E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha: Mbështetje të plotë policisë për operacionet anti-krim

11-01-2011 / Gazeta 55

Ministri i Brendshëm Lulzim Basha ka vlerësuar rezultatet e operacionit në shkallë të gjerë që po kryen Policia e Shtetit, në të gjithë vendin, për forcimin e rendit dhe sigurisë. “Plani i masave i vënë në veprim nga policia në të gjithë territorin e vendit ka për qëllim forcimin e kontrollit të territorit, identifikimin e personave në kërkim si dhe mbajtjen nën kontroll të fenomeneve të tilla si armëmbajtja pa leje apo akte të tjera në kundërshtim me ligjin. Ky plan masash përmbush një nga objektivat kryesorë të Policisë së Shtetit, të Ministrisë së Brendshme që janë rendi dhe siguria anembanë vendit. Siguria është një e drejtë e patjetërsueshme kushtetuese e çdo qytetari të Republikës dhe unë si Ministër i Brendshëm jam i vendosur dhe i jap mbështetjen e plotë Policisë në këtë operacion i cili vazhdon”, ka theksuar ministri Lulzim Basha.


Lidhur me akuzat që opozita ka drejtuar ndaj forcave të rendit për keqtrajtim të qytetarëve gjatë këtyre operacioneve ministri deklaroi:  “Nuk ka asnjë ankesë të depozituar gjatë ditëve që plani special i masave ka nisur dhe natyrisht që në çdo rast nëse ka ankesa të tilla do të trajtohen sipas ligjit, por ju garantoj se Policia e Shtetit po kryen detyrat e saj me profesionalitet dhe përkushtim të lartë”, thotë Basha.


Këto qëndrime, Ministri i Brendshëm Basha i shprehu pas analizës së veprimtarisë gjatë vitit 2010 të Gardës së Republikës. Ministri përgëzoi efektive të Gardës për përmbushjen me sukses të plotë të objektivit kryesor të saj, garantimin e sigurisë së institucioneve kryesore të vendit dhe e personaliteteve shtetërore dhe politike të vendit dhe të huaja. Një vleresim i veçantë është për kontributin e dhënë nga Garda e Republikës gjatë situatës së përmbytjeve në Shkodër, e po kështu për përballimin gjatë vitit të kaluar të një situate anormale sa i përket sigurisë së objekteve të rëndësisë së veçantë për shkak të bllokimit trejavor të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, gjatë protestave të opozitës.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›