E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minatorët, protestë para Kryeministrisë për pensionet e tyre



Jonida Tashi

Të lidhur me zinxhirë dhe me pankarta në duar, minatorët nga i gjithë vendi kanë protestuar dje përpara Kryeministrisë për të kërkuar edhe një herë pensionet e tyre sipas viteve të punës që kanë në miniera. Protesta e tyre përpara selisë së Kryeministrisë ka zgjatur afër një orë. Minatorët janë mbështetur në protestën e tyre dhe nga sindikalistët. Protesta e tyre ka qenë paqësore, ndërkohë që forca të shumta policie kanë qenë të pranishme në këtë protestë për të shmangur çdo incident të mundshëm. Vetëm gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2008, minatorët kanë zhvilluar protesta të shumta për statusin, madje edhe një grevë prej më shumë se një jave, por ende nuk kanë marrë zgjidhje për kërkesat e tyre. Ulja e moshës së daljes në pension është një nga kërkesat kryesore të minatorëve.
Drafti i ri
Në draftin e propozuar nga Lëvizja Socialiste për Integrim, i cili prej më shumë se gjashtë muajsh ka kaluar edhe në parlament, janë parashikuar edhe një sërë lehtësirash të tjera që kanë të bëjnë me uljen e tarifave për mjekimin e minatorëve, por edhe sigurimin e kushteve më të mira të jetesës duke nisur që nga banesat. “Minatorët/punonjësit e profesioneve të vështira, që e ndërpresin punën për shkaqe që nuk varen prej tyre pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, deri në plotësimin e kushteve për pension të plotë pleqërie, përfitojnë pension të parakohshëm për vjetërsi pune kur plotësojnë vjetërsinë e punës nëntokë/profesion të vështirë 10 vjet, pavarësisht nga mosha, në masën e përcaktuar në Nenin 21 të këtij ligji”, - thuhet në këtë draft. Gjithashtu, ky draft parashikon dyfishimin e pagës minimale për minatorët dhe përfitimin e shtesave për vjetërsi pune. Në projekt parashikohet përfitim i pensionit shtesë mbi pensionin bazë, si dhe ulja e moshës për të dalë në pension. Pak kohë më parë, qeveria miratoi rritjen e moshës për daljen në pension të minatorëve nga 50 në 65 vjeç, ndërsa LSI-ja parashikon që maksimumi i daljes në pension për këtë shtresë të jetë mosha 57 vjeç. Pritet që ky draft të sjellë debate midis opozitës dhe qeverisë, pasi qeveria pretendon se nuk e përballon dot koston e zbatimit të këtij ligji.

Dëmshpërblimi, 8 familjet e pallatit të shembur hyjnë në grevë urie

GJIROKASTËR – Ashtu siç e kishin paralajmëruar, tetë kryefamiljarë të pallatit të shembur në Gjirokastër hynë dje në grevë urie për shkak të moszgjidhjes së problemit të dëmshpërblimit. Ata kërkojnë nga qeveria që t’u jepen fonde për shtëpitë e tyre të humbura nga shembja e pallatit 5-katësh një muaj më parë. Greva nisi ditën e hënë, në orën 12.00. Banorët u ngujuan në një garazh që gjendet pak metra larg gërmadhave të pallatit të shembur. Aktualisht janë 8 kryefamiljarë që kanë hyrë në grevë, por mësohet se edhe të tjerë do të bëhen pjesë e kësaj proteste. “Qeveria dhe pushteti lokal janë të papërgjegjshëm”, - thanë banorët, duke shtuar se asgjë nuk është bërë deri tani për ta. Pesëmbëdhjetë familjet që humbën shtëpitë kërkojnë dëmshpërblim 100 për qind për banesat e tyre. Ata ngrenë edhe shqetësimin e mungesës së transparencës në shpërndarjen e lekëve të dhëna nga donatorët për ta. Aktualisht këto familje jetojnë në shtëpi me qira dhe në hotele. Më 7 nëntor u shemb një pallat si pasojë e gërmimeve që po bëheshin për ndërtimin e një pallati tjetër pak metra më tej, gjë që solli vdekjen e tre personave dhe plagosjen e tre të tjerëve. Për këtë tragjedi janë vënë nën akuzë 10 persona, ku tetë prej tyre ndodhen në qeli, pasi gjykata ka dhënë masën e sigurisë “arrest me burg”. Dy të tjerë po hetohen në gjendje të lirë. Përveç dy pronarëve të firmës së ndërtimit “Arti Sh.p.k.”, janë në proces edhe zyrtarë të tjerë lokalë të Inspektoratit të Ndërtimit dhe Zyrës së Rregullimit të Territorit pranë Bashkisë së Gjirokastrës.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›