E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministra e deputetë, të gjithë të kredhur në kredi mijëra eurosh

06/07/2010 Në formularët e deklarimit të pasurive nuk figurojnë aktivitet private

Ajo çka bie në sy në deklarimet e formularëve të pasurisë janë kreditë e jashtëzakonshme që kanë marrë deputetët apo ministrat e qeverisë, të favorizuar ndoshta dhe nga ligji për kreditë e zyrtarëve të lartë. Ka shuma që variojnë nga 150 mijë deri në 280 mijë euro për këtë qëllim, dhe në shumë raste ministrat apo deputetët rezultojnë të kenë marrë më shumë se një kredi. Kreditë në të shumtën e rasteve i kalojnë afatet e mbi 25 vjetëve. Por ata që janë ekonomistë e kanë shfaqur prirjen e tyre dhe për të shtuar të ardhurat me investime në bursa apo në bono thesari, si në rastin e ministrit të Bujqësisë, Genc Ruli. Gjithsesi, në të gjitha rastet, ajo çka deklarohet si bazë e të ardhurave është rroga që ministrat apo deputetët marrin nga shteti, si dhe paga e bashkëshortëve. Sipas të dhënave që mund të nxjerrësh nga deklarimet e të ardhurave familjare nuk i kalojnë më shumë se 2 milionë lekë në vit apo rreth 2 mijë dollarë në muaj, çka është e pranueshme për realitetin shqiptar. Asnjë prej formularëve nuk ka të deklaruar aktivitete dytësore biznesi, pasi kjo bie ndesh me ligjin për “Konfliktin e interesit”. Pavarësisht nga kjo, ILDKP ka deklaruar se do hulumtojë me imtësi çdo rast, për të parë nëse deklarimi i pasurive është real apo ka të fshehta që nuk i tregohen publikut.

Gramoz Ruçi gjatë vitit 2009 ka marrë vetëm rrogën

Edi Rama hyn borxh te bankat dhe figuron i pastrehë

Janë akuzuar nga pala kundërshtare për korrupsion me detyrën, por në deklaratat e pasurive figurojnë me të ardhura të pakta. Kjo ka ndodhur me dy figurat më të larta të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe Gramoz Ruçi. Sipas deklaratës së pasurisë, të bërë publike nga Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurisë, Edi Rama jo vetëm që nuk ka pasuri të depozituar, por më keq akoma: është borxh në dy raste në bankën “Credins”, me 30.900 lekë në njërin rast, dhe në rastin tjetër me 1859 euro. Në deklaratën e tij të thatë të pasurisë, Rama figuron madje i pastrehë, megjithëse deklarohet dhe marrja e një kredie, por pa përcaktuar qëllimin. Në deklaratën e kreut të bashkisë së Tiranës për tri mandate rresht, për vitin 2009 është shënuar vetëm paga vjetore prej 1.678.364 lekë, 90 mijë lekë që sipas deklarimit i ka përfituar nga moskryerja e lejes vjetore, si dhe 9 mijë lekë të përfituara nga mbledhjet e KRRT-së.

Akoma më e rënduar paraqitet gjendja për familjen e Gramoz Ruçit. Ky i fundit ka deklaruar vetëm pagën e tij të deputetit, që shkon në 1.4 milionë lekë në vit, dhe përveç emrit të Ruçit, në formular nuk ka asgjë tjetër. Në të nuk deklarohet asnjë shpenzim për vitin 2009 dhe asnjë depozitë bankare, megjithëse është nga deputetët më të vjetër të Kuvendit. Nuk deklaron nëse bashkëshortja e tij ka ndonjë aktivitet apo nuk është e punësuar, dhe nuk deklarohen nëse ka apo jo të ardhura dytësore. Me sa duket, të ardhurat për familjen Ruçi për vitin 2009, kanë qenë vetëm të ardhurat e deputetit. Po ti shkojmë kësaj logjike, na rezulton se për periudhën e bojkotit familja e Gramoz Ruçit nuk ka pasur asnjë të ardhur, dhe në rast se ka ndonjë depozitë bankare, nuk ka kryer asnjë transaksion. Gjithsesi kjo mbetet për të verifikuar nga drejtuesit e ILDKP-së, se sa të vërteta janë deklaratat e çdonjërit prej deputetëve, ministrave apo zyrtarëve të lartë të këtij shteti, në opozitë apo pushtet qofshin.

Ministri i Financave llogari bankare në emër të fëmijëve

Vit i vështirë për çiftin kryeministror, Berisha ia dorëzon paratë gruas

Vit i vështirë duket se ka qenë 2009 dhe për çiftin Sali dhe Liri Berisha. Sipas të dhënave të pasurisë për familjen kryeministrore, Berisha për vitin që kaloi është mbështetur te paga e tij si kryeministër, e cila kap shifrën e 2.2 milionë lekëve në vit, si dhe te pensioni i bashkëshortes, që nuk shkon më shumë se 273 mijë lekë në vit. Ndërsa dietat si kryeministër kapin shifrat e 3.040 euro dhe 1600 dollarëve. Sipas formularit, Berisha rezulton të jetë borxhli në bankën “Intesa San Paolo” me një shumë prej 889 euro, ndërsa llogaritë bankare të Kryeministrit në emër të tij nuk e kalojnë shifrën e 13 mijë lekëve të reja. Ndërsa bashkëshortja rezulton me dy llogari bankare: njëra prej 300 mijë lekësh dhe tjetra prej 200 mijë lekësh. Por përbri formularit të Kryeministrit ndodhet dhe deklarata e pasurive të fëmijëve të tij, Shkëlzenit dhe Argitës. Kështu, për vitin që shkoi Shkëlzeni ka pasur të ardhura si pasojë e aktivitetit të tij në fushën e pasurive të paluajtshme një shumë prej 200 mijë eurosh, ndërkohë që rezulton me llogari të konsiderueshme që variojnë nga 280 mijë euro, 28 mijë euro, 18 mijë euro e kështu me radhë. Ndërsa vajza e Kryeministrit ka disa llogari bankare në banka të ndryshme, ku më e madhja është një derdhje prej 1.7 milionë lekësh te “Raiffesen Bank”. Nga ana tjetër, në vitin 2009 Argita ka mbyllur dhe aktivitetin e saj të avokatisë, nga ku ka dalë me një fitim total prej më shumë se 440 milionë lekësh. Të ardhurat e saj janë dy godina me qira, të ardhurat nga Fakultetit Juridik, si dhe mësimdhënia në fakultetet private.

Ndërsa ministri i Financave Ritvan Bode, në formularin e tij deklaron si të ardhura familjare pagën dhe shpërblimet që kapin një vlerë rreth 1.7 milionë lekë në vit, të ardhurat nga pensioni familjar i gruas, si dhe interesat bankare nga depozitat që ka krijuar në kohë në emër të fëmijëve, përkatësisht dy vajzave: Adela dhe Eglantina. Ka një kredi prej 1.7 milionë lekësh për një apartament që ka blerë nga Enti Kombëtar i Banesave në vitin 2000, gjatë kohës që kanë qeverisur socialistët dhe ai mbante postin e Sekretarit të Përgjithshëm të PD-së. Në vitin 2007 ka marrë dhe një kredi prej 26 mijë eurosh te “Raiffesen Bank”.

Milionere, vjen nga Amerika dhe rri pa rrogë gjatë bojkotit

Rudina Seseri, apartament në Boston për 890 mijë dollarë

Rudina Seseri është nga deputetet më të pasura të grupit parlamentar socialist. Në formularin e saj, Seseri deklaron një pasuri që në total kap disa miliona dollarë. Kështu, vetëm për shtëpinë që ka blerë në Boston, Rudina Seseri ka paguar një shumë prej 890 mijë dollarësh dhe e ka blerë në nëntor të vitit 2006, me anë të një kredie që ka marrë nga “ING Bank”. Por nuk është mjaftuar me kaq. Kthimi në Shqipëri ka bërë që në vitin 2007 të blejë dikur në zonën e Farkës një vilë, e cila kap një sipërfaqe prej 770 metrash katrorë, me një vlerë prej 220 mijë euro, por këtë herë ka qenë “Banka popullore” ajo që ia ka dhënë huan. Edhe bizhuteritë e Rudina Seserit kanë një vlerë të konsiderueshme monetare. Sipas formularit të deklarimit, Seseri vetëm për bizhuteri ka shpenzuar rreth 16 mijë dollarë. Më tej lista vazhdon e gjatë me investime në bursat amerikane, që variojnë nga 70 mijë dollarë e deri në 1500 dollarë, gjithsej katër të tilla. Të ardhurat e bashkëshortit të Seserit dhe të saj, të deklaruara sipas ligjeve amerikane, kapin një shifër marramendëse, prej më shumë se 450 mijë dollarë në vit. Ndërkohë që Seseri rezulton pronare dhe e një trualli në rrugën “Fadil Rada”, ku ajo është pronare me 33 për qind trashëgimi nga i ati. Seseri këtu do përfitojë dy dyqane nga 100 metra katrorë dhe katër apartamente në një total prej më shumë se 300 metra katrorë.

Dritan Prifti

Pas marrjes së postit të ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti rezulton të ketë shitur aksionit e tij 45%, që ka pasur në kompaninë “Fortis 2” dhe në formularin e tij ka shpjeguar hap pas hapi të gjithë procedurën e ndjekur. Fillimisht ka shitur 6 % të aksioneve për të shlyer një kredi banese, më pas ka shitur dhe 9% të tjera në fillim të dhjetorit 2009, dhe më pas, më 14 dhjetor 2009 ka shitur përfundimisht të gjitha aksionet e tij, si dhe ka mbyllur aktivitetin e tij me këtë kompani.

Bamir Topi

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, duket se ka pasur shpenzime për vitin që shkoi, pasi nga depozita e tij rezulton sipas deklaratës të ketë tërhequr dy herë para, një herë 1 milion lekë të reja dhe një herë tjetër 608 mijë lekë të reja. Të ardhurat nga puna si president kapin shifrën e 2.4 milionë lekëve, ndërsa bashkëshortja përfiton një pagë vjetore prej 908 mijë lekësh. I shtohen dhe të ardhurat nga puna e vajzës pranë Bankës së Shqipërisë.

Genc Pollo

Ministri i Teknologjisë dhe Inovacionit, Genc Pollo, për vitin e kaluar ka menduar të investojë në blerjen e një apartamenti në fshatin turistik Laguna Blu, në Qerret të Kavajës, me sipërfaqe 130 metra katrorë. Ndërkohë që për të blerë shtëpinë atje i është dashur të shesë vilën në Golem. Të ardhurat deklarohen, vetëm ato zyrtare, pra të ministrit për Inovacionin dhe Teknologjinë.

Fatmir Mediu

Edhe Ministri i Mjedisit, Fatmir Mediu, si të ardhura kryesore bazë ka pagën si ministër dhe pagën e bashkëshortes. Gjithsesi, duket se e tërë paga e zotit Mediu shkon për të paguar një kredi prej 280 mijë eurosh, të marra te BKT, dhe familja Mediu jeton vetëm me të ardhurat e bashkëshortes, si dhe ato që marrin nga dhënia me qira e një apartamenti në bulevardin “Zhan DArk”.

Ilir Meta

Familja Meta të ardhura kryesore ka ato të zëvendëskryeministrit Ilir Meta, ndërkohë që bashkëshortja, Monika, duhet të kënaqet me pagën si anëtare e Këshillit Bashkiak të Tiranës dhe të ardhurat si sekretare Organizative e LSI-së për një periudhë të shkurtër kohe. Monika nga ana e saj ka në llogarinë bankare 1388 euro dhe 34 mijë lekë, ndërsa zëvendëskryeministri nuk figuron me llogari të tijën.

Myqerem Tafaj

Myqerem Tafaj, ministër i Arsimit, ka preferuar që të bashkëpunojë me bankat gjermane qoftë për depozitat, qoftë për të marrë kredi për apartament apo për shtëpi në Gjirin e Lalëzit. Kjo edhe për faktin se çifti Tafaj ka punuar për një kohë të gjatë në qarqet akademike gjerman,e ku kanë qenë goxha të paguar. Gjithsesi, tashmë qoftë Myqeremit, qoftë Enkelejdës i duhet të kënaqen me rrogën e bashkëshortit si ministër i Arsimit.

Ina Rama, 150 mijë euro kredi me interes 0%

Ina Ramës, Kryeprokurorja e Shqipërisë, i është dashur të marrë 150 mijë euro kredi për të blerë një apartament në Tiranë. Sipas formularit të deklarimit të pasurisë, e ardhur nga Durrësi, Ina Rama aktualisht banon në një apartament me qira, ndërkohë që ka lidhur një kontratë sipërmarrjeje për blerjen e një apartamenti kundrejt vlerës 150 mijë euro. Por duket se Kryeprokurorja ka bërë një gabim të vogël në deklarimin e kësteve mujore që duhet të paguajë. Sipas asaj çka shkruhet në formular, Ina Rama ka paguar vetëm një këst të kredisë më 31 dhjetor për shumën 500 euro, ndërsa afati i shlyerjes është 25 vjet. Në rast se është vërtet kaq kësti i kredisë, atëherë rezulton se kredia e marrë nga zonja Rama pranë bankës “Credins” të jetë pa përqindje interesi, sepse pas 25 vjetësh shuma do jetë sërish 150 mijë euro, pra sa borxhi fillestar, gjë që spara ndodh me kreditë bankare.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›