Vizita, ekspertët e ODIHR-it: Të fillojë puna për reformën zgjedhore
TIRANË Kur zgjedhjet kanë mbaruar dhe për këtë proçes ka edhe një raport përfundimtar, për ndërkombëtarët nuk ka mbetur gjë tjetër për diskutim veçse reforma e ardhshme zgjedhore, e cila duhet të marrë parasysh gabimet dhe të metat e vëna re gjatë zgjedhjeve të shkuara. Një ekip ekspertësh i misionit të OSBE/ODIHR-it, i cili po zhvillon një vizitë pune në vendin tonë, të drejtuar nga Kryetari i Misionit të Vëzhguesve, Xhonatan Stounstrit, kanë zhvilluar dje takime me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, kryeministrin Sali Berisha, kryetarin e opozitës, Edi Rama, dhe drejtues të partive të tjera politike. Në takimin me Presidentin e Republikës, Bamir Topi, Kryetari i Misionit të Vëzhguesve Stounstrit vuri në dukje nevojën e nisjes sa më parë nga puna të reformës zgjedhore ku OSBE/ODIHR-i do të ofrojë jo vetëm rekomandimet dhe vërejtjet e veta, por edhe ndihmesën e përvojën e vet të efektshme. Ndërsa në takimin me kryeministrin Sali Berisha, ky i fundit ndau të njëjtin mendim me Stounstrit se reforma e ardhshme zgjedhore duhet të përfshijë edhe institucionet përgjegjëse si KQZ-ja dhe organizatat e shoqërisë civile të specializuara në çështjet zgjedhore. Berisha ftoi ODIHR-in dhe Komisionin e Venecias, që të japin ekspertizën e tyre në procesin e reformës dhe rikonfirmoi qëndrimin se mazhoranca mirëpret propozimet e opozitës të bazuara në rekomandimet e ODIHR-it dhe të çertifikuara nga këto dy institucione. Domosdoshmërinë për një reformë elektorale gjithëpërfshirëse e ka theksuar edhe kryetari i LSI-së, Ilir Meta, në takimin e zhvilluar me ekspertët e ODIHR-it.