E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Basha: Në gusht 2010 do të kemi një sistem modern evropian të adresave

Shqipëria prezanton bazën e të dhënave të sistemit të adresave, nis vendosjen e tabelave të emrave të rrugëve me ndihmën e BE-së dhe Prezencës së OSBE-së

Shqipëria brenda muajit Gusht 2010 do të ketë një sistem modern europian, elektronik të adresave të ndërlidhur me Regjistrin Kombëtar Elektronik të Gjendjes Civile. Për çdo shtetas shqiptar që figuron në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile do të korrespondojë një adresë e saktë në Regjistrin Kombëtar Elektronik të Adresave. Ky sistem i ri adresash, me bazë internetin, do të bëjë të mundur regjistrimin e saktë të shtetasve në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile. Gjithashtu, ai mundëson edhe kërkimin elektronik të adresave. Deklarata u bë nga Ministri i Brendshëm Z. Lulëzim Basha në konferencën për modernizimin e sistemit të adresave, organizuar në bashkëpunim me OSBE, ku u paraqitën ecuria e deritanishme e projektit dhe detyrat për t’u realizuar deri në përfundimin e plotë të tij. Basha siguroi se Ministria e Brendshme do të vërë në funksion të realizimit të këtij projekti të gjitha njohuritë, energjitë dhe financat e nevojshme në mënyrë që projekti të zbatohet në përputhje me praktikat më të mira në të gjithë Shqipërinë. Ministri Basha tha se nëpërmjet përgatitjes së gjithë infrastrukturës ligjore në më pak se një vit, gjatë vitit 2008 u arrit që në bashkëpunim me qeveritë vendore të emërtoheshin pjesët publike të territorit dhe pas kësaj nën mbështetjen e fuqishme të Kryeministrit projektit iu vunë në dispozicion materialet e fotografimit ajror të territorit, që zyrat e urbanistikës në njësitë e qeverisjes vendore të mundësojnë: Përditësimin elektronik të pjesëve të territorit me teknologji që lejojnë përditësimin dhe transmetimin elektronik të të dhënave; sistemet GIS. Evidentimin e çdo qelize apo pjese të qenësishme të territorit, njësinë kujt i përket, pranë cilës pjesë publike ndodhet etj, etj Krijimin pranë çdo njësie vendore të regjistrit elektronik të adresave. Ministria e Brendshme ka siguruar të gjitha pajisjet hardëare dhe softëare duke krijuar kështu infrastrukturën e nevojshme, proces i cili ka kaluar përmes disa etapave si: vektorizimi i materialit ortofoto, evidentimi i të gjitha pjesëve të territorit publik dhe emërtimi i tyre, numërtimi i ndërtesave dhe përcaktimi i hyrjeve të tyre, përcaktimi i vendit të vendosjes së tabelave, krijimi i strukturës së bazës së të dhënave, si dhe plotësimi i saj me të dhënat përkatëse,-deklaroi Ministri Basha. Kryetari i Delegacionit të Komisionit Europian në Tiranë, Z. Helmut Lohan, gjatë fjalës së tij në konferencë, shprehu vlerësimin për punën e deritanishme dhe theksoi nevojën e shtimit të përpjekjeve nga zyrat e urbanistikës në të gjitha njësitë e qeverisjes vendore për të realizuar detyrat e mbetura deri në realizimin e plotë të projektit të modernizimit të sistemit të adresave. Po kështu edhe Zv.ambasadorja e pranisë së OSBE-së Znj. Renate Herrmanns deklaroi se të gjitha njësitë e qeverisjes vendore kanë kryer një punë të madhe për realizimin e detyrave të përcaktuara për krijimin e sistemit të adresave dhe se një pjesë e mirë e tyre kanë avancuar më shumë duke qenë tashmë fare pranë vendosjes në terren edhe të tabelave dhe emërtimeve përkatëse. OSBE do të financojë prodhimin dhe vendosjen e tabelave në Bashkinë e Sarandës. Për këtë qëllim gjatë kësaj konference u nënshkrua memorandumi mes OSBE-së dhe Bashkisë së Sarandës. Ndërkohë prodhimi dhe vendosja e tabelave për grupin e parë të bashkive të mëdha të Shqipërisë, konkretisht në 10 bashki, do të financohet nga Banka Botërore nëpërmjet projektit LAMP dhe brenda këtij muaji do të kryhet procedura e tenderimit. Procesi i numërtimit të banesave në të gjithë Shqipërinë parashikohet të përfundojë në mars të vitit të ardhshëm, ndërsa popullimi i sistemit, pra përcaktimi i një adrese të saktë në sistemin e adresave për çdo individ të regjistruar në Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile është parashikuar të përfundojë në muajin Gusht 2010.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›