E Shtunë, 31 Tetor 2026

Dita e Drejtësisë, Topi: Më tepër se kritika sistemit i duhet mbështetje

Në Ditën Kombëtare të Drejtësisë, presidenti i Republikës Bamir Topi i ka lënë mënjanë kritikat ndaj gjyqësorit duke dalë në krah drejtësisë e duke bërë apel për mbështetjen e këtij sistemi. Për kreun e shtetit njëherësh kreu i KLD-së, palët politike duhet të bashkëpunojmë për një mision të përbashkët, forcimin e pushtetit gjyqësor, i cili është i lidhur ngushtë me funksionim e demokracisë e me integrimin e Shqipërisë në BE.

“Më tepër se sa kritika ndaj sistemit, duhet të mbizotërojë mbështetja e plotë për reformimin e tij, duke iu dhënë më shumë, duke iu krijuar më shumë hapësira ligjore, financiare dhe infrastrukturore, për mirëfunksionimin e tij. Thirrja ime, të nderuar pjesëmarrës, në këtë ditë është për bashkëpunimin institucional dhe rritje të përgjegjshmërisë së sistemit gjyqësor në përballimin e sfidave të kohës. Sa më drejtë dhe sa më mirë t`u përgjigjet ky sistem këtyre sfidave, aq më garantues është funksionimi i demokracisë në Shqipëri dhe aq më të pranueshëm bëhemi për të hyrë në familjen evropiane, mbi të njëjtat standarde dhe mënyrë funksionimi të sistemit. Është një barrë e rëndë, por në të njëjtën kohë, një mision fisnik për ju të nderuar gjyqtarë, prokurorë dhe avokatë, që nëpërmjet ushtrimit të funksioneve tuaja, me profesionalizëm dhe integritet moral të bëni të mundur ecjen përpara të vendit dhe shoqërisë drejt konsolidimit të një demokracie funksionale dhe garantimit të rrugës drejt Bashkimit Evropian” shtoi Topi.

Presidentit Bamir Topi përshëndeti krijimi i Gjykatës Administrative duke u kujdesur të bënte thirrje për përzgjedhjen me kujdes së trupës gjyqësor të këtyre gjykatave. "Miratimi i ndryshimeve të rëndësishme ligjore kohët e fundit si dhe krijimi i Gjykatës Administrative janë një ndihmesë e dukshme për përmirësimin e funksionimit të sistemit. Mbetet me rëndësi të posaçme, aplikimi faktik nga autoritetet kushtetuese të krijimit të këtyre gjykatave, duke bërë kujdes dhe kushtuar vëmendje të posaçme përzgjedhjes së trupës gjyqësore" shtoi Topi.
 

Deklaratat e Presidentit Topi u bënë gjatë një pritje të organizuar në Pallatin e Brigadave me rastin e ditës së drejtësisë, që përkujton 10 majin e vitit 1913 kur u miratua baza ligjore e organizimit të pavarur të sistemit gjyqësor në Shqipëri.
 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›