Ministri Beqiri priti Dr. Horst Seel

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Valton Beqiri, priti Dr. Horst Seel, Menaxher i projektit të GTZ-së “Reforma në arsimin fillor në Kosovë”
Gjatë këtij takimi, Dr. Horst Seel e falenderoi Ministrin Valton Beqiri për bashkëpunimin e deritashëm ndërmjet MKRS-së dhe GTZ-së. Më tutje, ai ia prezantoi Ministrit Beqiri nismën për realizimin e një projekti në lidhje me reformimin e edukimit shkollor të nivelit bazik, dhe me angazhimin e GTZ-së për avancimin e edukimit joformal. Në këtë kontekst, ai kërkoi mbështetje nga MKRS për realizimin e këtij projekti.
Ndërkaq, Ministri Valton Beqiri e falënderoi z. Horst Seel për angazhimin e tij dhe të GTZ-së në realizimin e projekteve të ndryshme të përbashkëta me MKRS-në dhe, njëkohësisht, i shprehu atij mbështetje për realizimin e këtij projekti të ri. MKRS e çmon angazhimin e vazhdueshëm të GTZ-së, tha Ministri Beqiri, duke përfunduar se në kuadër të këtij projekti MKRS mund të angazhohet dhe të kontribuojë përmes strukturave të Departamentit të Rinisë.
Ishte konstatim i përbashkët se bashkëpunimi i deritashëm ndërmjet MKRS-së dhe GTZ-së ka rezultuar me realizimin e disa projekteve të suksesshme dhe se, në këtë kontekst, ky bashkëpunim duhet të thellohet dhe të zgjerohet më tutje me projekte të reja.