E Diel, 1 Nëntor 2026

Ministri Guni premton më shumë politika sociale për jetimët

Jetimët janë ndoshta një nga shtresat më të diskriminuara si nga fati ashtu edhe nga shteti. Faktori i parë është aq i fortë sa njeriu rrallëherë mund ta mposhtë atë. Por shteti është një faktor vendimtar, i cili nëse nëpërmjet politikave të tij do të mendonte seriozisht për shtresën e jetimëve, kjo e fundit nuk do të ishte në gjendjen aktuale, ku siç dihet pas moshës 18 vjeç çdo jetimi i duhet të mendojsë se si të jetojë, ku të fusë kokën, si të punësohet, ushqehet, integrohet në shoqëri. Gjatë një aktiviteti të organizuar në ambientet e shtëpisë së fëmijës ''Zyber Hallulli'', në Tiranë, me rastin e Ditës Kombëtare të Jetimëve, ministri i Punës, Viktor Gumi u shpreh se fëmijët jetimë janë epiqendra e politikave sociale. Ministri i sapoemëruar, në daljen e tij të parë publike, uroi fëmijët jetimë për ditën e tyre, 20 Majin, një datë e veçantë për shumë fëmijë, që për shkaqe të ndryshme, biologjike, sociale apo të natyrave të tjera, nuk jetojnë në familjen biologjike, me prindërit natyralë, por në ambiente të tjera alternative. Ju meritoni gjithçka, sepse jeni heronjtë e kësaj dite dhe jo vetëm, por edhe të ditëve të tjera që do të vijnë. Sidomos në këto kushte, ku shumë njerëz të tjerë kanë probleme me familjen normale dhe biologjike, ju keni mundur që t'i tejkaloni këto probleme dhe të dilni vërtet heronjtë e kësaj dite, u shpreh Gumi, duke u premtuar fëmijëve se do të jenë epiqendra e politikave të Ministrisë së Punës në katër vitet e ardhshme. Fëmijët jetimë kanë marrë premtime të tilla gjatë 18 viteve të fundit, por realiteti ka treguar vetëm vuajtjet dhe mundimin që hasin këta fëmijë sapo mbushin 18 vjeç, pasi shteti u mbyll dyert e fjetoreve, duke vlerësuar se e ka mbaruar detyrën e tij. Ministri Gumi, është zotuar në forcimin, përmirësimin dhe zgjerimin e një sistemi sa më adekuat të mbrojtjes sociale, pasi sipas tij interesat e fëmijëve janë mbi gjithçka. Madje në këtë kontekst, ai ka lënë në dispozicion të jetimëve edhe numrin e tij të telefonit, ashtu si kryeministri Berisha publikoi numrin e tij ku qytetarët mund të denonconin korrupsionin, por që në të vërtetë rezultoi se ai nuk u përgjigjej telefonatave apo sms-ve të qytetarëve. Politikat shtetërore, kanë pësuar reformime gjatë viteve të fundit, por që në më të shumtën e rasteve ato mbeten thjeshtë në letër. Sipas këtyre politikave, kategorisë së jetimëve aktualisht u ofrohet mbrojtje dhe përkrahje bazuar në Ligjin Për Statusin e Jetimit, status që u jepet të gjithë personave me moshë deri 25 vjeç, jetimë biologjikë. Këtë status e përfitojnë 845 persona në të gjithë vendin. Jetimët trajtohen me prioritet në punësim, u ofrohet formim profesional falas, u mundësohet e drejtë studimi sipas aftësive, mbështeten me bursë të plotë dhe trajtime veshmbathjeje nga shteti për të gjitha vitet e shkollimit, trajtohen me ndihmë ekonomike pasi kanë mbaruar shkollën dhe nuk kanë filluar punë, si dhe shërbim mjekësor dhe transport falas. Një nga përfitimet në bazë të Statusit të Jetimit është vendosja e tyre me prioritet në institucionet e përkujdesit shoqëror.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›