E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ultimatum prodhuesve: Bukë me ambalazh letër, jo plastike

06/10/2011  Në të kundërt do sekuestrohet malli. Analizat, qeset plastike transmetojnë lëndë kancerogjene

ELBASAN- Duke filluar nga 1 shtatori të gjitha subjektet prodhuese të bukës duhet të zëvendësojnë ambalazhimin me qese plastike të bukës me ambalazh letre. Gjatë këtyre ditëve janë duke u zhvilluar kontrolle e takime me prodhuesit para se të fillojë sekuestrimi i mallit që do të tregtohet me qese plastike.

Kontrollet

Sipas drejtorit Julian Marku, gjatë muajit shtator janë ushtruar kontrolle në 70 furra buke dhe në mbi 70% të njësive tregtare të bukës. Objekt i kontrolleve kanë qenë kushtet higjieno-sanitare, ambalazhimi i bukës higjiena personale e punonjësve masat e marra për kontrollin ndaj brejtësve etj. Sipas drejtorit Marku, nga kontrollet e ushtruara është vënë re se buka në shumicën e rasteve vazhdon të ambalazhohet me qese plastike, e cila nuk plotëson standardet dhe është mjaft e rrezikshme për jetën e konsumatorit, pasi qesja plastike është ambalazh polietileni i formuar nga nënproduktet e naftës dhe nga riciklimi i plastikës në vendgrumbullimin e plehrave. Gjatë kontrolleve të ushtruara kjo drejtori ka bllokuar materialin plastik për ambalazh dhe në disa raste ka asgjësuar edhe produktet e dëmshme. Kontrolle janë ushtruar edhe në pikat e tregtimit të bukës ku u është kërkuar shitësve që ta tregtojnë atë të ambalazhuar, të vendosur në rafte druri dhe të ndarë nga produktet e tjera.

Rreziku nga toksinat

Ndërkohë gjatë gjithë këtyre ditëve janë zhvilluar takime me prodhues të bukës, të cilëve ju është bërë e qartë se ligji do të zbatohet deri në një dhe se do të vazhdojnë masat ndëshkimore për ata prodhues që vazhdojnë ambalazhin me qese plastike. Disa prej tyre kanë ngritur pretendime për uljen e cilësisë dhe butësisë së bukës, por sipas specialistëve ambalazhi plastik është shumë i rrezikshëm për shkak të lëshimit të toksinave në produkt. Specialistët thonë se prezenca e një ambalazhi plastik në kontakt me bukën krijon mundësi kontaminimi me lëndë toksike që ka plastika duke përbërë kështu një rrezik serioz për shëndetin e konsumatorit. Ata konfirmojnë se plastmasi prodhohet nga polimerë që rrjedhin nga nënproduktet e naftës dhe si rrjedhojë kanë edhe përmbajtje kancerogjene.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›