E Hënë, 2 Nëntor 2026

Reshje të dendura dhe përmbytje, tre persona ndalohen për rafting në lumin Osum

Policia e Shtetit ka shpallur gatishmëri të plotë për shkak të motit të keq dhe reshjeve të dendura në disa zona të vendit. Strukturat policore janë në terren për të ardhur në ndihmë të banorëve të prekur nga përmbytjet dhe për të garantuar sigurinë në rrugë.

Tre shtetas janë ndaluar në Komisariatin e Policisë Berat pasi janë futur në lumin Osum duke ushtruar rafting në kushte ekstreme, duke rrezikuar jetën e tyre. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë ka urdhëruar ndalimin e menjëhershëm të të gjithë atyre që, në këto kushte, ushtrojnë aktivitete të rrezikshme në lumenj dhe sekuestro të mjeteve të lundrimit.

Policia apelon tek qytetarët dhe përdoruesit e rrugës që të tregojnë kujdes të shtuar, të respektojnë rregullat e qarkullimit dhe udhëzimet e policisë, pasi në disa akse ka prezencë uji ose rënie inertesh si pasojë e reshjeve. Shërbimet policore po bashkëpunojnë edhe me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve për pastrimin e segmenteve të rrezikuara dhe parandalimin e aksidenteve.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›