E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ndarja e provimeve për profesionalet

21/05/2009  Përveç dy provimeve të detyruara do të kenë edhe lëndën e formimit praktik profesional.

Përcaktohen ekspertët që do të hartojnë tezën e provimit të parë të maturës më 2 qershor

Maturantët e shkollave të mesme artistike, koreografike, sportive, të seksioneve dygjuhëshe dhe të shkollave teknike-profesionale 5-vjeçare dhe 3+2-vjeçare përveç dy provimeve të detyruara do të japin dhe një provim të tretë: lëndën e formimit praktik profesional. Ky i fundit është provim shkollor në specialitet dhe nuk bën pjesë në llogaritjet e pikëve për pranimet në shkollat e larta. Nxënësit maturantë të shkollave profesionale dhe social-kulturore, të cilët nuk do të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, do të japin vetëm dy provime: provimin e detyruar: matematika për shkollat profesionale dhe letërsia për shkollat social-kulturore, si dhe provimin shkollor të formimit praktik profesional. Në përfundim të dy provimeve nxënësi pajiset me dëftesë pjekurie. Kategoria tjetër e nxënësve të këtyre shkollave që do të duan të ndjekin studimet e larta pranë fakulteteve publike gjatë vitit të ardhshëm akademik do t’u nënshtrohen të njëjtave procedura si dhe maturantët që kanë mbaruar pranë shkollave të tjera të mesme të përgjithshme.

Tezat

Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare janë: formimi teorik profesional si dhe formimi praktik profesional. Rregullorja e provimeve ka përcaktuar se për këta maturantë përgatitja e tezave të provimit do të hartohet nga vetë shkolla. Gjithashtu edhe datat e provimeve do të specifikohen nga drejtoritë e shkollave sipas një kalendari të caktuar. Pohohet se dhënia e provimeve për këtë kategori duhet të bëhet në data të përafërta me ato të maturantëve që do të konkurrojnë për shkolla të larta gjatë këtij viti. Njëkohësisht më datën 10 korrik ata do të kenë mundësi që të japin edhe provimet e lëndëve me zgjedhje për t’u pranuar në shkollat e larta sipas degëve të listuara në formularin e preferencave që do të nisë të plotësohet gjatë muajit qershor për të gjithë kandidatët që aplikojnë për shkollë të lartë. Maturantët e këtyre shkollave profesionale do të kenë të detajuara dhe llojet e koeficienteve të veçantë jo vetëm për lëndën që do të japin provim, por dhe atë që përcakton llojin e shkollës së mesme, mbi bazën e të cilave do të përcaktohet dhe renditja e fituesve pas përllogaritjes së të 5 komponentëve përbërës të maturës shtetërore 2009.

Hartuesit

Tashmë janë përcaktuar personat që do të merren me hartimin e tezave përfundimtare që do të jepen në provimet e detyruara të maturës gjatë muajit qershor. Kreu i AVA-së, Alfons Harizaj, ka pohuar dje një javë para datës së provimit se do të nisë izolimi i mësuesve në ambientet e kësaj qendre, ku do të përzgjedhin nga fondi i pyetjeve ato që do të përmbajë teza përfundimtare. Ndryshe nga provimet e vitit të shkuar, për 2009-n gara e provimeve përfshin një sërë ndryshimesh për lëndët me zgjedhje, ku është vendosur që për akademitë sportive dhe artistike të mos zhvillohen provimet me zgjedhje. Kandidatët që duan të ndjekin studimet e larta në këtë profil akademik do të përzgjidhen në bazë të rezultateve që do të arrijnë në testimin e pjesës speciale të konkursit, me përjashtim të degës së arkitekturës, për të cilën do të jepen edhe lëndët me zgjedhje. Bazuar në llojin e degës, konkursi special për këta kandidatë do të zërë deri në 80 për qind të peshës përzgjedhëse të kandidatëve fitues për në universitet. Pjesa tjetër do t’i atribuohet mesatares së shkollës së mesme.

Udhëzuesi A-2

Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta brenda datës 30 qershor duhet të plotësojnë formularin A-2 dhe ta dorëzojnë atë në KSHMSH. Sipas rregullores së provimeve, kanë të drejtë të kandidojnë për të vazhduar studimet në universitetet publike të vendit vetëm nxënësit që vlerësohen kalues në të katër provimet e Maturës Shtetërore (në dy provimet e detyruara dhe dy provimet me zgjedhje të përcaktuara në formularin A-1). Nxënësi që është mbetës qoftë edhe në një nga provimet e detyruara të sezonit të parë, nuk ka të drejtë të futet në provimet me zgjedhje. Ky kandidat duhet të japë riprovim lëndët e detyruara në sezonin e vjeshtës, por humbet të drejtën e konkurrimit për në shkollë të lartë gjatë këtij viti. Në fillim të muajit të ardhshëm do të çelen dhe provimet e para të maturës, ku më 2 qershor dhe 9 qershor do të jepen lëndët e detyruara matematika dhe letërsia.

Profesionalet

Në arsimin profesional 3-vjeçar dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2-vjeçare provimet përfundimtare janë: formimi teorik profesional si dhe formimi praktik profesional. Kjo kategori maturantësh do t’u nënshtrohet rregullave të tjera të provimeve nga ato të shkollave të mesme. Rregullorja e provimeve ka përcaktuar se për këta maturantë përgatitja e tezave të provimit do të hartohet nga vetë shkolla për lëndët që janë të detyruara. Gjithashtu edhe datat e provimeve do të specifikohen nga drejtoritë e shkollave sipas një kalendari të caktuar, dhënia e provimeve për këtë kategori duhet të bëhet në data të përafërta me ato të maturantëve që tash kanë aplikuar për pranimet në shkollat e larta. Maturantët e këtyre shkollave profesionale do të kenë të detajuara dhe llojet e koeficienteve të veçantë jo vetëm për lëndën që do të japin provim, por dhe atë që përcakton llojin e shkollës së mesme.

Grupimi

Duke filluar nga dita e nesërme, maturantët nisin periudhën e konsultimeve për provimet e detyruara të maturës, çka do të thotë se mbyllin përfundimisht edhe vitin shkollor. Përfshirja e nxënësve në provimet e maturës për këtë vit do të shoqërohet me grupimin e tyre në ambiente të caktuara, pavarësisht llojit të shkollës. Kështu, në shkollat ku numri i nxënësve/kandidatëve është më i vogël ose e barabartë me 20 (njëzetë), komisionet e ngritura pranë drejtorive arsimore do të grupojnë shkollat dhe do të caktojnë mjediset ku do të zhvillohen provimet. Drejtoria arsimore duhet të njoftojë gjithashtu të gjitha komisionet e maturës të ngritura në shkolla për të lajmëruar çdo nxënës me shkrim dhe për t’u krijuar atyre kushte lehtësuese transporti për provimet e detyruara. Nxënësit e shkollave jopublike do t’i zhvillojnë provimet e Maturës Shtetërore në mjediset e shkollave publike.

Izolimi

Aktualisht ka nisur puna për hartimin e tezave dhe pas një jave do të ngujohen në ambientet e Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve ekspertët, që do hartojnë tezën përfundimtare për provimin e datës 2 qershor. Kreu i AVA-së, Harizaj, ka pohuar se edhe për këtë vit masat e sigurisë do të jenë tepër të forta, duke mos lejuar kështu rrjedhjen e informacionit për pyetjet që do të përmbajë teza përfundimtare. Hartuesit do të dalin nga ambientet e AVA-së, një orë pasi të jenë shpërndarë tezat e provimit, teksa janë të ndaluara kategorikisht mjetet e komunikimit si telefonat apo lidhjet e tjera me jashtë. i provimeve për secilin provim të detyruar (do të përmbajë 25 pyetje, nga të cilat 13 me përgjigje alternative dhe 12 me zhvillim. Ndërsa testet me zgjedhje do të përmbajnë për secilën lëndë 20 pyetje, nga të cilat 10 pyetje me përgjigje alternative dhe 10 pyetje me përgjigje me zhvillim.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›