Pushtet për reforma a reforma për pushtet?!
Kjo është një histori e vjetër me pushtetin politik. Por jo vetëm me të. Prandaj, dhe ja vlen të konsiderohet me mjaft vëmendje ky problem i mprehtë për demokracinë shqiptare (natyrisht, jo në një plan të përgjithësuar teorik – historik, por në atë konkret e praktik). Jo se në vende të tjera, madje shumë më të zhvilluara, nuk luhet shpesh, madje dhe me tepricë, me fjalën “reformë”. Para e gjatë çdo fushate elektorale, por dhe në “100” ditët e para të çdo qeverie të re. Pse jo dhe brenda grupimeve partiake apo bashkësive të tjera me natyrë ekonomike, social-kulturore, etj. Kjo vazhdon të ngjasë edhe pse kohët e fundit në politikë më tepër se fjala “reformë” po krijon një efekt më të dukshëm elektoral e shumë më mbështetës në një rrafsh publik fjala “ndryshim”. Bile, edhe në fushatën e kandidatëve për presidentë në SHBA, për të konkurruar Obamën me bosht fushate ndryshimin, Makkejn e mbylli fjalën e tij në Konventën Republikane me shprehjen “the cange is coming” (“ndryshimi po vjen”)...
Reforma nënkupton një ndryshim të “butë”, njëfarë ndryshimi gradual të një gjendje të mëparshme, për aspekte të ndryshme të jetës politike e institucionale-administrative, ekonomike-financiare e social-kulturore. Prandaj, reforma, në një kuptim apo tjetrin, dallohet nga ndryshimi revolucionar apo përmbysja radikale, pothuajse e menjëhershme e asaj, që ekzistonte më parë. Bazuar në këtë dallim parimor, reforma duhet parë më shumë si një rafinim i ngadalshëm i një gjendje të mëparshme, apo, ndryshe, si një rrugë për të mënjanuar defekte e mangësi, gabime të konstatuara, pa e ndryshuar fondamentin e sistemit konkret, që i nënshtrohet kësaj reforme. Pra, me anë të reformave, p.sh., atyre politike synohet të përmirësohet një sistem politik-kushtetues, të ndryshohen aspekte të veçanta të tij, por pa e hedhur tutje atë si të tërë apo goditur kolonat bazë të tij. Ndërsa me reformë, p.sh., në administratën publike kuptohen ndryshime strukturore, ligjore, teknike-procedurale për të rritur efektivitetin, transparencën e devotshmërinë brenda kësaj administrate, por jo për të bërë përmbysje emrash apo “revolucione” partiake, klanore e nepotike drejtuesish e punonjësish të thjeshtë. Apo, më konkretisht, për të realizuar objektiva të kamufluar ose të hapur, për ta “pushtuar” tërësisht këtë administratë me anë të një rotacioni radikal, duke larguar punonjësit e mëparshëm, qoftë dhe të spikatur në devotshmërinë, përgatitjen e kualifikimin e duhur të tyre, dhe duke i zëvendësuar ata me militantë e “besnikë”, bile pa përvojën e përgatitjen profesionale minimale, pse jo dhe me të shkuar problematike, jo rrallë edhe në planin civil e moral! Bile, me emrin “reformë” janë bërë deri ndryshime me emër të përveçëm për të njëjtën qeveri, thjesht e vetëm se ka ndryshuar drejtuesi i dikasterit. Shihni, p.sh., se sa shumë po flitet për reforma nga drejtuesit e rinj të spitaleve. Kjo vetëm e thjesht pse ka ndryshuar ministri! Praktikisht, e njëjta metodologji, që u pretendua e u realizua edhe në ndryshimin paraardhës! Por, në fakt, ky “zgjerim” i kuptimit real të reformës del jashtë çdo shtrati të ndeshur perëndimor. Ai është më shumë një prodhim militant shqiptar! Diku dhe nga humbja e besimit thjesht konsiderohet si i tillë. E njëjta gjë është shfrytëzuar me inflacion, bile hiperinflacion, në fillim të rotacionit politik të vitit 2005 me pretendimin e një “lufte të shenjtë” ndaj korrupsionit, kur sot shihet se nëpërmjet kësaj lufte vetë ky korrupsion ka “gufuar” në mënyrë dramatike. Madje, nga shumë të dhëna, duket se vetë ndryshimi radikal sikur e ka synuar mbulimin e tij...
Veç kësaj, me fjalën reformë, në një përdorim shumë më të gjerë, nënkuptohen sot dhe strategji të propozuara, të synuara apo të realizuara, për të arritur ndryshime pozitive në shërbimet publike, siç është shërbimi mjekësor dhe ruajtja e mjedisit, në fushën e edukimit dhe të kulturës, në politikën ekonomike e financiare, etj. Apo dhe për reformë shkencore, por jo për shkatërrim të kërkimit shkencor dhe të institucioneve organizuese e drejtuese të tij. Edhe ato pak njësi shkencore relativisht efektive 1-2 vjet më parë, sot rezultojnë krejtësisht të hallakatura! Po kështu, mund të flitet për reformë në sistemin zgjedhor, në drejtësi, në forcat e armatosura, në policinë e shtetit, në shërbimet inteligjente, etj. Por jo për kërrabë përfitimi politik e ekonomik, në njërën anë, apo për përqendrim pushteti në një dorë të vetme, në anën tjetër! E tillë ishte, p.sh., dhe prirja e fundit për ta telendisur, pra dhe për ta “pushtuar” prokurorinë! Apo, aq më tepër, kur konstatohen veprime që shkelin dhe standardet më minimale të lirisë së tregut, të lirisë dhe të drejtave të njeriut. Një karakteristikë tjetër kjo, tepër evidente, e veprimit të sotëm ekzekutiv e legjislativ shqiptar, manifestuar deri me një mori kthimesh pseudo-reformash ligjore nga Gjykata Kushtetuese...
Krahas nevojës permanente për një reformim politik-institucional, social-kulturor e ekonomik-financiar të një shoqërie apo vendi, për arsye të vetë ndryshimeve të pandërprera hapësinore-kohore në plan global e lokal, përfshirë dhe kushtet konkrete ekonomike-financiare e mendësinë social-kulturore, nuk mund të mohohet se fjala “reformë” në Shqipëri ka shfaqur vitet e fundit një aspekt të pastër propagandistik, sidomos në prag të fushatave elektorale. Por, edhe situata aktuale po manifeston të njëjtat tipare “inflacioniste” në ushtrimin e pushtetit ekzekutiv, përfshirë dhe synimet për ndryshime legjislative. Për më tepër, kjo “lojë” e gjoja reformave të kryera, midis dy fushatave zgjedhore, në fakt, ka manifestuar me mjaft qartësi prirje të vjetra autokratike, me orekse e përqendrime fuqie, me “teknologji” konkrete, sa aplikative-kërrabore, po aq dhe spekulative. Krahas kësaj prirjeje për më shumë pushtet apo, më saktë, për “uzurpim” pushteti, janë manifestuar dhe aspekte të tjera negative, të kushtëzuara në ndonjë rast me pamundësinë dhe vlerësimin e gabuar të kushteve konkrete, herë të tjera me paaftësinë profesionale apo patologjinë e “ëndërrimit” dhe të euforisë, diku tjetër me mungesën e vullnetit politik, qoftë dhe për të fshehur abuzimin, korrupsionin e krimin ekonomik, nisur nga ai politik.
Shembulli më tipik në politikën shqiptare, është, p.sh., ai që për kryerjen e një reforme zgjedhore, të përsëritur pas çdo procesi zgjedhor dhe të stërzgjatur në vite menjëherë pas tij, është luajtur me maksimumin e “interesit” politik (krejt larg interesit qytetar), si në hapësirë-kohë, ashtu dhe në përmbajtje! Madje, aty është manifestuar shumë qartë dhe “gjeneza biologjike” e politikës shqiptare. Kjo edhe për arsyen se pas gati 20 vjetëve pluralizëm partitë politike, veçanërisht ajo në pushtet, u ngjajnë grupeve me “dominancë hierarkike”. Akoma, individë me status hierarkik më të lartë i mënjanojnë fare apo i zhvendosin nga hapësira e drejtpërdrejtë e veprimtarisë politike, pa ndonjë merak të madh, ata që kanë status politik më të ulët, edhe pse aty mund të ndeshen kapacitete shumë më të larta organizuese, drejtuese e vendim-marrëse, të dalluara në rrafshin moral e profesional. Pse jo dhe një pavarësi mendimi, gjykimi, analize, veprimi e sjellje. Nuk përjashtohet, që këto hierarki nuk janë fikse dhe varen nga një numër faktorësh që ndryshojnë, por më e keqja është kur ato përfshijnë në “lojën e fuqisë” deri rrethin familjar e klanor, siç po shihet, mjaft qartë, dhe kohët e fundit. Midis këtyre faktorëve mund të radhiten, po ashtu, diku interesat, diku bindja e shërbimi, diku agresiviteti, diku gojë-mbyllja, dhe mjaft më rrallë aftësia e inteligjenca. Shpesh, ky status ruhet edhe duke kërcyer pa ndonjë pozicionim parimor, nga një i “fortë” tek tjetri që bëhet i “fortë”, duke braktisur (jo për ide) atë që po humbet dhe duke u bashkuar me fitimtarin (jo për zotësinë e tij). Kjo “lojë hierarkike”, që po shfaqet si rrugë për të ruajtur pseudo-pozicionin politik e social, mund të rezultojë si një “impetus” pengues në evolucionin normal të “trurit” politik e institucional. Pra, dhe në reformimin real të tij, pa të cilin çdo “reformë” (lexo pseudo- apo anti-reformë) do t’iu shërbente, në radhë të parë, pushtetit dhe “sundimtarëve” të tij. Ndërkohë që pushteti duhet t’u përgjigjet ndryshimeve dhe t’i realizojë ato për t’u shërbyer qytetarëve. Vetëm atëherë këto ndryshime mund të pagëzohen me emrin reformë!...