E Shtunë, 31 Tetor 2026

Poezi të Pojanakut në Athinë

Botimi
Përkthehen në gjuhën greke poezitë e poetit pogradecar

Dhimitër Pojanaku hedh muzën e tij krijuese në qiejt mistikë, atje mendimi i tij filozofik zë vend kah e vërteta. Të shkruarit, sipas një modeli filozofik, nxjerr virtyte të reja shpirtërore, që gati kurdoherë shpien në të vërtetën e shpirtit të lirë, që lind nga një qiell mistik. Fjala e tij është më shumë se një lindje frymëzuese e mëhershme brenda shpirtit të tij të lirë, që vihet përballë kohës së turmës, ku trishtimi ngjitet pabesisht fytyrës njerëzore. Me anë të fjalës emocionale, poeti dëshmon kundrejt humbjes, trishtimit shpirtëror, çhumanizmit njerëzor; mbase kjo është një veti e tij e mirë që shquan botën e shpërfillur nëpërmjet të drejtës natyrore, që është arsyeja ndaj të vërtetës njerëzore. Poezia e tij është një grusht i fuqishëm ndaj revoltës, ndaj turmës dhe ndaj trishtimit të verbër të shpirtrave të lirë, dhe nëpërmjet fjalës, tekave të tij hënore, ai mund çdo lakuriqësi mendimesh që mundohen ta zhveshin autenticitetin njerëzor. Një traktat intelekti prej poeti filozof mund të vihet përballë çdo të mete që e ndikon botën dhe ligjet e saja fizike. Poeti Pojanaku, përpos që është fitues i “Pendës së argjendtë” me librin poetik “Gurët zbardhin natën”, në vitin 2003 dhe i shumë çmimeve të tjera ndërkombëtare, ai si një hark triumfon mbi fjalën e lirë që godet humbjen njerëzore, dhe sërish ringjallet me poezitë dhe profecitë e tij të reja, duke i hedhur në revistën tremujore greke, “Mavdhragaras”. Poezitë e tij si "Selanikut", “Monologu i Kullës së bardhë", “Mars”, “Nock down”, “Mullarët”, “Natyrë e qetë”, “Nga lajthitjet e erës”, “Ullinjtë e mplakur”, “Dashuri”, “Grushte natës”, janë botuar me tepër përkushtim e finesë nga botuesi. Kjo qasje e re e revistës greke ndaj poezive të tij të përkthyera në gjuhën greke krijon modelin e ri të edukimit shpirtëror mbi njeriun.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›