Miniera e Kalimashit, aty ku zhvillohet beteja për jetë a vdekje
Interesimi për kromin e Kalimashit ka ndryshuar në bazë të kërkesave dhe çmimeve të tregjeve ndërkombëtare. Por ndryshe nga minierat e tjera, Kalimashi ka funksionuar krejtësisht mbi baza amatore, fisesh dhe grupesh. Një praktikë e tillë zë fill që nga vitet ’90, kur kjo minierë apo dhe fabrika e pasurimit të kromit, falimentuan ose u lanë të falimentonin.
Fati i fabrikës dhe galerivePas falimentimit të fabrikës së pasurimit të kromit, e më pas bllokimit të punës në minierë, që ishte më e madhja në vend me rreth 3 mijë punëtorë, njerëzit iu përveshën punës për çmontimin e gjithçkaje të ndërtuar në kohën e “komunizmit”. Shkatërrimi nisi me stoqet e kromit të pasuruar, me impiantet e fabrikës dhe skeletin e saj, me hekurin e infrastrukturës dhe me shinat e galerive. Gjithçka u shit për skrap bashkë me një numër të madh makinerish që nuk “funksiononin”. çmontimi përfshiu deri edhe hekurat e dritareve të godinave të punëtorëve. “Në fillim u duk se mbaroi kjo punë dhe nuk lanë gjë pa shkatërruar, por shumë shpejt rritja e çmimit të kromit solli nevojën e ndërtimit nga e para të disa linjave”, tregon një punëtor i vjetër i minierës, banor i zonës. Ai sot punon në mirëmbajtjen e rrugës së vjetër nacionale dhe flet jo pa emocione lidhur me shkatërrimin e fabrikës, si dhe të galerive ku ai dhe shokët e tij rrezikuan jetën për shumë vite. “Mijëra tonë hekur, me qindra vagonë, dhjetëra mijëra metra shina dhe një numër i pafund makinerish kanë shkuar në Malin e Zi në vitet ’90, sidomos gjatë trazirave të ‘97”, tregon punëtori i rrugës. Ndërkaq, një banor i këtij fshati, i cili dikur kishte qenë brigadier në një galeri të sektorit të Keçëlit, shton se me minierën u bë një gabim i madh, kur kjo ndërmarrje gjigante menaxhohej nga shteti. “Shkatërruam gjithçka të ngritur me mundin e djersën e dhjetëra vite. Dhe pse? Sepse ashtu deshën disa njerëz të cilëve shteti u la dorë të lirë, shkatërruan sa mundën, kështu që gabuam edhe ne si komunitet”, tha ish-brigadieri. Sipas tij, kjo marrëzi kolektive kishte ndodhur sepse askush se kishte menduar se një ditë do të rritej sërish çmimi i kromit në tregjet botërore dhe aq më pak se një ditë do të ndërtohej autostrada. “Gati 75% e të gjithë fitimit më parë na e hante transporti në rrugën e vjetër, kështu që njerëzit preferuan ta shkatërrojnë për të përfituar çmimin e hekurit”, tha ai, duke përshkruar se si u zhvesh nga infrastruktura miniera më e madhe në vend, si dhe fabrika.
Puna amatoreRritja e çmimit në tregjet ndërkombëtare dhe mbi të gjitha ndërtimi i autostradës zgjoi interesin për minerarin e kromit të këtyre galerive tashmë të zhveshura nga çdo infrastrukturë. “Me autostradën fitimi na erdhi te dera. Mjafton të mbledhim gurë të kromit dhe i shesim më shtrenjtë se hekuri i gatshëm. Merre me mend, një thes me gurë kushton më shumë se një thes patate”, tregon Ganiu, 65 vjeç, banor i fshatit Kalimash.
Por tashmë infrastruktura është shkatërruar plotësisht, nuk ka më shina në galeri, vagonë, as mjete ndihmëse. Banorët përdorin mjete rrethanore për të nxjerrë krom. Fillimisht ata blenë karroca dore për ta nxjerrë kromin nga thellësitë e tokës, ndërsa kur gjendja e tyre ekonomike u përmirësua, blenë minitraktorë me rrota (tap-tup), me të cilët iu dha një hov i mëtejshëm nxjerrjes së kromit. Nga nxjerrja në galeri e deri te grumbullimi dhe më pas shitja e kromit, u përfshi gati i gjithë fshati. Një pjesë u inkuadrua thellësisht dhe me kohë në procesin e tregut të kromit, duke ndarë me rregull apo me forcë pjesë të caktuara të masivit pa fund të ish-minierës.
Fuqia punëtoreNdonëse nuk ka statistika të sakta, mendohet se në Kalimashin e tanishëm punojnë rreth 500 punëtorë. Këta janë të ndarë në procese të ndryshme, që nga shpimi i galerive e deri te shpërndarësit që e çojnë në Portin e Durrësit, ku ngarkohet në anije për t’u tregtuar jashtë vendit. Shumica e punëtorëve janë banorë të fshatit Kalimash apo të fshatrave të afërt. Rreth 50 prej tyre udhëtojnë rreth 40 km nga fshatrat Bicaj apo Morini. Vendasit janë normalisht përgjegjësit dhe pronarët, ndërsa të tjerët janë minatorë dhe punëtorë që nxjerrin kromin nga fundi i galerive drejt sipërfaqes. Një minator paguhet me 2500 lekë në ditë, ndërsa “profesionet” e tjera paguhen në bazë të vështirësisë.
#