E Shtunë, 31 Tetor 2026

Incidenti ne Vjene nis punen komisioni hetimor

Nisi sot punën Komisioni Hetimor Parlamentar për incidentin mes kryetarit të Partisë Socialiste Edi Rama dhe diplomatit shqiptar, Egin Ceka.
Komisioni u formua vetëm me anëtarët e mazhorancës, pasi deputetët e opozitës nuk preferuan të paraqiten, ashtu siç dhe kishin njoftuar.
Kreu i këtij komisioni, Fatbardh Kadilli premtoi se hetimi do të jetë serioz dhe në zbardhje të vërtetës së ngjarjes së 24 prillit në ambientet e Akademisë së Vjenës.

“Do bëjmë hetim të plotë të thellë e të paanshëm. Ky incident kapërcen kufijtë e një incidenti, është cënuar dinjiteti i jo vetëm një diplomati, por edhe i Shqipërisë në opinionin ndërkombëtar. Sigurojmë PS por edhe Edi Ramën për një hetim të përgjegjshëm që ka si qëllim vetëm nxjerrjen në pah të së vërtetës", theksoi Kadilli. 
Pas këtij premtimi publik, anëtarët votuan rregulloren dhe mënyrën e funksionimit të këtij komisioni hetimore, duke zgjedhur me detyrën e sekretares së komisionit deputeten Paulina Hoti.

Me zgjedhjen e saj, kryetari Kadilli njoftoi edhe për objektin e hetimit, duke u bazuar në mbledhjen e dëshmive të protagonistëve të ngjarjes nga data 6 deri më 9 maj. 

"Plani hetimor quhet i miratuar, autorizojmë Paulina Hoti në cilësinë e sekretares të marrë kontaktin me administratën e kuvendit qoftë për ardhjen fizikisht të personave që janë të interesuar ose telekonferenca dhe videokonferenca nëse ka mundësi. Të bëhen listat që do ftohen për këto dëgjesa dhe propozoj të enjten të miratojmë listën e personave që do ftohen në këtë komision hetimor. Pra sot miratuam rregulloren e brendshme planin hetimor dhe mbledhjen e radhes që është të enjten, orën do e njoftojmë së shpejti”, deklaroi Kadilli. 
Në fund të mbledhjes, anëtari i këtij komisioni, deputeti Luçiano Boçi, ftoi opozitën të bëhet pjesë e këtij komisioni.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›