Transaksioni, paratë erdhën nga llogaria në Zvicër nëpërmjet firmës qipriote
Ndonëse kanë mundur të sigurojnë në cilësinë e provës aktin e transaksionit, prokurorët nuk kanë bërë të ditur emrin e bankës shqiptare në të cilën është bërë depozitimi. Por ata kanë shpjeguar se zanafilla e llogarisë që erdhi nga firma qipriote rezulton me gjurmë në Zvicër dhe në Qipro. Shitja fiktive prej 1.75 milionë eurosh, e denoncuar në media, dha sinjalin që edhe prokuroria të hetonte për evazion fiskal. Sigurimi i provës së transaksionit nga bankat i vë kapak të gjithë historisë duke vërtetuar procesin fiktiv të shitjes së kompanisë dhe shmangies së taksave. Më datën 9 korrik 2007, Damir Fazlliç kreu zyrtarisht shitjen e kësaj firme (me Vendim gjykate Nr. 34011/2 të gjyqtares Majlinda Doga) për llogari të një firme të regjistruar në Nikosia të Qipros, e cila quhet “Altaria Research Limited”. Praktika e ndjekur për shitjen tregon se firma qipriote nuk solli ndonjë përfaqësues të sajin në Shqipëri, por autorizoi me një prokurë të posaçme avokaten Flutura Kola. Nga termat e kontratës del se firma “Croun Acquisitions” u shit për një vlerë prej 1 milion e 750 mijë eurosh, ndërsa në kontratë nuk përcaktohej asnjë aset i firmës. Por, sikurse u zbulua më vonë, rezultonte se firma ende vazhdonte të ishte e regjistruar në emër të Damir Fazlliçit. Madje të dhënat nga Tatimet tregojnë se kjo firmë nuk ka derdhur asnjë qindarkë në arkën e shtetit. Pikërisht për të mbrojtur të drejtat e biznesmenit Fazlliç kanë ardhur dje në Tiranë dy avokatë të dërguar prej tij, të cilët janë njohur me aktet e sekuestruara nga prokuroria.
Çudia, Fazlliç bleu “për një kockë” edhe pronat shtetërore
Prokuroria Shqiptare ka bërë të ditur se gama e hetimit të firmave të Fazlliçit është shumë e gjerë pasi aktiviteti i tij varionte nga blerja problematike e terreneve energjetike deri te transaksionet antiligjore të kryera nga firmat qipriote drejt Shqipërisë nëpërmjet bankave zvicerane. Gjithsesi, lidhur me pronën shtetërore dhe publike që Fazlliçi ka mundur të përfitojë, prokurorët shprehen se është më i thjeshtë hetimi pasi procedura është kryer dhe është arkivuar në institucionet përkatëse shtetërore e, për rrjedhojë, gjetja dhe ekspertimi i tyre është më e thjeshtë. Dy javë më parë, Prokuroria bëri të ditur se nga dokumentacioni që ajo kishte mbledhur rezultonte se Damir Fazlliç ka blerë në qytetin e Durrësit, ku do të ndërtohet parku energjetik, tokë shtetërore. Prokuroria e Tiranës ka marrë në dorëzim dokumentacionet e ardhura nga Hipoteka e Durrësit ku rezulton se Fazlliçi, krahas blerjes së tokës nga banorët e zonës, ka marrë me çmime qesharake edhe tokën shtetërore, ende të pandarë. Lajmi bëhet i ditur nga burime pranë akuzës qendrore, sipas së cilës, në kuadër të hetimeve për pastrim parash, të hetuarit i janë bllokuar rreth 12 hektarë në vendin ku do të ndërtohet një vepër energjetike. Hetuesit e Prokurorisë deklarojnë se kanë në shqyrtim materialin e ardhur nga Zyra e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Durrësit, ku rezulton se biznesmeni i huaj është një superpronar, madje zotëron 12 hektarë tokë. Krahas blerjes nga banorët, Fazlliçi rezulton se ka blerë tokë edhe nga shteti. Për çmimin e blerjes burimet pohojnë se është tepër më i lirë se çmimet e tregut, por hetuesit nuk preferojnë të japin detaje në shifra, pasi çështja është në hetim.
16 Dhjetor 2008