Vrasja e Konomit, grupi hetimor analizon provat
Grupi hetimor po analizon të gjitha faktet për vrasjen e Franc Konomit, që dje mbushi një javë dhe ende nuk është zbardhur. Nën drejtimin e prokurorit të çështjes ka pasur një takim, ku janë analizuar provat që nga vendi i ngjarjes e deri te hetimet më të hollësishme të kryera gjatë këtyre ditëve.
Prokurori i çështjes ka mbledhur grupin hetimor të Drejtorisë së Policisë së Tiranës, të cilët kanë analizuar të gjitha faktet e nxjerra në dritë deri tani dhe janë lënë detyrat për të vazhduar hetimet me qëllim dokumentimin e plotë të kësaj ngjarje të rëndë kriminale, që tronditi Tiranën. Sipas të dhënave, analiza e parë u është bërë provave të gjetura në vendin e ngjarjes, duke nisur që nga plumbat e shtënë, gjurmët e ndryshme, viktima, telefoni i tij, apo edhe gëzhojat e sekuestruara. Më tej, policia ka kryer gjithë veprimet mbi mjetin, ku u vra Franc Konomi, duke e parë nëse ai ishte i rregullt që nga pronësia, e deri tek aktet e shitblerjes. Mjeti ka rezultuar se ka ardhur nga Italia dhe menjëherë vetë 42-vjeçari, i cili u vra më 8 korrik, ka kryer procedurat për pajisjen e tij me targa shqiptare. Më tej, dosja është parë për të gjitha telefonatat e kryera atë ditë nga Konomi, ose nga ato që ka pritur, ku janë thirrur edhe dëshmitarët përkatës.
Për të kaluar në një tjetër aspekt, grupi i punës ka analizuar të gjitha dëshmitë e mbledhura dhe i ka krahasuar ato me njëra-tjetrën, duke lënë edhe detyra përkatëse që disa prej personave, të cilët kanë lëshuar deklarata në polici. Disa prej të thirrurve nga policia, pasi mund të kenë dijeni për ngjarjen, do të thirren sërish, me qëllim saktësimin e thënieve të tyre, për disa probleme që ka pikasur grupi hetimor.
Ndërkaq, grupi hetimor ka vlerësuar edhe njëherë gjithë pistat e hetimit, duke filluar që nga ato të hakmarrjes, deri te konfliktet, ku Franc Konomi mund të ishte përzier ndër vite. Por, grupi hetimor ka shpjeguar se nga të dhënat e familjes nuk ka mundur të konkretizojë asnjë pistë me këto hetime, pasi nuk ka pasur dyshime konkrete.
Gjithashtu, me urdhër të prokurorisë janë vendosur nën përgjim disa numra telefonikë, ndërkohë që priten tabulatet e detajuara të telefonave të Franc Konomit, për të cilat janë bërë kërkesat përkatëse pranë kompanive celulare.
Mbi provat e mbledhura, burimet e prokurorisë thanë se autorët e krimit janë të moshës 25-30 vjeç. Ata mendohet se kanë bashkëpunuar me Konomin në shtete perëndimore. Gjithashtu, ata dyshohen edhe për grabitje të dhunshme dhe vrasje për hakmarrje. Grupi, sipas hetimeve, mendohet shumë i fuqishëm. Për këtë arsye, katër persona janë vendosur nën përgjim, si dhe në vëzhgim nga operacionet speciale. Aktualisht, për shkak edhe të informacioneve të shumta që kërkohen, po bashkëpunohet edhe me strukturat më të larta të policisë shqiptare dhe me ato homologe.
Franc Konomi u ekzekutua më 8 korrik, në mes të Tiranës. Babai i dy fëmijëve, një prej eksponentëve të cilësuar nga policia si më i rrezikshmi i botës së krimit në vend, sapo ishte ngjitur në makinën e tij luksoze tip “Benz”, me targë TR 0626 S, me ngjyrë të zezë, që e kishte parkuar në sheshin “Avni Rustemi”, rrugës që të shpie për te Pazari i Ri. Dy persona, të cilët udhëtonin me një motor me targa të huaja, i janë afruar me ngadalë dhe pa i thënë asnjë fjalë kanë qëlluar dhjetë herë në drejtim të tij. Gjashtë plumba e kanë zënë në trup Konomin, duke i shkaktuar vdekjen pak minuta më pas. Dëshmitarët i thanë policisë se autorët e krimit janë larguar me shpejtësi të madhe pa lënë asnjë gjurmë. Policia ka nisur menjëherë hetimet, duke shoqëruar dhjetëra persona, të cilët u ndodhën në vendin e ngjarjes, pasi krimi u regjistrua në mes të ditës dhe në një zonë mjaft të populluar të Tiranës.