Qytetet shqiptare në defterët osmanë
Libri
Historiani Ferid Duka sjell librin e ri, “Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare”
Vite të tëra studime për periudhën osmane kanë sjellë një botim të plotë të historianit Ferid Duka. “Shekujt osmanë në hapësirën shqiptare”, pasqyron tema që paraqesin vështirësi, por dhe sfida, si në rastin e Himarës, e cila është parë në këndvështrimin demografik e social. “Kam studiuar disa nga qytetet kryesore, si Vlora, apo Gjirokastra, të shoqëruara me dokumente origjinale që flasin për to, siç është defteri osman. Fokusi i studimeve të mia kanë qenë edhe pakicat joshqiptare, që kanë banuar në territorin tonë e janë bërë pjesë e historisë shqiptare. Përveç Dropullit, i cili në fillim banohej nga popullsi shqiptare e vllahe e më pas nga një popullsi e helenizuar greqishtfolëse, kam analizuar edhe grupe etnike të ardhura që larg, siç kanë qenë hebrenjtë. Një studim i veçantë i takon çamërisë në shek. XV-XVI, për të cilën kam shqyrtuar një dokumentacion të panjohur më parë. Jam i kënaqur t’i shpalos lexuesit brenda e jashtë vendit pasurinë e madhe që paraqet periudha osmane, e cila ndihmon për kthjellimin e historisë shqiptare dhe në perceptimin e shumë çështjeve paraosmane”, shprehet Duka. Duke qenë se një pjesë e mirë e dokumenteve mbështesin idenë e autoktonitetit edhe në qytete të diskutueshme si Himara, Duka thekson se libri i ri i tij ndihmon në kuptimin e problemeve që lidhen me identitetin e shqiptarëve.
#