E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministra e Financave: Asnjë shtyrje për pagat e pensionet

Ministria e Financave garantoi dje se nuk do të ketë asnjë vonesë në shlyerjen e pagave dhe pensioneve. Në një deklaratë për mediat, Ministria e Financave ka sqaruar se të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar. “Ministria e Financave nisur nga dezinformimet e bëra në disa media dhe deklaratat e pavërteta të opozitës në lidhje me pagat, pensionet dhe shpërblimet e fundvitit, sqaron se: të gjitha pagesat për pagat e pensionet do të shpërndahen sipas ligjit dhe nuk do të ketë asnjë shtyrje pagese për në muajin janar”. Ministria e Financave do të paguajë brenda muajit dhjetor edhe të gjitha shpërblimet prej 1 miliard lekësh, sipas vendimit të qeverisë nr. 1215, dt. 16.12.2009, për punonjësit e administratës publike në masën 10 mijë dhe 15 mijë lekë. Në të njëjtin njoftim thuhet se Ministria e Financave brenda muajit dhjetor do të kryejë pagesat për shumën 1.4 miliard lekë, sipas vendimit të qeverisë nr. 1216, dt. 16.12.2009, për shpërblimin e të gjitha kategorive të pensionistëve në shumën 2500 lekë për pension, përfshirë pensionet e pleqërisë, familjare, të invaliditetit, ish-minatorët, ish-punonjësit e industrisë ushtarake dhe të gjithë kategoritë e tjera me trajtim pensioni të parakohshëm dhe trajtim të veçantë financiar.
Për sa u përket pagesave të prapambetura, të cilat kapin vlerën e 400 milionë lekëve, Ministria e Financave garantoi se ato do të kryhen brenda muajit dhjetor. “Brenda muajit dhjetor do të përfundojnë edhe të gjitha pagesat e prapambetura prej 400 milionë lekësh për personat me aftësi të kufizuara dhe ata që përfitojnë ndihmë ekonomike”, - thuhet në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave. Kjo ministri i cilësoi si politike dhe dashakeqëse lajmet e ardhura nga opozita se qeveria është në pamundësi financiare. “Ministria e Financave sqaron se lajmet e shpërndara për pamundësi financiare të pagimit të pensioneve, pagave dhe shpërblimeve të fundvitit, janë të rreme dhe dashakeqe. Gjendja financiare e llogarisë të Thesarit mundëson respektimin dhe zbatimin e plotë të buxhetit të shtetit, të miratuar në Parlament”, - thuhet më tej në njoftimin zyrtar të Ministrisë së Financave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›