E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zënkat e para në shtëpi

“Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël, sa e dëlirë” ka qenë edhe motoja e provës së parë që Vëllai i Madh ka vendosur për banorët e shtëpisë. Ai i ka befasuar ata me një edicion lajmesh si ato të viteve ‘80, duke u përshtatur kështu edhe me frymën e përgjithshme të shtëpisë. Ndërkaq, mes banorëve ka ndodhur edhe sherri i parë. Seldi dhe Pamela kanë debatuar me tone të ashpra me Jetmirin e Oltën

Pamela: Mos na përflisni!
Vëllai i Madh ka vendosur t’u paraqesë banorëve provën e parë javore. Ai i befason banorët me një edicion lajmesh alla vitet ‘80. Spikeri i dikurshëm i TVSH-së, zoti Kiço Fotiadhi, bën prezantimin e revistës televizive dhe provës javore. Motoja e provës ishte “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dëlirë”. Ndërkaq, në shtëpinë më të madhe në vend ka ndodhur edhe përplasja e parë. Seldi dhe Pamela janë zënë me Jetmirin e Oltën. Në qendër të sherrit ka qenë Pamela, për të cilën Olta e Jetmiri kanë folur pa praninë e saj.
Seldi – Pamela VS Jetmiri – Olta. Sherri i parë në shtëpi
Seldi thotë se ndihet i prekur që Pamela është bërë objekt bisede. Olta ka folur me Seldin për Pamelën. Seldit s’i vjen mirë për këtë. Olta është bërë aleate me Jetmirin dhe të dy flasin kundër Pamelës. Debati fillon në oborr, ku Pamela shprehet se është indinjuar që ata flasin për të dhe Seldin. Olta thotë që s’i plas fare. Jetmiri është gjithashtu dakord. Olta shumë e acaruar vazhdon të ngrejë zërin në dhomën e gjumit.
Prova e parë  javore
Big Brother befason banorët me një edicion lajmesh alla vitet ‘80. Spikeri i dikurshëm i TVSH-së, zoti Kiço Fotiadhi, bën prezantimin e revistës televizive dhe provës javore. Në të përshkruhej prova javore, e cila ka të bëjë me nxjerrjen e vlerave të gjuhës shqipe, njohuritë e banorëve. Kjo provë ka si moto “Gjuha jonë sa e mirë, sa e ëmbël sa e dëlirë”. Banorët e pëlqejnë shumë atë. Ajo vë menjëherë në lëvizje Kikën, i cili duket entuziast, sidomos kur dëgjon në sfond poezitë.
Pamela dhe Seldi
Pamela dhe Seldi bisedojnë  rreth tyre. Seldi i propozon Pamelës që të shtiren te banorët sikur janë lidhur, sikur janë një çift, për të parë reagimet e tyre. Pamela në fillim i thotë që ajo nuk di të shtiret, preferon të jetë natyrale në gjërat që ndjen. Ndërkohë, banorët e tjerë kanë filluar të gjithë të komentojnë çiftin, duke ngritur hipoteza. Më shumë nga të gjithë duket të jetë i prekur Jetmiri.
Dashuri apo lojë?
Banorët e tjerë duken të  habitur me sjelljen e Pamelës dhe Seldit si çift e këtë gjë e diskutojnë dhe mes tyre. Bertina mendon se është veçse një lojë, sepse nuk mund të lidhen brenda kaq pak kohësh, por Jetmiri habitet me fjalët e dashurisë që ata i thonë njëri-tjetrit, ndërsa Olta shton se një ditë më parë ata ndenjën shumë gjatë bashkë në dhomë vetëm dhe se kur dolën Seldi e puthi në buzë Pamelën e të gjitha këto të bëjnë të mendosh se ata janë çift i vërtetë. Seldi afrohet pranë grupit që diskuton këtë gjë dhe Olta përfiton për ta pyetur në sy nëse ata u puthën vërtet dhe ai e pranon këtë dhe se zyrtarisht janë të lidhur. Jetmiri i uron fat për lidhjen, por Seldi ia kthen se vërtet u lidhën, por nuk i dihet si mund të ecë, apo sa mund të zgjasë kjo lidhje. Seldi largohet, ndërkohë që biseda vazhdon. Bertina insiston se është një lojë dhe se kjo gjë do duket shpejt, ndërsa Olta shton se Pamela i ishte dukur sikur “këputej kollaj”, por për Seldin ishte e bindur që vetëm tallej me këtë histori. Jetmiri thekson se ata nuk duhet të qëndrojnë gjithnjë veç, vetëm sepse kështu do mund të nominohen më lehtë nga të tjerët. Bertina mendon se ata mund të kenë bërë një pakt për spektakël, por Jetmiri dhe Olta mendojnë se një pakt në sy të publikut do u ulte pikë e do dukeshin gënjeshtarë vetëm në sy të banorëve. Bertina hedh edhe idenë se ajo mund të sillet kështu për të bërë xheloz Jetmirin dhe Erionin, me të cilët i ka shkëputur marrëdhëniet e mëparshme. Jetmiri shprehet se kjo do të ishte pa kuptim dhe se nuk mund të bëhet xheloz për dikë që nuk i intereson. Seldi vjen sërish dhe ata e pyesin për arsyet e vërteta të lidhjes, nëse është dashuri apo lojë, dhe ai përgjigjet se është simpati dhe se shoqëria aty ia dha këtë mundësi e ai e shfrytëzoi. Seldi nuk u bën të ditur atyre se realisht është një lojë.
Interesi për vajzat
Seldi dhe Jetmiri, të mbetur vetëm në kopsht, bisedojnë për lidhjen e re në shtëpi dhe për Pamelën. Seldi tregon se nuk i pëlqen sjellja e Oltës, e cila flet për Pamelën keq, sidomos në sy të tij. Jetmiri i thotë se çdo njeri ka të drejtën të thotë çdo gjë që mendon, por Seldi nuk pranon që këto të ndodhin pa praninë e personit për të cilin flitet. Ai shton se nëse dikush ka diçka për t’i thënë dikujt, le t’ia thotë personalisht e jo në grup. Djemtë bisedojnë për mundësinë e krijimit të lidhjeve të tjera. Jetmiri tregon se Erioni ka simpati për Bertinën e këtë gjë ia ka vënë në dukje. Ai shprehet se nëse ndonjë nga vajzat do tregonte interes, do e merrte në konsideratë. Jetmiri tregon edhe se e ka ngacmuar Oltën, por s’ka pasur asnjë reagim prej saj.
Lidhjet në BB3
Edhe të tjerët flasin për lidhjet në BB3 dhe lidhjet që kanë ose kanë pasur jashtë. Graciela flet për lidhjen dhe historinë e saj jashtë shtëpisë. Disa nga banorët nuk duan të flasin për këtë gjë. Olta u thotë se nuk i pëlqen që t’i zbulojë detajet kaq shpejt. Jetmiri fillon së bashku me Gjimin të ngacmojë vajzat për historitë e tyre jashtë shtëpisë. Diskutimet vazhdojnë dhe vajzat refuzojnë që të flasin për lidhjet e tyre.
Lidhja Seldi-Pamela
Seldi i tregon Domenikës se si qëndron në të vërtetë lidhja e tij me Pamelën. Sipas tij, këtë ata e bëjnë në mënyrë që Erjoni dhe Miri të ndihen keq. Ai thekson se midis tij dhe Pamelës nuk ka asnjë ndjenjë, por shtiren vetëm për inat të Erionit, që si fillim ka ngacmuar Pamelën. Kjo histori po shkakton edhe probleme, pasi Pamela dhe Erioni bëjnë shaka të tepruara që prekin njëri-tjetrin.
Intuita e Eduardit
Erioni ndodhet në kopsht duke prerë dru për sobën. Pranë tij vjen Eduardi, i cili interesohet për debatin e mbrëmshëm ndërmjet tij dhe Seldit, si dhe për ndodhinë mes tij dhe Bertinës. Për sa i përket debatit të tij me Seldin, Erioni tregon se lindi si pasojë e fjalëve të dëgjuara që të tjerët kishin thënë për të, se bën zhurmë e shaka të tepruara. Sipas tij, këta persona ndryshe silleshin në sy të tij, e ndryshe flisnin pas krahëve. Ai tregon se kjo gjë nuk i pëlqen aspak, sidomos që të flasin mbrapa krahëve, gjë që ai nuk e bën për asnjë. Për ndodhinë me Bertinën, Erioni tregon se asaj i kishte ngelur pak hatri që gjatë lojës me shishe, dënimi ishte që ajo ta puthte në faqe dhe Erioni iu shmang pak. Ai tregon se kur ishin vetëm në kopsht, u sqaruan për këtë dhe për shakatë që bënte ai kundrejt saj. Eduardi insiston se kishte parë diçka tjetër dhe mendon se ndoshta Erioni me Bertinën ishin puthur dhe se kur u kthyen brenda në shtëpi, ata ishin të dy si të çoroditur. Erioni i shpjegon me bindje se asgjë nga këto nuk kishte ndodhur. Eduardi, sërish këmbëngulës në konstatimin e vet, thotë se syri nuk i gënjen kollaj dhe shton se pamja e tyre tregonte tjetër gjë, sikur kishte ndodhur puthja dhe të dy ndiheshin në faj për këtë. Erioni e siguron se asgjë nuk kishte ndodhur, ndërsa Eduardi shton me shaka se në ato momente mendoi se do hanin llokumet.
Debati Graciela-Domenika
Graciela thotë se është katolike dhe shkon në kishë, madje edhe ka kënduar që 14 vjeçe. Debati tashmë zhvendoset midis Domenikës dhe Gracielës. Domenika thotë se kisha ka bërë shumë krime në emër të shenjtërimit të shpirtit. Ajo thotë se kisha i shfrytëzonte njerëzit duke u thënë se do t’u siguronte parajsën. Në këtë moment, Graciela e kundërshton dhe e pyet se ku i ka thënë kisha këto gjëra. “Nuk është e vërtetë që kisha thotë të tilla gjëra apo bën të tilla veprime”, thotë Graciela. Ajo thekson se krimet janë bërë nga njerëzit, nga individë të veçantë. “Një krim të caktuar e bën një prift, por kjo nuk do të thotë se kisha predikon krimin”, thotë më tej ajo. Ndërsa Domenika e kundërshton, duke i thënë se historia fliste ndryshe dhe se ajo këto që thotë, në lidhje me historinë e kishës, i ka lexuar diku. Debati mes vajzave zhvillohet me tone të larta. Në të përfshihen edhe banorët e tjerë. Valentina mbështet mendimin e vajzës së vet, ndërsa Erioni nis të bëjë zhurmë për të ulur tonet e debatit.
Grupe kundërshtare
Jetmiri dhe Gjimi diskutojnë  për grupimet e krijuara në shtëpi. Njëri grupim përbëhet nga Valentina, Domenika, Seldi dhe Pamela, ndërsa tjetri nga Jetmiri, Erioni, Gjimi dhe Olta. Jetmiri tregon se grupi kundërshtar ka ndërmend që të vihet kundër tyre, për t’i parë se si do reagojnë. Ata nuk janë ende të sigurt për disa nga banorët se çfarë ane do mbajnë, si për shembull Bertina. Për Gracielën ata shprehen se ajo nuk i duron dot Valentinën dhe Domenikën, madje flasin me urrejtje mes njëra-tjetrës. Djemtë diskutojnë edhe për Valentinën, e cila e mban veten si komandante pasi u pozicionua në kuzhinë, me gatimin. Ata flasin hapur se nuk e durojnë dot atë dhe grupin e saj. Jetmiri tregon se ka ndërmend që ta sulmojë e t’i hedhë kunja për të parë reagimin e saj.

#

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›