E Shtunë, 31 Tetor 2026

Miniera e Kalimashit jepet me koncesion

Premtohen disa qindra vende të reja pune në industrinë e nxjerrjes dhe pasurimit të kromit

Dy kompani të huaja dhe Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, nënshkruan një marrëveshje koncesioni dje, në bazë të së cilës, kompanitë do të shfrytëzojnë burimet natyrore të kromit dhe të bakrit në zonën e Kalimashit dhe Vllahnës në Shqipërinë verilindore. Kompleksi minerar i Kalimashit nxjerr mineral kromi me pastërti 15-25 për qind dhe ka falimentuar si sipërmarrje dy herë gjatë dy dekadave të fundit. Ai është mbajtur “në konservim” gjatë dhjetë viteve të fundit. Dy kompanitë koncesionmarrëse janë nga Turqia dhe Kina. “Kurum International” ka punuar gjatë dekadës së fundit në prodhimin e çelikut në Elbasan, si dhe ka marrë një pjesë të Portit të Durrësit, pjesën që dikur i përkiste kantierit detar Durrës-Gdansk. Kompania kineze, “Sichuan Jiannanchun International Group Ltd”, sipas Ministrisë së Ekonomisë, “ka të ardhura vjetore prej 6 miliardë dollarësh”. Një kërkim në internet tregon se ky grup kompanish punon në Kinë në sektorë të ndryshëm, si prodhimi i pijeve, prodhimi i veshjeve dhe minierat.

Marrëveshja

Kontrata koncesionare e formës BOT, nënkupton që koncesionari do të marrë pronësinë, do të zhvillojë dhe shfrytëzojë minierat, si dhe do të kthejë asetin së bashku me investimet e kryera pas përfundimit të kontratës koncesionare te qeveria shqiptare.

Me koncesion u lëshuan kështu miniera e kromit Kalimash, miniera e kromit Vlahnë, si dhe fabrika e pasurimit të kromit Kalimash. Koncesionmarrësi mori edhe fabrikën e pasurimit të bakrit Golaj, me qëllimin për ta transformuar në fabrikë për pasurimin e kromit. Sipas Ministrisë së Ekonomisë, koncesioni parashikohet të nxjerrë nga nëntoka 210 mijë tonë krom në vit, gjë që do të dyfishojë prodhimin aktual të këtij metali në Shqipëri. Plani i koncesionit është që minerali të pasurohet për të prodhuar 160 mijë tonë koncentrat kromi në vit.

“Kjo kompani e përbashkët, me investimet e saj do të vazhdojë përpunimin e mëtejshëm të kromit për të prodhuar 60 mijë tonë ferrokrom në vit. Me një investim brenda katër viteve të parë mbi 20 milionë euro, do të hapen qindra vende të reja pune në këto zona të Shqipërisë”, tha ministri Dritan Prifti në ceremoninë e nënshkrimit të marrëveshjes.

Kromi përdoret veçanërisht në panelet e aluminit, për prodhimin e çelikut të paoksidueshëm etj. Kërkesa për këtë metal në tregun ndërkombëtar ka ardhur vazhdimisht në rritje, por tregu kontrollohet aktualisht nga pak vende që janë përgjegjëse për mbi 90 për qind të prodhimit botëror. Kromi është një element i fortë metalor, që është një komponent i domosdoshëm i çelikut të paoksidueshëm dhe i aliazheve të tjera të çelikut, ku ai përdoret në formën e aliazhit ferrokrom.
Shqipëria ka qenë ndër vendet e para në botë për prodhimin e kromit gjatë viteve ‘60, kur ky mineral përdorej para së gjithash për prodhim armatimesh. Qeveria shqiptare në atë kohë siguronte pjesën më të madhe të të ardhurave të veta valutore nga kromi. Shqipëria eksportoi gjatë vitit të kaluar rreth 50 milionë euro mineral kromi. Kina qe blerësi kryesor.

“Vlera e shitjeve jashtë vendit të metaleve u rrit nga rreth 50 milionë dollarë amerikanë në vitin 1980, në gati 140 milionë dollarë amerikanë në vitin 1989. Duke pasur parasysh amullinë më të gjerë ekonomike, brenda pjesës që zinte industria në eksportet e përgjithshme, veprimtaritë minerare e kalonin shifrën 37% në vitet kulmore 1988 dhe 1989, dhe përfaqësonin pothuajse gjithë rritjen në vlerë eksporti që pati vendi gjatë atij dhjetëvjeçari”, thotë Banka Botërore në një studim të publikuar mbi industrinë minerare shqiptare. “Produktet e kromit ishin produkti kryesor i eksportit, vlera e së cilit llogaritej në rreth 89 milionë dollarë amerikanë, produktet e bakrit renditeshin të dytët me afro 26 milionë dollarë amerikanë”, vijon më tej raporti. Pavarësisht rëndësisë që ka pasur dikur në të ardhurat në valutë të Shqipërisë, pesha e kësaj industrie në ekonominë e sotme shqiptare është shumë më e vogël.

#

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›