E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Bumci ne Mqedoni takon homologun maqedonas Poposki

Shqipëria është një vend mik që në vazhdimësi mbështet proceset integruese të Maqedonisë, ka thënë ministri shqiptar i punëve të jashtme Aldo Bumçi, pas takimit në Shkup me homologun e tij maqedonas Nikolla Popovski. Bumçi theksoi se në këtë dimension, Shqipëria gjithnjë ka kërkuar nga shqiptarët e Maqedonisë të jenë pjesë e procesit integrues të vendit. Ministri shqiptar i punëve të jashtme ka potencuar edhe rëndësinë e Marrëveshjes së Ohrit për përparimin e Maqedonisë.
“Mesazhi jonë për shqiptarët në Maqedoni ka qenë i njëjtë - të bëhen pjesë e proceseve integruese e proceseve demokratike në Maqedoni dhe na vjen mirë që shqiptarët janë një faktor i rëndësishëm i stabilitetit dhe prosperitetit të Maqedonisë. Në këtë frymë ne besojmë që zbatimi i Marrëveshjes së Ohrit në germë dhe në frymë shërben interesit më të mirë të Maqedoni dhe interesit të qytetarëve”-deklaroi Bumçi.
Ministri Bumçi ka përshëndetur edhe qëndrimin e Maqedonisë lidhur me çështjen e Kosovës, duke theksuar se në këtë mënyrë Shkupi ka kontribuar për një rajon më të qëndrueshëm dhe më të integruar.
Ministrat Bumçi dhe Nikolla Popovski kanë vlerësuar se marrëdhëniet fqinjësore mes Maqedonisë dhe Shqipërisë mund të shërbejnë si shembull për rajonin. Ata kanë biseduar edhe për bashkëpunimin ekonomik mes dy vendeve, duke vlerësuar se ekziston hapësirë e madhe për avancimin e tij të mëtutjeshëm.
“Konkretisht biseduam se si mund ta përmirësojmë infrastrukturën dhe posaçërisht atë korridorit tetë. Lidhja me autostradë, me hekurudhë mes të dyja vendeve, besojmë se do të japë një energji të re në marrëdhëniet tona. Hapja e pikave të reja kufitare është edhe një hap, që lehtëson lidhjen ndërmjet vendeve dhe është diçka që dëshirojmë ta zbatojmë sa më shpejt si model në rajonin tonë”
I pyetur lidhur me qëndrimin e Shqipërisë rreth kontestit të emrit mes Maqedonisë dhe Greqisë, ministri Bumçi tha se në marrëdhëniet dypalëshe, Shqipëria e njeh Maqedoninë me emrin e saj kushtetues. Mirëpo ai theksoi se lidhur me këtë çështje, Tirana zyrtare do të respektojë çdo zgjidhje përfundimtare që do të arrijnë Shkupi dhe Athina. Ministri shqiptar I punëve të jashtme gjatë qëndrimit në Maqedoni është takuar edhe me zëvendëskryeministrin për eurointegrime Fatmir Besimi. Pasdite ai do të mbajë një ligjëratë në Universitetin Shtetëror të Tetovës, kurse do të takohet edhe me kryetarin e BDI-së Ali Ahmeti dhe kryetarin e PDSH-së, Menduh Thaçi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›