E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minierat, hiqet leja për 43 shoqëri

06/10/2011  Ministria e Ekonomisë do të heqë lejet edhe për 5 koncesione HEC-esh

Penalizim edhe për 30 shoqëri që s’kanë sjellë projekt-zbatimin e ndërtimit të HEC-eve

Mungesa e investimeve apo prodhimit në plot 43 shoqëri minerare rrezikon lejen e tyre. Pas kontrolleve të kryera nga ana e Agjencisë Kombëtare të Burimeve Natyrore ka rezultuar se këto shoqëri që janë të pajisura me leje minerare nuk përmbushin detyrimet ligjore për sektorin minerar. “Kontrollet e kryera kanë verifikuar se, shumë prej subjekteve minerare për të cilat kanë nisur procedurat e revokimit të lejeve minerare nuk kanë punuar dhe nuk punojnë, si dhe nuk kanë paraqitur programin vjetor të aktivitetit për vitin 2011, si dhe për vitet paraardhëse”, - njoftoi Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës. Kjo ka qenë arsyeja pse vetë ministri Nasip Naço ka vendosur nisjen e procedurave për revokimin e lejeve minerare për 43 shoqëri.

Vendimi

Sipas propozimeve të AKBN-së, ministri i Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nisur procedurat për revokimin e lejeve minerare për 43 shoqëri, të cilat janë njoftuar për një vendim të tillë. Brenda një periudhë 30 ditore nga marrja e këtij njoftimi, ministri vendos për revokimin e lejes minerare. Në njoftimet përkatëse që iu janë dërguar shoqërive minerare, këto të fundit vihen në dijeni për mosplotësimin e detyrimeve ligjore, si mos realizimin e detyrimeve sipas neneve 56, 57 dhe 59 të Ligjit Minerar Shqiptar nr. 7796, datë 17.02.1994, i shtuar dhe i amenduar, apo mosrealizimin e detyrimeve sipas nenit 25 të ligjit nr.10304, datë 15.07.2010 “Për sektorin minerar në Republikën e Shqipërisë”. METE do të vijojë të zbatojë legjislacionin për sektorin minerar në vend.

Heqja e lejeve

Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës përgatitet për t’u hequr lejet e ndërtimit të hidrocentraleve, 5 shoqërive koncesionare. Drejtoresha e Projekteve dhe Bashkëpunimit Ekonomik pranë kësaj ministrie, Matilda Merxhani, është shprehur se këto shoqëri nuk kanë respektuar kushtet kontraktuale dhe kanë mangësi financimi për zhvillimin e projekteve. Sipas saj, do të penalizohen edhe 30 shoqëri të tjera që nuk kanë paraqitur në kohë projekt-zbatimin e ndërtimit të HEC-eve. Në Shqipëri numërohen 101 kontrata koncesionare për ndërtimin e 287 HEC-eve me një kapacitet total gjenerimi prej 2 milionë e 500 mijë kilovat. Vlera totale e këtyre investimeve arrin në rreth 260 miliardë lekë. Kjo politikë vjen në një kohë kur edhe Kryeministri Sali Berisha pak ditë më parë kërkoi ndëshkim, deri në heqje të licencës, për shoqëritë që nuk i janë përmbajtur kushteve kontraktuale.

Inspektimi në Bulqizë

Specialistë të Repartit të Inspektimit dhe Shpëtimit të Minierave kanë inspektuar minierën e kromit për të inspektuar gjendjen funksionale të minierës. Pas kontrollit specialistët kanë arritur në përfundimin se disa fronte pune në minierë kanë nevojë për riparime, por ky subjekt mineral sipas tyre plotëson kushtet që puna të nisë normalisht. Sipas tyre, puna e tyre normalisht mund të nisë nga dita e hënë.

147 zona minerare për konkurrim

Ministri i Ekonomisë, Nasip Naço, takoi një delegacion të rajonit Friuli Venezia Giulia. Sipas tij, brenda javës tjetër do të dalin për konkurrim rreth 147 zona minerare, në krom, bakër, hekur dhe nikel. “Shumë shpejt do të nxjerrim për privatizim kompaninë ‘Albpetrol’”, - tha ministri. METE ka nxjerrë për privatizim paketën e aksioneve që zotëron METE, me vlerë fillestare 34 milionë euro. Së shpejti do të privatizohen edhe hidrocentralet Bistrica 1, Bistrica 2, Ulëza e Shkopeti.

Shoqëritë minerare për të cilat kanë nisur procedurat e revokimit të lejes minerare:

1. LAMNICA shpk

2. MATRAKU shpk

3. ILIRI shpk

4. AFDA shpk

5. BABAJ shpk

6. EKOBETON shpk

7. XHULJO shpk

8. MEHILLAJ shpk

9. EL - TE - IN shpk

10. EL-DRAGAN shpk

11. ALIE - B shpk

12. ZOTAJ - Z shpk

13. F. BETON & CONSTRUKSION shpk

14. Ylberi shpk

15. S A T shpk

16. ALIE - B shpk

17. Rosho - Albania shpk

18. MILIS shpk

19. A & S - ALBANIA - 04 shpk

20. GJYLA shpk

21. RR. URA ASFALTIM NR.2 sha

22. HOAL shpk

23. XHULJO shpk

24. Elbasan Cement Factory shpk

25. GURI I BARDHE shpk

26. MEZURAJ shpk

27. MEZURAJ shpk

28. ILDI sha

29. Hasmuça shpk

30. Arginert Sha

31. Taullau - X6 shpk

32. Mineral - Invest shpk

33. S.E.A shpk

34. Derrasa G shpk

35. Marei shpk

36. Biba-X shpk

37. Company Riviera 2008 shpk

38. ANK shpk

39. Arvo shpk

40. Salica shpk

41. Grifi-Xhiglent Albania shpk

42. Region shpk

43. Mrozi shpk

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›