E Shtunë, 31 Tetor 2026

Në “darën” e RENEA-s bie Edmond Koçi, anëtari i bandës së Durrësit

Koçi, i njohur si anëtar i grupit të strukturuar kriminal të Lul Berishës. 30-vjeçari u bllokua në tentativën për të hapur zjarr mbi specialët

Luan Kondi

Tiranë - Një tjetër anëtar i të ashtuquajturës banda e Lul Berishës është arrestuar në qytetin e Durrësit teksa kishte shkuar në një pikë loto-sporti për të shijuar ndeshjet e kampionateve më të mira të Europës. Operacioni i policisë, i koduar “Dara”, prangosi 30-vjeçarin, i cili, kur e ndjeu rrethimin, tentoi të qëllonte mbi specialët RENEA, por ata nuk ia dhanë shansin pasi e bllokuan menjëherë.
Arrestimi
Policia e shtetit njoftoi se është arrestuar dy ditë më parë, në qytetin e Durrësit, Edmond Koçi i njohur si anëtar i bandës së Lul Berishës. Arrestimi është kryer nga forcat e policisë së qytetit bregdetar në bashkëpunim me superspecialët e RENEA-s. “30-vjeçari, i njohur edhe me emrin Edmond Çekiçi, në momentin e arrestimit u orvat të qëllonte me pistoletë mbi policët e RENEA-s, por u bllokua menjëherë”, - thanë për gazetën burime policore. Operacioni i koduar “Dara” u zhvillua në një nga lokalet Euroloto, në Lagjen Nr. 16 të qytetit bregdetar. I riu u prangos për akuzën e “vrasjes së mbetur në tentativë”, por burime nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se arrestimi i tij u hap rrugën hetimeve të reja mbi disa vrasje të vitit të fundit në zonën e Spitallës dhe në Lagjen Nr.1 të qytetit, ku mendohet se 30-vjeçari Edmond Koçi (Çekiçi) ishte përfshirë. Forcat e policisë sekuestruan në cilësinë e provës materiale edhe pistoletën me 9 fishekë, me të cilën Koçi tentoi të qëllojë forcat speciale. Në dosjen e tij do të shtohet edhe akuza e “mbajtjes pa leje të armëve dhe municioneve luftarake”.
Banda e Durrësit
Në Gjykatën e Krimeve të Rënda aktualisht zhvillohet një proces gjyqësor në ngarkim të të akuzuarve si anëtarë të bandës së Durrësit. Sipas policisë, në krye të bandës ishte Lulzim Berisha, edhe ky në gjendje arresti. Në bankën e të pandehurve janë të ulur edhe Indrit Taullari, Endrit Dokle, Dritan Coli, Sardian Sulejmani, Kujtim Buna, Altin Olloni, Elvin Hoxhosmani, Alban Neli, Selman Heti, Spartak Kalthi, Altin Nikolla, Kristian Bregu, Ahmet Ajeti, Osman Korpuzi. Sipas prokurorisë, nga viti 1998 deri në vitin 2002, Lulzim Berisha, Plaurent Dervishaj, Indrit Taullaj, Adriatik Coli, Endrit Dokle, Bujar Gashi, si dhe Klodian Saliu, Ilir Xhunga, Arben Paja, që janë vrarë kohë më parë, kanë qenë anëtarë të një organizate të vetme kriminale mbi të cilën rëndojnë dhjetëra vrasje të kryera në qytetin bregdetar.

16 Dhjetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›