E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministrat e rinj të "Thaçit", premtimet e para

Ministrat e rinj të kabinetit Thaçi në ditën e parë të punës kanë premtuar reforma dhe rritje të cilësisë së qeverisjes.Ndryshimet sipas tyre kanë qenë të domosdoshme për të dëshmuar përkushtimin e Qeverisë së Kosovës për përmirësimin e administratën publike, shëndetësinë, bujqësinë dhe për të forcuar sundimin e ligjit në Kosovë.

"Ndryshimet në Qeveri po hapin një epokë të re sepse po krijohet një mentalitet që ndryshimet mund të bëhen", tha Edita Tahiri, Ministre e Administratës Publike të Kosovës. "Një ndër prioritetet e mia është që të kemi komunikim më të rregullt me policinë e Kosovës edhe në pjesën veriore dhe bashkë me EULEX-in të synojmë vendosjen e rendit dhe ligjit atje", tha Bajram Rexhepi, minsitër i Punëve të Brendshme të Kosovës.

"Integrimi është orientim i të gjitha shteteve të rajonit. është një sfidë e madhe, sigurisht se me energjitë dhe me bashkëpunimin që do ta ndërtojmë me institucionet vendore dhe ndërkombëtare do të mundësojmë që qytetarët e Kosovës të jenë më afër integrimit", tha Besim Beqaj, ministër i Integrimeve të Kosovës. "Do të angazhohem maksimalisht në mënyrë që qytetarët e Kosovës të jenë më të kënaqur me shërbimet që ofron sistemi gjyqësor i Kosovës dhe që në Kosovë të sundojnë ligji", tha Haki Demolli, ministër i Drejtësisë së Kosovës.

"Janë bërë shumë punë të mira. Mbetet që ato punë të vazhdojnë. Mbetet që prioritetet, objektivat prioritare dhe strategjike të kësaj ministrie të vazhdohen", tha Blerand Stavilevci, ministër i Bujqësisë së Kosovës. Energjitë e reja,siç i ka quajtur kryeministri Thaçi ministrat e tij të rinj,kanë zënë vendet e tyre edhe në sallën e Parlamentit të Kosovës,në seancën e rradhës.

Bul Salihu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›