E Shtunë, 31 Tetor 2026

Devoll, polici i burgut tenton vrasjen e kushëririt me pistoletën e punës

Polici i burgut tenton të vrasë me pistoletë kushëririn, prangoset në kohë nga uniformat blu. Policia e Devollit ka parandaluar një krim të mundshëm në fshatin Cangonj, vetëm 8 kilometra larg qytetit të Bilishtit. Ngjarja është regjistruar në orët e vona pas mesnatës së martë, në një lokal të këtij fshati, protagonistë të të cilit janë bërë dy kushërinj, njëri prej të cilëve efektiv policie në burgun e Drenovës, në Korçë. Duke iu referuar të dhënave zyrtare të policisë lokale, mësohet se ngjarja ka ndodhur rreth orës 3:30 të mëngjesit djeshëm në fshatin Cangonj të rrethit të Devollit. Ilir Spahi, 44 vjeç, me detyrë punonjës policie pranë burgut të Drenovës ka tentuar të vrasë me armën e shërbimit kushëririn e tij njëherësh dhe bashkëfshatar 37- vjeçar. Skena e shoqëruar me krisma të shumta pistolete është zhvilluar në një lokal në qendër të fshatit të lartpërmendur. Ilir Spahi, punonjës burgu sapo është kthyer nga puna pas turnit të mbrëmjes, është ndalur në një lokal të fshatit për tu shplodhur. Ai është takuar me të afërmin e tij Andri Hoxha, me të cilin ka qëndruar për shumë orë në tavolinë. Gjatë kësaj kohe, sipas dëshmive që ka grumbulluar policia ata kanë konsumuar shumë alkool, ndërsa kanë qenë në shoqërinë dhe të disa shokëve të tjerë, ndërsa kanë vazhduar të vetëm duelin e tyre të konsumimit të pijeve alkoolike. Në gjendje të dehur në një inat të çastit efektivi i policisë së burgut ka nxjerrë pistoletën tip TT nga brezi dhe ka tentuar të ekzekutojë me të Andri Hoxhën. Për fat të mirë plumbat që kanë alarmuar fshatin nuk kanë përfunduar në trupin e 37 vjeçarit i cili është shmangur menjëherë. Ka qenë pronari i lokalit që ka kërkuar ndihmën e policisë së komisariatit të Devollit, e cila në vetëm pak minuta ka prangosur në kushtet e flagrancës efektivin e policisë. Spahi është arrestuar, ndërsa i është sekuestruar si provë materiale arma e tij e punës një pistoletë tip TT dhe një krehër me fishekë. Ndërkaq ai akuzohet për veprën penale të vrasjes së mbetur në tentativë, ndërsa menjëherë është pezulluar nga detyra nga autoritet e burgut gjatë mëngjesit të djeshëm, pas informacionit që është  marrë për ngjarjen e rëndë që ka tronditur fshatin Cangonj në Devoll. Për fat  të mirë plumbat nuk e kanë lënduar Hoxhën i cili ka dhënë shpjegimet e tij në polici duke pohuar se nuk ka patur asnjë konflikt të mëparshëm mes tij dhe të arrestuarit, por sherri ka ardhur për motive banale nën efektet e alkoolit që ata kishin pirë me tepri gjatë mbrëmjes.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›