E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e BE-së, liberalizimi vendoset më 9 nëntor

Komisioni Europian mbyll ekspertizën në terren për vizat dhe statusin kandidat të Shqipërisë

Shqiptarët do të marrin përgjigje për liberalizimin e vizave në fillim të muajit nëntor të këtij viti. Këshilli i Ministrave të Brendshëm Europianë ka marrë vendimin të shqyrtojë në mbledhjen e datave 8-9 nëntor kërkesën e Shqipërisë dhe Bosnjës për të lëvizur pa viza në zonën Shengen. Në këtë kuadër, në rast të një vendimi pozitiv nga ministrat e Brendshëm të BE-së, hyrja në fuqi e liberalizimit ndodh 20 ditë pas miratimit dhe përkon me festat kombëtare të Shqipërisë. Nga ana tjetër, KE-ja ka mbyllur dje vëzhgimet e saj në Shqipëri, për sa i përket plotësimit të kushteve shtesë për liberalizimin, por edhe për statusin e vendit kandidat. Shtatori dhe nëntori pritet tashmë të jenë decizivë për “fatin” europian të Shqipërisë.

Vizat

Ekspertët e Komisionit Europian mbyllën dje misionin e tyre të fundit në terren dhe pas vizitës treditore në Tiranë pritet në muajin shtator edhe vlerësimi i tyre për kriteret që Shqipërisë i kishin mbetur për të plotësuar në këtë proces. Sipas zyrës së shtypit të KE-së në Tiranë, muaji shtator do të jetë deciziv për sa i përket ambicies së shqiptarëve për të lëvizur të lirë pa viza drejt vendeve Shengen. “Duke u bazuar në raportet e ekspertëve, shërbimet e Komisionit Europian do të përgatisin vlerësimin e tyre për përmbushjen e kritereve të mbetura. Ky vlerësim do t'i paraqitet në muajin shtator Parlamentit Europian dhe Këshillit Europian, të cilët do të vendosin më pas për heqjen e detyrimit të vizave për qytetarët e Shqipërisë”, theksohet në njoftimin për shtyp, duke lënë të kuptohet se këto institucione do të vendosin në mënyrë përfundimtare nëse shqiptarët do të lëvizin pa viza në fund të këtij viti. Përfaqësuesit e lartë të Komisionit Europian kanë përsëritur se liberalizimi i vizave për qytetarët shqiptarë është një proces teknik dhe bazohet në meritën e çdo vendi për të përmbushur një sërë kushtesh të përcaktuara qartë. Por normalizimi i situatës politike deri në muajin shtator do ta ndihmonte më shumë këtë proces. Kjo, nisur edhe nga fakti se vendimi përfundimtar për heqjen e vizave do të merret nga Këshilli i Ministrave të Brendshëm të çdo vendi anëtar të BE-së, duke e bërë vendimin edhe politik.

Statusi

Por jo vetëm ekspertët për vizat kanë përfunduar vëzhgimin e tyre në terren. Fund këqyrjes së zhvillimeve në Shqipëri i kanë dhënë edhe ekspertët e KE-së për kërkesën e vendit tonë për të pasur statusin kandidat në Bashkimin Europian. Burime bëjnë të ditur se nga muaji prill i këtij viti deri në shtator, Shqipërinë e kanë vizituar gjashtë grupe ekspertësh të KE-së për përmbushjen e kritereve të kërkuara për statusin e vendit kandidat. Pas shqyrtimit edhe të pyetjeve shtesë të Pyetësorit të KE-së, ekspertët do të formulojnë edhe opinionin e tyre për këtë kërkesë të vendit tonë. Më pas do të jetë Parlamenti Europian dhe Këshilli i BE-së, të cilët do të vendosin për aprovimin ose jo të statusit të vendit kandidat në BE. Në këtë pikë, kriteri politik i vendit tonë ka një rëndësi të veçantë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›