Xhaferi: PDSH filloi politikën shqip dhe vazhdon shqip
Kryetari i Kuvendit qendror të PDSH, Arbër Xhaferi, tubimin me qytetarët e Dibrës e nisi me fjalë miradije për qytetin e dijes dhe arsimit "PDSH filloi politikën e vet me shqip dhe do të vazhdojë me shqip. Kjo nënkupton se pa institucione shqiptare nuk ka kuptim politika shqiptare, pa institucione kulturore shqiptare nuk ka kuptim politika partiake.
Prandaj ju premtojmë se PDSH asnjëherë nuk do të ikë nga kjo rrugë, PDSH gjithmonë do të mbetet besnike e premtimeve të marra", theksoi në fjalën e tij para qytetarëve dibran Arbër Xhaferi. Ndërkaq, kandidatja e PDSH-së për presidente shteti, Mirushe Hoxha, në takimin me qytetarët dibranë theksoi se oferta që iu dha nga ana e PDSH për të qenë kandidate presidenciale e kësaj partie është një nder i madh për të. "PDSH tregoi se ka respekt të posaçëm dhe kujdeset për kuadrot, prandaj morra obligimin dhe e përsëris edhe disa herë se nuk do t'ju zhgënjej. Dua të shpalos një temë, të zgjeroj idenë rreth institucioneve paralele të demokracisë konsensuale, dua të flas para së gjithash për çlirimin e fjalëve të nocioneve nga paragjykimet. Shoqëria e Republikës së Maqedonisë e dimë se është shoqëri multietnike dhe kjo është fakt i pakontestueshëm" , theksoi Hoxha Ajo u shpreh se oferta e PDSH është demokracia konsensuale e cila nënkupton institucione paralele si dhe të drejtën e vetos së popullit jo dominant por që në territoret e veta jeton si shumicë dhe jo vetëm të drejtën e vetos së grupit dominant.