Oketa: Institucionet, jo si grupime ushtarake

Deputeti demokrat, Gazmend Oketa, flet për gjuhën e ashpërsuar ditët e fundit mes kreut të shtetit, Bamir Topi, dhe PD-së, si rezultat i dekreteve të rrëzuara të Presidentit në Parlament. Në një intervistë për “Shqip”, ish-ministri i Mbrojtjes, Oketa, deklaron se është e rëndësishme që marrëdhëniet mes Presidentit, shumicës dhe institucioneve në përgjithësi duhet të jenë në harmoni, për të pasur një funksion të mirë të shtetit. Por sipas Oketës, këto tensione janë normale nëse ndodhin në një terren ligjor. Nga ana tjetër, ai flet edhe për ligjin e ri të SHISH-it që po diskutohet në Komisionin e Sigurisë në Parlament.
Komisioni i Sigurisë është duke marrë në shqyrtim projektligjin për kontrollin parlamentar të Shërbimit Informativ Shtetëror. çfarë parashikon ky draft?
Deputetëve të Komisionit Parlamentar të Sigurisë i është vënë në dispozicion një draft i projektligjit mbi kontrollin parlamentar të shërbimeve informative dhe atyre të sigurisë. Aktualisht jemi në fazën e njohjes me këtë draft dhe akoma nuk kanë filluar diskutimet apo propozimet konkrete lidhur me këtë projektligj. Nuk besoj se diskutimi i këtij drafti do të jetë pjesë e axhendës së Komisionit të Sigurisë dhe as të Kuvendit brenda këtij muaji. Me sa jemi njoftuar, OSBE-ja do të asistojë me ekspertizë komisionin tonë gjatë diskutimeve për këtë projektligj. është ende tepër herët për të dhënë një opinion apo koment të plotë e të saktë lidhur me këtë draft.
është rikthyer në axhendën e Kuvendit projektligji për Shërbimin Informativ Shtetëror të ndryshuar. Muaj më parë, ky projektligj u ‘ngri’ pas reagimeve të ambasadës amerikane, por edhe mesazheve të sekretarit të përgjithshëm të NATO-s. Pse rikthehet sërish ky projektligj?
Nuk kam dijeni dhe në axhendën e Komisionit të Sigurisë nuk kemi parashikuar ridiskutimin e projektligjit, të cilit ju i referoheni. Kam përshtypjen se drafti për të cilin fola më lart ka krijuar perceptimin se bëhet fjalë për ligjin e Shërbimit Informativ Shtetëror. Në fakt janë dy ligje të ndryshme dhe ligji për kontrollin parlamentar nuk është një ndryshim ligji, por është tërësisht i ri.
Deputetë të PS-së kanë denoncuar publikisht pas raportimit të kreut të SHISH-it në Komisionin e Sigurisë, Shqipëria është e rrezikuar nga mafia ruse dhe italiane. Cili është gjykimi juaj mbi këtë çështje?
Personalisht mendoj se lajm nuk duhej të bënte ajo çka deputetë të PS-së kanë pretenduar se janë pjesë të raportit të SHISH-it para Komisionit të Sigurisë, por lajm duhet të bënte fakti se deputetë apo përfaqësues të opozitës në mënyrë të çuditshme bëjnë publik një informacion, i cili është i klasifikuar. Më tepër sesa të theksohej kjo fjali, besoj se duhej theksuar kjo papërgjegjshmëri e opozitës përkundrejt disa çështjeve me rëndësi për sigurinë kombëtare. Normalisht duhej të kishte një reagim edhe nga ana e institucioneve, të cilët kanë përgjegjësi direkte mbi ruajtjen e informacioneve të klasifikuara. Unë nuk do doja të zgjatesha më tepër me këtë çështje, por do të theksoja se bazuar në raportimin e SHISH-it para Komisionit të Sigurisë, Shqipëria nuk ka aktualisht rreziqe, të cilat të cenojnë sigurinë në vend. Se çfarë synojnë grupe kriminale apo organizata mafioze, është njëra anë dhe sa të përgatitur e të informuar ne lidhur me këto tentativa është ana tjetër dhe besoj më e rëndësishmja.
Ditët e fundit ka pasur një gjuhë të tensionuar mes Presidentit dhe disa përfaqësuesve të mazhorancës. Mos vallë nga “korrekte” këto marrëdhënie po kthehen në “politike”, duke iu referuar rrymave brenda së djathtës?
Më tepër sesa toneve apo gjuhës së deklaratave, besoj se vëmendja duhet përqendruar te raportet ndërmjet institucioneve dhe korrektesa e këtyre raporteve institucionale referuar gjithmonë Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi. Mendoj se raportet ndërmjet institucioneve nuk duhen parë si raporte ndërmjet grupimeve ushtarake. Në një vend demokratik raportet ndërmjet institucioneve duhet të jenë në harmoni ashtu siç duhet të jenë në harmoni të gjitha sistemet e një autoveture. Një autoveturë me motor të fuqishëm, por pa sistem drejtimi apo frenimi të harmonizuar me motorin nuk do të shkonte shumë larg. Mendoj se e njëjta gjë vlen edhe për një sistem institucionesh demokratike. “Fitoren” e një institucioni mbi një tjetër personalisht nuk e konsideroj si avantazh, por përkundrazi. Do të ishte kthim mbrapa, kalimi i raporteve nga korrekte, në raporte politike, pasi gjykoj se kjo gjë do të vononte rrugëtimin e makinës sonë drejt objektivave madhore.
A është konsultuar Presidenti paraprakisht me grupin e PD-së për kandidaturat e mundshme për anëtarë të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese? Po vendimi për të rrëzuar tre kandidatura mund të cilësohet si një përshkallëzim i relacioneve mes mazhorancës dhe kreut të shtetit?
Ne dje votuam në Kuvend edhe kandidaturën e tretë për anëtar të Gjykatës së Lartë, kandidaturë e cila u rrëzua. Personalisht mendoj se më tepër sesa thjesht rrëzimi apo jo i një kandidature, debati duhet të jetë lidhur mbi procedurat dhe produktin apo rezultatin që këto procedura sjellin. Nuk jam nga ata që ekzaltohen shpejt dhe mbrojnë verbërisht dhe gjëra të cilat nuk i kanë bindje, por gjykoj se koha është verifikuesi më i mirë i saktësisë apo pasaktësisë të një apo disa vendimeve. Më tepër sesa rrëzimi i dy kandidaturave, apo përshkallëzimi i relacioneve shqetësimi duhet të jetë tek ajo çka përfiton vetë sistemi i drejtësisë, i cili formatohet në funksion të këtyre procedurave e vendimeve. Shqetësimi duhet të jetë për atë që përfitojnë apo jo qytetarët nga ky formatim i sistemit të drejtësisë dhe jo se si janë marrëdhëniet personale ndërmjet mazhorancës, opozitës dhe Presidentit. Më tepër se te raportet personale, theksi apo analiza duhet vënë te raportet institucionale dhe te ligjshmëria e vendimeve. Për sa kohë debatet apo dhe “përplasjet” ndodhin në një terren ligjor, ato janë të frytshme dhe pavarësisht se mund të ulin shpejtësinë e makinës së cilës iu referova më lart, apo dhe t’i sjellin defekte asaj, që makina të ecë përpara brenda këtij sistemi, koha bën që defektet të rregullohen.