E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e rinj, sot pritet dekretimi nga Presidenti

Presidenti i Republikës, Bamir Topi pritet të dekretojë sot dy ministrat e rinj, të përzgjedhur nga kryeministri Sali Berisha një ditë më parë për kabinetin e tij qeveritar. Sipas Kushtetutës, pas dekretimit nga presidenti Topi, emrat e Eduard Halimit dhe Aldo Bumçit duhet të votohen në Parlament.

Duke qenë se seanca e ditës së enjte, 21 korrik është e fundit për këtë sesion parlamentar, emrat e rinj të ministrave pritet të kalojnë nesër për votim, ose mazhornaca do të jetë e detyruar të thërrasë edhe një seancë tjetër jashtë kalendarit të punimeve, ku i vetmi rend dite do të jetë votimi për dy dekretet e emërimit.

Kryeministri Berisha përzgjodhi ditën e djeshme Eduard Halimin në krye të Ministrisë së Drejtësisë dhe Aldo Bumçin në krye të Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Eduard Halimi do të zërë vendin e lënë bosh nga ministri Bujar Nishani, aktualisht ministër i Brendshëm, pas kandidimit të Lulzim Bashës për Bashkinë e Tiranës.

Ndërsa vendin e Ferdinand Xhaferrit, ish-ministrit të Kulturës, i cili kandidoi në Durrës më 8 maj, do ta zërë Aldo Bumçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›