Shkatërrohet banda e të miturve grabitës me një arsenal armësh
LUSHNJE – Një grup të miturish, të njohur për një seri grabitjes në qytetin e Lushnjës, janë arrestuar nga policia, e cila ka gjetur dhe sekuestruar edhe një arsenal armësh. Pas denoncimeve të shumta të qytetarëve, policia nisi hetimet për gjetjen e autorëve dhe vetëm dje arriti të ndalojë dy shtetas, emrat e të cilëve nuk janë dhënë për motive hetimi. Burimet policore sqarojnë se dy të arrestuarit janë me banim në qytetin e Lushnjës. Sipas tyre, pritet të ketë edhe arrestime të tjera gjatë ditëve në vazhdim. Për zbulimin e tyre shërbeu ekspertiza e gjurmëve të gishtërinjve, të cilat janë kryer në Laboratorin e Ministrisë së Brendshme. Të dhënat e nxjerra i kanë shërbyer policisë për të identifikuar autorët e grabitjeve që futën në panik banorët e qytetit të Lushnjës. Burimet e policisë lokale pohuan se në përfundim të operacionit u gjetën në një banesë: dy kallashnikovë, dy pistoleta dhe një armë automatike e tipit “Scorpion”. Policia e Lushnjës do të dërgojë në Laboratorin e Kriminalistikës në Ministrinë e Brendshme armët e kapura, të cilat dyshohen se janë përdorur në vrasje dhe grabitje të armatosura që janë kryer gjatë muajve të fundit në këtë qytet. Grabitjet e kryera nga të mitur vazhdojnë të mbeten shqetësim për forcat e rendit. Gjatë kësaj periudhe janë regjistruar disa vjedhje të makinave, supermarketeve dhe banesave të ndryshme në Durrës, Shkodër, Fier, Berat etj. të cilat kanë pasur për protagonistë të mitur.
Vdes i moshuari, e përplasi makina në mes të rrugës
KRUJË - Një 60-vjeçar humbi jetën të hënën pasdite. Teksa ishte duke kaluar pranë rrugës Fushë-Krujë - Laç, ai është përplasur nga një automjet. Burime zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se shtetasi Gjergj Leka, banor i fshatit Bushnesh, u aksidentua për vdekje rreth orës 16:35 të ditës së hënë pranë fshatit Thumanë. Makina tip fuoristradë, me targa të huaja GG 95361, që drejtohej nga shtetasi Arben Demetja, 43 vjeç, përplasi të moshuarin duke e lënë të vdekur në vend. Mësohet se policia ka marrë në pyetje 43-vjeçarin Demetja lidhur me sqarimin e këtij aksidenti.
Bishti i cigares shkrumbon bodrumin e Postës së Vlorës
VLORË - Hedhja e shkujdesur e një cigareje mendohet se ka shërbyer si shkëndijë e një zjarri që ka përfshirë paraditen e së hënës bodrumin e Postës Qendrore në Vlorë. Ngjarja ka ndodhur rreth orës 10.00. Siç mësohet nga burimet policore, shkak për të mund të jetë një pakujdesi e radhës që mund të kishte përfunduar në dimensione më të mëdha. Persona të ndodhur në vendngjarje pohojnë se zjarri ka marrë shumë shpejt dhe gjithçka është kuptuar vetëm kur tymi është përhapur jashtë bodrumit. Është lajmëruar Reparti i Zjarrfikës, mjetet e të cilit ndërhynë menjëherë dhe situata u normalizua shpejt. Fatmirësisht dëme në materiale nuk ka pasur, por janë rrezikuar seriozisht kabllot e Albtelekomit si dhe një pjesë e godinës mbi bodrum, brenda pallatit 5-katësh, në të cilin ndodhet Posta Qendrore.
16 Dhjetor 2008