Paralelizmi Itali-ShqipëriNga Mitat ShuliVetëm pak ditë më parë Lubonja shprehej se Shqipëria është një fotokopje e keqe e Italisë. Besoj që patëm përshtypjen që tha atë që shumë nga ne kemi dashur të themi, kemi menduar apo kemi thënë duke pirë një
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Paralelizmi Itali-ShqipëriNga Mitat ShuliVetëm pak ditë më parë Lubonja shprehej se Shqipëria është një fotokopje e keqe e Italisë.
Besoj që patëm përshtypjen që tha atë që shumë nga ne kemi dashur të themi, kemi menduar apo kemi thënë duke pirë një kafe me dikë.
Të them të vërtetën këto ditë më kalonin në mendje shumë ngjashmëri midis dy vendeve.
Në të dyja vendet dëgjon të flitet e të shkruhet për të fundit deklaratë të Presidentit të Republikës për uljen e tensionit politik e bashkëpunim midis mazhorancës e opozitës dhe zbutjen e klimës politike.
Në të dyja vendet flitet e shkruhet për lirinë e medies dhe nuk mungojnë apelet e manifestimet në mbrojtje të lirisë së shtypit. Në të dyja vendet flitet për fshehje të realitetit e ditë të vështira.
Flitet për zgjedhje të parakohshme në Itali, sepse Berluskoni, përveç proceseve në vazhdim, përfshihet në të reja, sepse të paktën tre kapomafie tashmë në burg kanë bërë emrin e tij si ndërmjetës me mafien në vitet 90’, në Shqipëri flitet për zgjedhje të reja, sepse u manipuluan, u vodhën zgjedhjet e 28 qershorit.
Flitet për krizën ekonomike e vendet e punës që mbyllen përditë në Itali, ca më pak në Shqipëri, ndoshta sepse punë nuk kish as më parë, e ka më pak tani.
Jam plotësisht dakord me Lubonjën, me përjashtim të asaj që Italia deri në 1992 qenka qeverisur nga e majta, sepse Partia Demokristiane, ajo Socialiste, që qeverisnin e Partia Komuniste, përherë në opozitë, ishin të tria të majta.
Sigurisht që ngjashmëritë janë të shumta e mund të vazhdojmë sa të duam, por ajo që dua të theksoj është ndryshimi, diferenca që në këto ditë të fundit “fenomeni Berisha” vë në dukje.
Berisha përdori foltoren e parlamentit për të sharë liderin e opozitës, në një mënyrë që na bën të turpërohemi për kryeministrin që kemi, në asnjë vend demokratik kjo nuk do të ishte e mundur.
Me një fjalor prej rrugaçi ofendoi Edi Ramën si person, ofendoi familjarët e tij, gratë e burrat që i rrinë afër duke ofenduar e sharë mbarë Shqipërinë. Na ka sharë të gjithëve, sepse kryeministri duhet të dijë që shqiptarët nuk e paguajnë për të sharë, ofenduar e kërcënuar ata që nuk janë dakord me të, ata që më 28 qershor nuk e votuan (duke mos e votuar apo duke mos shkuar fare në votime), dhe që janë shumica dërrmuese në vend.
Nuk është hera e parë që ndodh, në internet mund të gjeni videon, në të cilën Berisha shan nga nëna e motra një deputet të opozitës dhe “zonja” Topalli iu drejtohet punonjësve të sigurisë: “Qitne jasht prej zhelesh kat rrugaç”, jo në drejtim të Berishës, por të... deputetit të opozitës që i habitur i drejtohet Berishës: “Mbush ti more?!”
Zonja Topalli u tregua në “lartësinë” e detyrës si garante e opozitës në parlament, por së pari si garante, mbrojtëse e përfaqësuese e grave shqiptare. Nuk dua t’i bëj gjyqin zonjës Topalli, por nuk mund të mos përmend edhe një tjetër fakt: vizitën e Berishës në Shkodër, ku Berisha në prezencë të fëmijëve e të zonjës Topalli, që duartrokiste, tha: “Do t’i them nja dy llafe më tepër unë sot”, e vazhdoi me fjalë të rënda përpara fëmijëve që duartrokisnin, që me siguri në çdo vend demokratik do të krijonin skandal e nuk mund t’i përsëris.
Në Itali rreth një muaj më parë Berluskoni në telefon ndërhyn në një emision televiziv, pasi po flitej për të dhe ndaj Rosy Bindi-t, eksponente e majtë, dhe thotë “Rosy është më e bukur sesa inteligjente”. Me siguri fraza të tilla janë të rënda, por janë vite dritë larg nga të sharat e Berishës. Nëpër gazeta, në televizion, internet u krijua një valë proteste që detyroi pas dy ditësh Berluskonin të kërkonte falje duke thënë që nuk e kishte me Bindin e që ishte thjesht një batutë “meshkujsh”. Meqenëse artikulli nuk ka për t’u botuar në Itali, po them më shumë, Rosy Bindi nuk është e martuar dhe nuk i fsheh thinjat e bardha, por askush nuk guxon t’i kërkojë llogari për jetën private, përderisa liria e saj nuk prek apo dëmton lirinë e të tjerëve.
Ajo që dua të them është se temat janë të njëjta, problemet e njerëzve, të demokracive, janë të njëjta. Diferenca qëndron te vrazhdësia, arroganca, tek intensiteti i toneve, i fjalorit, i trajtimit të kundërshtarit politik dhe të atij që të gjithë thërrasin popull, pa u identifikuar kurrë me atë të varfrin njeri, që askush nuk i jep punë, arsim dinjitoz, mjekim për të qenë, shpresë për fëmijët duke u kujtuar për të vetëm në prag të votimeve. Nganjëherë duke e kërcënuar.
Ajo që e bën Shqipërinë “fotokopje negative” të Italisë duket kaq qartë këto ditë, personifikohet shkëlqyeshëm te ”fenomeni Berisha” dhe për fat të keq, ndryshe nga Italia, ku zërat kundër Berluskonit brenda se djathtës janë gjithnjë e më të fortë, në Shqipëri askush nuk guxon.
Vetëm pak ditë më parë kryetari i parlamentit italian, Gianfranco Fini, takoi fëmijët e emigrantëve në një lagje në Romë duke thënë: “Kush ju thotë që ju jeni ndryshe nga italianët, është një t... (stronzo)”.
Kujt i referoheshin ato fjalë, përveçse aleatëve të tij (Lega e Berluskoni).
Dikush nga PD shqiptare duhet të thotë që, kush përdor parlamentin për të sharë nga familja kundërshtarët, është një t... (stronzo).