E Diel, 1 Nëntor 2026

Ushtria dhe Bashkia rihapin rrugët në Malësinë e Kurbinit pas dëmeve nga shirat e fundit

Prej tre ditësh, zona e Malësisë së Kurbinit ishte e izoluar për shkak të shkatërrimit të disa urave, rrëshqitjeve të dherave dhe dëmtimit të rrugës kryesore. Pas 72 orësh punë, autoritetet lokale, në bashkëpunim me forcat e ushtrisë, kanë arritur të rikuperojnë pjesërisht urat e dëmtuara dhe të sistemojnë disa segmente të rrugës.

Sipas kreut të Njësisë Administrative Milot, Dritan Preçi, puna për hapjen e rrugës vazhdon në fshatin e largët Vinjollë, ndërsa dy fshatra të tjerë, Skuraj dhe Gallatë, kanë dalë tashmë nga izolimi.

“Kjo zonë ka qenë totalisht e bllokuar. Falë bashkëpunimit me Bashkinë Kurbin, Ministrinë e Mbrojtjes dhe ekipet tona, kemi arritur të bëjmë rrugën të kalueshme deri në Vinjollë”, deklaroi Dritan Preçi.

Ndërkohë, në fshatin Gallatë disa familje u evakuuan pas përmbytjeve të banesave të tyre, por pritet që të rikthehen së shpejti në shtëpi. Zonës i janë rikthyer gjithashtu energjia elektrike pas dëmtimeve në linjën e furnizimit.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›