minatorëve halleshumë shqiptarë, nuk mund të pritet ndonjë rezultat kushedi se çfarë, por që kësaj here qeveria duhet të mendohet shumë, para se të mundohet të vazhdojë talljet e saj me ne.

Në këtë shkrim nuk kemi si qëllim të shpjegojmë strategjitë e bisedimeve me qeverinë, por kryesisht të merremi pak me veten, se, me sa shikoj unë, edhe tani ka një qasje të turpshme edhe brenda vetë komunitetit të minatorëve, që “njëri t’ia fusë gozhdës e tjetri patkoit”.

Sindikata e pushtetit PD-ist, kuptohet BSPSH (Bashkimi i Sindikatave të “Pavarura” të Shqipërisë) bën gjoja Konferencë Kombëtare me 1000 lekë e dy hamburgerë për çdo “delegat” dhe diskuton vetëm se si mund t’i shpëtojë korrupsionit galopant me pronat e ish-Bashkimeve Profesionale, madje duke marrë edhe poza të një trimërie të përmjerrë të të persekutuarit dhe nuk interesohet fare për gjendjen e minatorëve apo punonjësve të tjerë.

Kësaj sindikate i ka dalë boja kaherë dhe nuk ka lustraxhi që mund t’i bëjë derman ngjyrës, veprimtarisë përçarëse dhe tradhtisë madhore të saj, bërë në kurriz të punonjësve dhe veçanërisht minatorëve shqiptarë, kështu që të merresh më shumë me të sigurisht është humbje kohe dhe ne nuk e kemi me tepricë kohën, mbasi kemi mjaft punë të tjera shumë më të mira për të bërë.

Konfederata e Sindikatave të Shqipërisë, diçka në dukje më e latuar në raport me punonjësit, pasi në pushtet është PD e jo PS, por që edhe kjo, mbasi ka disa halle me pronat, të cilat ushqejnë krerët sindikalistë, ka merak punësimin e grave apo fëmijëve të krerëve sindikalistë, ka frikë nga inati i pushtetit, atëherë pikërisht ditën e protestës së madhe (të vendosmërisë së vetëflijimit) të minatorëve para Kryeministrisë për statusin e tyre, zhvillon në Tiranë në të njëjtën orë njëfarë kongresi, të paktën kështu na thanë, se për t’i parë s’i pa njeri, sikur gjëja më e rëndësishme për këta farë sindikalistësh të mos ishte Statusi i Minatorit, punësimi që i kërcënohet, pagat dhe jetesa e fëmijëve të tyre, por zgjedhja e njëfarë Kole, Tome, Dode apo Tafe në krye të “sindikatës”.

Ky lloj sindikalizmi, ku frika për mbijetesë e krerëve sindikalistë përbën esencën e tij, mund të jetë çdo gjë, por vetëm sindikalizëm ai nuk është, ky me plot gojën quhet sindikalizëm i dhjerë dhe për të nuk kanë nevojë punonjësit shqiptarë dhe aq më tepër minatorët trima.

Në Shqipëri të gjithë e dinë se ka shumë sindikata, ka shumë parti politike, por nga ana tjetër të gjithë e dinë se Shqipëria vazhdon të jetë në fundin e fundeve për sa i përket zhvillimit. Shumëllojshmëria sindikaliste është shumë herë më e rrezikshme për punonjësit sesa shumëllojshmëria pafund partiake, mbasi kësaj të dytës ke çfarë i bën dhe si ç’jemi dëshmitarë të gjithë, vetëm një Kod i ri Zgjedhor brenda një palë zgjedhjesh hodhi NOKAUT rreth 100 parti politike përnjëherësh, duke eliminuar dhe një tufë “udhëheqësish” që na ishin bërë ferrë nëpër këmbë për rreth 20 vjet.

Por sindikatat vazhdojnë të vegjetojnë akoma të tëra në dosjet e “krerëve” sindikalistë (dosjet blu PD-istët, dosjet e kuqe PS-istët), duke pritur se mos bie ndonjë thërrime nga sofrat e pasura të qeverive dhe nuk zhduken, mbasi mbrohen dhe përdoren nga qeveritë, sa herë ato kanë nevojë të mashtrojnë dhe gënjejnë punonjësit.

Rasti i fundit me minatorët e Konfederatës, me gjoja kongresin e tyre, ditën e protestës së madhe, ditën kur shokët e tyre kishin vendosur të flijoheshin para Kryeministrisë, tregon dhe njëherë esencialisht qartë, se çfarë pune të poshtër dhe të pistë kanë bërë krerët sindikalistë në Shqipëri këto 18 vjet.

Minatorët nuk kanë asnjë gjë për të ndarë, minatorët, para se të jenë sindikalistë, janë minatorë, ata kanë halle të njëjta, ata kanë vështirësi të njëjta, ata kërkojnë vetëm atë që i takon pa prekur shtresat e tjera shoqërore, ata nuk kanë kollare, pra

pak duhet t’iu besojnë kollarexhinjve, ata, e përsëris, janë minatorë dhe si të tillë duhet të jenë të bashkuar, në qoftë se duan të fitojnë. Mos dëgjoni shumë krerët e korruptuar të sindikalizmës së deritanishme, bashkohuni në aksion dhe jo në mbledhje

hamburgerësh. Nëse do të bashkohemi të gjithë, atëherë me siguri do të fitojmë statusin tonë, ndryshe të ndarë dhe copë-copë, edhe do të telikosemi më shumë, dhe nuk do të marrim dot asgjë. Atëherë, kushdo që do të shikojë këtë farsë të përçarjes, do të thotë me plot gojën: Këta pak e kanë. Dhe vërtet, po vazhduam kështu, pak e kemi që na e fut sistematikisht qeveria.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›