E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Gonxhe nderon artistin dhe humanistin Peter Michael Garst për kontributin humanitar dhe artistik ndaj Shqipërisë

Mbrëmjen e djeshme, Ministri i Kulturës, Blendi Gonxhe, nderoi artistin dhe humanistin Peter Michael Garst, për përkushtimin e tij të gjatë ndaj Shqipërisë.

Në një postim në Facebook, ministri e falënderoi Garstin për veprat e tij humanitare dhe artistike, duke theksuar kontributin e tij për shkollat rurale, për furnizimin me ujë të pijshëm dhe për ndihmën gjatë eksodit të Kosovës.

“Danke – Faleminderit Peter Michael Garst! Në hapje të koncertit simfonik, ndamë një histori të jashtëzakonshme, një biografi humanizmi, arti e miqësie të sinqertë, që prej dekadash e ka lidhur Zvicrën me Shqipërinë. Është historia e Maestro Peter Michael Garst dhe e Fondacionit “Zvicra Ndihmon Shqipërinë”.

Me një lidhje të veçantë me vendin tonë, për 16 vjet ai ka mbështetur shkollat rurale në kohët më sfiduese të tranzicionit, duke u bërë për shumë komunitete një dorë e sigurt shprese dhe zhvillimi. Kontributi i tij humanitar ka prekur mijëra jetë. Ai ka ngritur shkolla në zonat më të izoluara, duke u dhënë fëmijëve mundësinë të arsimohen pranë shtëpisë dhe ka sjellë infrastrukturën për ujin e pijshëm atje ku kjo nevojë bazë mungonte prej brezash. Në ditët e vështira të eksodit kosovar, ai ngriti çadra humanitare për familjet që gjetën strehë në Shqipëri.

Këto vepra të mëdha u bënë realitet falë humanizmit të tij, falë përkushtimit të palodhur të fondacionit, falë miqve e donatorëve që besuan. Por mbi të gjitha, falë mbështetjes së një familjeje të jashtëzakonshme, veçanërisht bashkëshortes së tij, Martha, e cila ka qenë gjithmonë pjesë e këtij misioni njerëzor.

Maestro Garst ka lënë një gjurmë po aq të thellë edhe në botën e muzikës. I formuar nga mjeshtër si Rafael Kubelik dhe Igor Markevich, karriera e tij është shtrirë në skena të Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë, Italisë e Spanjës, me një repertor që përfshin nga klasikët e deri te Verdi, Mahler e Schönberg.

Dhe me këtë koncert, ai kurorëzon rrugëtimin e tij të gjatë artistik, duke përshëndetur Tiranën dhe Shqipërinë që e do kaq shumë e duke korrur një falënderim të thellë për gjithë atë që ai ka dhënë mes artit e solidaritetit.

Le të mbetet kjo mbrëmje një kujtim i paharruar, një mirënjohje e përbashkët dhe një urim i sinqertë për udhëtimin e nderimin që vazhdon përtej skenës”, shkruan Gonxhe.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›