E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia gjyqësore, kritere të reja

06/07/2010 Reforma në gjyqësor, Qeveria ndryshon rreth 80 për qind të ligjit të vitit 2000

Garancitë ndaj presioneve, rregullat e emërimit të punonjësve, përfitimet financiare

Në kuadër të reformës në drejtësi, reformimit të sistemit gjyqësor në organin e prokurorisë dhe në Policinë Gjyqësore, Qeveria i ka propozuar Kuvendit të Shqipërisë ndryshimin e ligjit “Për organizimin dhe funksionimin e Policisë Gjyqësore” për rreth 80 për qind të neneve. Ky projekt parashikon kritere shtesë për emërimin e oficerëve dhe agjentëve të policisë,bën një ndarje specifike të llojeve të shkeljeve disiplinore, masave disiplinore, si dhe të drejtën e punonjësit të policisë gjyqësore për tu ankuar në gjykatë. Po ashtu, në të parashikohet edhe ndryshimi i trajtimit financiar të oficerëve dhe agjentëve të seksioneve të Policisë Gjyqësore, duke rritur pagën e tyre për vjetërsi në punë. Organizimi i seksioneve të Policisë Gjyqësore është lënë i pandryshueshëm, por është parashikuar përfshirja në to e specialistëve të fushave të ndryshme të ekspertizës, me cilësinë e oficerit të Policisë Gjyqësore, që mund të emërohen nga Prokurori i Përgjithshëm. Në veçanti projekti ka përcaktuar detyrimin e oficerit apo të agjentit të Policisë Gjyqësore për të përmbushur funksionet e tij ligjore, pavarësisht nëse nuk shërben në një shërbim të caktuar të Policisë Gjyqësore, nga territori dhe rrethanat ku ndodhet, nëse gjendet jashtë kohës së kryerjes së shërbimit, me qëllim forcimin e pozicionit të pjesëtarëve të seksioneve gjyqësore gjatë ushtrimit të funksioneve të tyre, si një garanci procedurale ndaj ndërhyrjeve apo presioneve. “Pjesëtarët e seksioneve të policisë gjyqësore nuk mund të hiqen nga veprimtaria e Policisë Gjyqësore veçse me pëlqimin e Prokurorit të Përgjithshëm. Ata nuk mund të zëvendësohen apo të hiqen nga hetimet konkrete që u janë ngarkuar, pavarësisht çastit procedural në të cilin ky hetim ndodhet, përveç se me vendim të drejtuesit të prokurorisë”, përcaktohet në draftin e Ministrisë së Drejtësisë. Kushtet për caktimin e oficerit apo të agjentit në seksionet e Policisë Gjyqësore janë të ndryshme. Në këtë mënyrë, oficer mund të caktohet shtetasi që ka përfunduar program të ciklit të dytë, në rast se është i emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm, ose të plotësojë kriterin e arsimit sipas ligjit të institucionit ku bën pjesë; të ketë të paktën 4 vjet përvojë në profesion. Ndërsa agjentët duhet të plotësojnë kriterin e arsimit sipas ligjit për forcën policore ku bëjnë pjesë; të kenë të paktën 2 vjet përvojë në profesion. Por si për oficerët, ashtu edhe për agjentët, ndaj tyre nuk duhet të ketë masa disiplinore apo të mos ketë filluar ndaj tij ecuria disiplinore; të mos jetë i dënuar me një vendim penal të formës së prerë apo të mos ketë filluar ndaj tij procedim penal; të ketë cilësi të larta etiko-morale. Lidhur me pagën, ajo e oficerit të Policisë Gjyqësore, të seksioneve të prokurorive të rretheve gjyqësore dhe të prokurorive të apelit është e barabartë me 70 % të pagës së prokurorit të prokurorisë së rrethit gjyqësor. Pas 5 vjetësh në shërbim, në seksionin e Policisë Gjyqësore për çdo vit vjetërsi kjo pagë deri në 25 vjet shërbim shtohet me 2 % në vit.

Shtesat

Për kushte të veçanta pune, paga e oficerit të Policisë Gjyqësore të seksionit të Prokurorisë për Krime të Rënda dhe të Prokurorisë së Apelit për Krime të Rënda, si dhe të zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm shtohet me 20 %. Punonjësit e seksioneve të emëruar nga Prokurori i Përgjithshëm mund të përfitojnë shpërblime për merita profesionale.

Vlerësimi

Oficerët dhe agjentët vlerësohen nga drejtuesi i prokurorisë çdo vit. Vlerësimi “i paaftë” përbën shkak për fillimin e procedurës disiplinore për shkarkimin nga detyra. Ai nis brenda 6 muajve nga zbulimi i shkeljes, por jo më vonë se 3 vjet nga kryerja e saj. Sipas shkeljes, masat disiplinore janë: vëreje, ulje në detyrë nga 3-12 muaj, pezullim për 6 muaj dhe largim nga detyra.

Ankimimi

Punonjësi i Policisë Gjyqësore, ndaj të cilit është marrë masa për fillimin e procedimit disiplinor, mund të ankimojë në gjykatë vendimin e komisionit disiplinor. Masat disiplinore të parashikuara në këtë projekt shlyhen kur kanë kaluar 1 vit nga data që është dhënë masa e vërejtjes, dhe 3 vjet nga data kur ka përfunduar masa e dhënë për ulje në detyrë apo pezullim.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›