E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e Financave përgatiten për G20-n

Ministrat e Financave nga grupi G20 i vendeve të zhvilluara dhe në zhvillim kanë premtuar të bëjnë "përpjekje të qëndrueshme" për ta nxjerrë ekonominë nga recesioni. "Jemi të përkushtuar për të ofruar një shkallë përpjekjesh të qëndrueshme, të nevojshme për rikthyer rritjen ekonomike", thuhet në deklaratën e përbashkët pas bisedimeve në Britaninë e Madhe.
Kancelari britanik, Alistair Darling tha se ministrat kishin rënë dakord që Fondit Monetar Ndërkombëtar t'i jepeshin më shumë fonde. Bisedimet erdhën në kohën kur qarkullonin njoftime për ndarje për sa i takon rrugës më të mirë përpara. SHBA-ja ka bërë thirrje për rritjen e shpenzimeve publike. Por disa vende evropiane duan që të përqëndrohen në ndryshimin e rregullave, në bazë të të cilave operojnë tregjet financiare. Kryeministri britanik, Gordon Brown i ka minimizuar njoftimet se Shtetet e Bashkuara dhe Evropa janë të ndara për krizën. Kryeministri po fliste gjatë një konference për shtyp me kancelaren gjermane, Angela Merkel, që vizitoi Britaninë. "Tani ne kemi në botë stimulimin më të madh fiskal të parë ndonjëherë dhe natyrisht që do ta shqyrtojmë këtë kur të vendosim se çfarë do të bëjmë në G20." "Mendoj se do të gjeni që vendet do të pajtohen me njëra-tjetrën, përsa i takon asaj që do të bëjmë në të ardhmen, si për politikat fiskale ashtu edhe ato monetare dhe në sistemin rregullator." "Unë besoj se po hapin rrugën për G-20, kur një nga një ne jemi duke arritur marrëveshje për çështjet e mëdha për të ardhmen."
Kancelarja Merkel mohoi që Gjermania hezitonte për të stimuluar ekonominë, duke thënë se një paketë stimuluese që kishte propozuar qeveria e saj përbënte 4.2 për qind të GDP-së, më shumë se në shumicën e vendeve të tjera. Ajo tha se dëshironte të njehsonte efektet e krizës përpara se të angazhohej për të dhënë më shumë para. Kryeministri Brown tha se marrëveshjet nga vendet që shihen si parajsa për shmangien e taksave, si Zvicra, Litenshtejni, Austria dhe Luksemburgu për të adoptuar standarte ndërkombëtare, tregoi atë që mund të kishte qënë e paimagjinueshme se mund të arrihej. Ai tha se SHBA-ja do të mund të mbështeste masat për të shtrirë regullatorët edhe në sektorë të tjerë të financave përveç bankave, si fondet private të investimeve.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›