Llogaria me 500 mijë euro, në hetim dy kompani italiane
Zbardhet skema e plotë e pastrimit të parave nga biznesmeni italian, të cilit iu bllokua një llogari bankare me 500 mijë euro. Në skemën e mbulimit të transaksioneve ishin përfshirë edhe dy kompani italiane, që ndihmonin poseduesin e parave, Alessandro Locatelli, tregtar i njohur në Itali. Nga ana tjetër, policia shqiptare ka dërguar letër-porosi në Itali dhe pret përgjigje nga policia homologe për identifikimin e gjithë veprimtarisë së 50-vjeçarit italian, i cili tentoi të fshihte të ardhurat nëpërmjet bankave që veprojnë në Shqipëri.
TransferimetBëhet fjalë për paratë që u depozituan në Slloveni nga një shtetas italian, i cili mendohet se nuk i kishte deklaruar në asnjë vend më parë. Sipas të dhënave nga prokuroria, Alessandro Locatelli, një sipërmarrës i rëndësishëm në Itali, kishte dërguar një vlerë parash prej 500 mijë eurosh në një llogari bankare që kishte në Slloveni. Më pas, paratë i kishte transferuar me dy dërgesa në numrin e llogarisë të një kompanie italiane në një bankë në Shqipëri. Në lidhje me këtë, burimet e organit të akuzës thanë se paratë ishin transferuar në llogarinë e kompanisë F.LLI CASAVECHIA. Transferimet në këtë numër llogarie janë bërë nga 250 mijë euro njëherësh. Pra, sipas të dhënave ka pasur dy dërgesa. Pasi paratë kanë qëndruar pak ditë në numrin e llogarisë të kësaj kompanie, ato janë transferuar në një tjetër numër llogarie të një banke tjetër. Hetimet kanë nxjerrë në pah se ato janë dërguar sërish në numrin e një kompanie tjetër italiane, që sipas të dhënave rezulton të jetë firma AGAR SRL. Edhe në këtë rast, transfertat janë bërë duke ndjekur procedurën e lartpërmendur, duke i dërguar me gjysma. Transfertat e fundit janë bërë në një bankë italiane që ka degën e saj edhe në Shqipëri.
Letër-porosiaBurimet nga grupi hetimor bënë të ditur se identifikimi është bërë nga Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave dhe Luftës ndaj Terrorizmit në Ministrinë e Financave. Policia, duke pasur në dorë gjithë këto informacione, ka sekuestruar llogarinë bankare dhe ka marrë në pyetje italianin, i cili është shqetësuar për mungesën e parave. Gjatë marrjes në pyetje, ai ka deklaruar se i kishte përfituar nga shitja e dyqaneve në Gjermani, megjithatë nuk e ka vërtetuar me dokumente pretendimin e tij, duke deklaruar se do t’i sillte ato më vonë. Prokuroria ka dhënë urdhrin për sekuestron dhe për hetimin e mëtejshëm të çështjes. Në këtë çështje, veç Locatelli-t, mësohet se janë përfshirë edhe tre persona të tjerë, po italianë. Për këtë, policia shqiptare u ka dërguar homologëve italianë një kërkesë për të marrë prej tyre informacione më të hollësishme për personat e dyshuar. Në letër-porosinë e dërguar është kërkuar informacion me aktivitetin e tyre dhe nëse ka dyshime për lidhje me veprimtari kriminale. Ende pritet përgjigje për këta persona nga pala italiane, ndërsa llogaria e tyre, e cila në momentin e bllokimit ishte 425 mijë euro, vazhdon të jetë e sekuestruar, duke u bazuar në ligjin “Antimafia”, i cili ka hyrë në fuqi prej pak kohësh edhe në vendin tonë. Në momentin e sekuestrimit të pasurive, sipas ligjit “Antimafia”, detyrimi për të paraqitur dokumentet përkatëse, siç është në rastin konkret llogaria bankare, është i personit që e posedon. Nga të dhënat e mbledhura, rezulton se katër italianët janë me precedentë edhe në vendin e tyre për probleme ekonomiko-financiare. Në këto kushte, prokuroria ka nisur procedim penal për pastrimin e produkteve, të veprës penale, nëpërmjet transferimit të pasurisë për fshehjen ose zhdukjen e origjinës së paligjshme të pasurisë, ose dhënien e ndihmës për të shmangur pasojat juridike, që lidhen me kryerjen e veprës penale. Ndërkaq, ai mendohet edhe për çelje të depozitave ose llogarive bankare me emra fiktivë.
#